E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç: Raporti tregon se si është sot Kosova

Nga Express më 15 dhjetor 2010 në ora 13:48

(E plotësuar) Serbia dhe aleati i saj, Rusia, kanë reaguar ndaj raportit, i cili e implikon kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në trafikimin e organeve të serbëve të burgosur.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i bëri komentet e tij pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov në Moskë.

“Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot, dhe kush janë liderët e saj. Ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë që të kërkojmë zgjidhje për çështjen” e Kosovës, tha Jeremiç, raporton REL.

Raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti thotë se civilët e burgosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë vrarë në Shqipëri, dhe veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Raporti gjithashtu sugjeron se kryeministri Hashim Thaçi ka qenë një kohë “bosi” i nëntokës kriminale, e cila ka bërë tregtinë me organet.

Lavrov tha se informatat për trafikimin e organeve kanë dalë në sipërfaqe shumë kohë më parë, dhe se Moska është “shumë e alarmuar” nga raporti i ri.

Qeveria e Kosovës tha se raporti është përpjekje për ta njollosur imazhin e UÇK-së.

Sërish Marty

Dick Marty ka shfrytëzuar kryesimin e Këshillit të Europës nga Serbia për të përgatitur një tjetër raport linçues për Kosovën.

Është, megjithatë, gazeta britanike The Guardian, që në ballinën e saj, ka cituar pjesë të raportit të Dick Martyt që ngre edhe një herë çështjen e Shtëpisë së Verdhë dhe gjoja trafikimin e organeve të serbëve.

“Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptarësh "në formë mafie" përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Europën Lindore. Hashim Thaçi është identifikuar si "bosi" i një rrjeti që ka filluar të vërë në veprim reketet e tij kriminale në prag të luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe i cili ka ruajtur ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë”.

Raporti i këtij hetimi dyvjeçar, i cili citon burime të tjera të FBI’së dhe të inteligjencës, është marrë nga "The Guardian". Ai përmend që Thaçi të ketë ushtruar "kontroll të dhunshëm" mbi tregtinë e heroinës gjatë dekadës së fundit.
Në shkrimin e The Guardian thuhet se figura të rrethit të ngushtë të Thaçit janë akuzuar se kanë marrë pjesë në kidnapimet dhe vrasjet pas luftës, veçmas të serbëve të vrarë, organet e të cilëve janë shitur në tregun e zi.

Dick Marty, një hulumtues për të drejtat e njeriut pritet ta prezantoi raportin e tij të enjten para 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës gjatë një takimit në Paris. Raporti flet për lidhjet e Hashim Thaçit me krimin e organizuar përgjatë një dekade, kur grupi i tij lojal nga Drenica u bë faktori dominant, për të vazhduar se grupi më pastaj mori shtrirje të madhe duke kontrolluar gjithçka.

Në raport thuhet “raportet sekrete përgjatë një dekade e konfirmojnë lidhjen e Thaçit me drogën në pothuajse pesë vende. Në raportet e agjencive të huaja po ashtu thuhet se njerëzit e grupit të Drenicës janë lojtarët kryesorë.

Marty kishte udhëhequr më herët delegacionin e KE’së që erdhi për të hetuar pretendimet për trafikim organesh të serbëve në "Shtëpinë e Verdhë" nga ana e UÇK’së, që nuk u vërtetua asnjëherë.

Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj artikullit të “Guardianit”, duke konsideruar se raporti i Martyt është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së UÇK’së dhe të udhëheqësve të saj.

“Pretendimet e botuara në ‘The Guardian’ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të paraqiten si opinione të vetë institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

“Është e qartë se dikush dëshiron të pengojë Kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë. Veprimet e tilla të ulëta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vazhdon deklarata.

Nëpërmjet deklaratës, Qeveria e Kosovës u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Europës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›