E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Trepça ‘89

Trepça ’89 është skuadra e parë që e ka siguruar një vend në elitën e futbollit kosovar për sezonin tjetër. Fitorja me rezultat zyrtar ndaj Vullnetarit të UÇK-së, ia mundësoi ekipit mitrovicas që ta festojë rikthimin në Superligë, tri xhiro pa përfunduar Liga e Parë e Kosovës në futboll.

Pa dyshim, trajneri Afrim Tovërlani ishte ndër më të merituarit për këtë sukses të “Xehetarëve”, pasi bëri ndryshime radikale, të cilat në fund sollën fryt. Megjithatë, trajneri prishtinas tregohet modest dhe suksesin e arritur e ndan me të tjerët.

“Së pari, nuk është sukses personal, por i përbashkët: i kryesisë, shtabit teknik dhe futbollistëve. Konkurrenca ishte mjaft e madhe, por kemi punuar, kemi instaluar disiplinë dhe mund të them lirisht se fizikisht ishim të barabartë, mos më të mirë sesa ekipet e Superligës”, u shpreh Tovërlani për Express, i cili falënderoi kryesinë e Trepçës ’89, që sipas tij, ka qenë korrekte dhe që ka pasur dëshirë që ai ta udhëheq ekipin këtë sezon.

“Mendoj se e kam shpaguar veten”, vazhdoi ish trajneri i Prishtinës, i cili shtoi se edhe pse Trepça ’89 nuk u përforcua sa kishte planifikuar, u tregua ekip i fortë duke i mposhtur konkurrentët kryesorë edhe në shtëpitë e tyre.

Tovërlani kishte vendosur ta sprovonte veten në Ligën e Parë me Trepçën ‘89, edhe pse kishte oferta nga Superliga. Ai ndihet i kënaqur me eksperiencën që pati në këtë kategori garash, mbi të gjitha pas suksesit që arriti.

“Ky ka qenë një motiv dhe sfidë e imja që t’u tregoj njerëzve se unë një herë punoj e më pas flas. Ka qenë një motiv që ta mas dhe ta vlerësoj veten, dhe mendoj se ia kam dalë mbanë, edhe pse kur kam ardhur këtu nuk e kam gjetur skuadrën në pozitën dhe në gjendjen më të mirë. Gjithashtu, atyre që m’i kanë mohuar vlerat kam dashur që t’u tregoj se kush është BABA”, shpjegoi Tovërlani.

Trajneri më i mirë i vitit 2008 në Kosovë nuk ka vendosur ende nëse do të mbetet apo jo edhe sezonin e ardhshëm në krye të shtabit teknik të Trepçës ’89. Pasi të përfundojë sezoni aktual, ai planifikon që të ulet dhe të bisedojë me zyrtarët e klubit, për vazhdimin eventual të bashkëpunimit. Por, ai e dëshiron një gjë: që kur të kthehet një ditë në Mitrovicë, të jetë i mirëpritur.

Trepça ’89 aktualisht ka 63 pikë, duke u shkëputur në më shumë se 10 pikë ndaj skuadrave që e synojnë barazhin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›