E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet dëbora, shumë zona ende të bllokuara

Rinisin reshjet e dëborës në veri dhe verilindje të vendit. Si pasojë, problemet dominojnë në shumë komuna, fshatra, por edhe në brendësi të qyteteve. Banorët vazhdojnë të bëjnë apel për ndihmë ushqimore, medikamente, por edhe në rastet më të vështira, për trasnprotimin e të sëmurëve me barrela, me krahë, apo me mjete të tjera rrethanore drejt spitaleve.
 

Nga dita në ditë janë shtuar banorët që nuk kanë tashmë as bukën e gojës, ujin e pijshëm, si dhe energjienë elektrike. Në qarkun e Dibrës rikthimi i reshjeve ka bllokuar sërish akset e hapur një ditë më parë. Sot pritet që nga Kryqi i Kuq 50 familje në nevojë të marrin ndihma ekonomike. Në fshatin Lashkizë të komunës Zalldardhë banorët rrezikojnë nga orteqet, ndërsa kreu i komunës u ka bërë apel që banorët të evakuohen nga zona.

Në rrethin e Bulqizës komunat janë të gjitha të bllokuara dhe banorët bëjnë apel se janë mbaruar rezervat ushqimore. Në këtë zonë ka fshatra që lartësia e borës e kalon 3.5 metra, ndërkohë që fshatrat Trënova e Madhe dhe Tërnova e Vogël prej 15 ditësh nuk kanë komunikim, pasi mungon edhe energjia elektrike. Probleme ka pasur edhe me çatitë e banesave, por edhe me të sëmurët. Temperastura ka zbritur në minus 17 gradë dhe po punohet për zhbllokimin e rrugës nacionale Peshkopi-Klos për ta mbajtur të hapur.

Në qarkun e Kukësit temperaturat kanë pësuar ulje disa gradë nën zero. 7 komuna janë ende tërësisht të blokuara dhe akset rrugore Morin- Kalimash, Kukës- Krumë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Gjatë natës ka pasur ndërprerje të enegjisë elektike për shkak të një defekti në linjën 110 kv që furnozon rrethin e Hasit. Edhe në Korçë problemet mbeten sërish prezente, por raste emergjente nuk janë shënuar gjatë orëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›