Tiranë, në dy javë prangosen 21 të mitur
18/01/2005 Prangosja e rreth 21 të miturve të implikuar në ngjarje të ndryshme kriminale nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, vetëm për muajin Janar, ka nxjerrë edhe një herë në pah mungesën e institucioneve përkatëse që trajtojnë këto probleme. Sipas Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në këto raste procedohet duke i marrë në pyetje në prani të prindërve dhe avokatëve, dhe i mbajnë në mjedise të veçanta. Ndërkohë që adoleshentët e moshave 14-18, veprohet njësoj si dhe për të rriturit në procedurat e arrestimit për të rriturit. Megjithëse konventat e nënshkruara e detyrojnë vendin tonë të ngrejë struktura të caktuara hetimore për krimet e kryera nga të miturit, një gjykatë të veçantë e cila të gjykojë vetëm këto krime dhe vende të caktuara për riedukimin apo vuatjen e dënimit nga adoleshentët, të ndara këto nga të dënuarit e moshave më të mëdha, në të vërtetë këto nuk Ekzistojnë. I vetmi institucion që merrej me riedukimin e të miturve të implikuar në krime të ndryshme është mbyllur në vitin 1993 dhe prej asaj kohe janë hedhur vetëm ide e janë kryer projekte të ndryshme, të cilat duhet pranuar se kanë mbetur vetëm në letër. Struktura e re e Policisë së Shtetit e ka ndarë kriminalitetin e të miturve në një sektor të veçantë, ndërkohë që një gjë e tillë ka gjetur vend dhe në sistemin e drejtësisë, kryesisht në vendet e vuajtjes së dënimit. Sot Ministria e Drejtësisë prezanton hapjen e mjediseve për të mitur në burgje duke përmirësuar ndjeshmë kushtet e tyre në institucionet e vuajtjes së dënimit.