E Hënë, 2 Nëntor 2026

Britanikët kërpit, 130 mijë dollarë Ministrisë së Rendit

18/01/2005  Plot 130 mijë dollarë ka kërkuar si dëmshpërblim për të ashtuquajturin skandal i kërpit, fondacioni anglez "Partneritet për zhvillim". Kreu i saj, Majk Tejlor, i kontaktuar në linjë telefonike nga gazeta "Metropol", është shprehur entuziast për procesin gjyqësor, që do të zhvillohet nesër në Gjykatën e Apelit. 65-vjeçari që drejton fondacionin kristian, që vepron në 30 vende të botës, mendon se padia në ngarkim të Ministrisë së Rendit, depozituar para 3 vjetësh e gjysmë, duhet të kishte marrë rrugë kohë më parë. Asgjësimi i 524 mijë rrënjë kërpi, në periudhën kur dikasterin blu e drejtonte Ilir Gjoni, rezultoi i padrejtë, ndaj fondacioni kërkon dëmshpërblimin material dhe moral. Shuma e përfituar do të përdoret për uljen e varfërisë në zonën e Shkrelit.

Si mendoni, a do të japë gjykata një vendim të drejtë?

Kërkesa jonë për zhdëmtimin prej 130 mijë eurosh është bërë pas konstatimit të dëmit moral dhe material që ka bërë fondacioni për asgjësimin e kërpit në Shkrel. Paratë që do të marrim si dëmshpërblim, nuk do të shkojnë në xhepat e fondacionit "Partneritet për zhvillim", por do të përdoren për vijimin e projektit për uljen e varfësisë në komunën e Shkrelit. Edhe Qeveria besoj se është e interesuar për minimizimin e varfërisë dhe punësimin e banorëve të kësaj zone. Jemi të shqetësuar për zvarritjen 3 vjet e gjysmë të këtij procesi dhe mosmarrjen parasysh të kërkesës sonë nga gjykata. Ne duhet ta kishim marrë deri tani dëmshpërblimin dhe ato para duhet të kishin shkuar tashmë në ndihmë të banorëve të Shkrelit. Kërkesa jonë është bërë në bazë të ligjeve kushtetuese shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Nëse gjykata nuk do të japë një vendim të drejtë, do të detyrohemi të drejtohemi tek ajo e Strasburgut. Dhe, atëherë, dëmi që do të pësojë shteti shqiptar do të jetë shumë i madh, jo vetëm material, por dhe në reputacionin ndërkombëtar. Por, le të shpresojmë në një vendim të drejtë që të ndihmojë të gjithë palët, sidomos zonën e Shkrelit.

Ka ndikuar skandali i kërpit tek ju për të ndryshuar opinion për qeverinë?

Jemi shumë të shqetësuar, pse policia nuk kontaktoi me ne para se të asgjësonte bimën. Organet e rendit u treguan shumë mospërfillëse ndaj sqarimeve që menaxheri i projektit u rrek t'u jepte para se t'i vinin kosën kërpit. Ata jo vetëm që nuk e dëgjuan, por, madje u rrasën në qeli. Ne jemi të ndërgjegjshëm që në vijimësinë e punës, qeveria has vështirësi. Por, shpresojmë që të bashkëpunojmë në të ardhmen, në të mirë të zonës së varfër të Shkrelit.

A keni ndërmend ta zgjeroni projektin?

Projektet tona janë zgjeruar tashmë, si në ndihma humanitare, ashtu dhe në aktivitete të tjera. Kemi hapur një qendër tregtare në Koplik, ku shiten prodhimet e banorëve të Shkrelit. Jemi duke parë mundësinë për të prodhuar produkte për eksport në këtë zonë, nga mjalti, sherebela dhe gështenja. Sakaq, vijon projekti i kultivimit të kërpit. Besojmë se në atë zonë ka potencial njerëzor, të aftë për zhvillimin e projekteve. Duke punësuar sa më shumë njerëz në Shkrel, ne duam të evitojmë rrezikun e emigrimit klandestin, ku vetëm në tragjedinë e 9 janarit të vitit të shkuar, humbën jetën 5 të rinj nga Shkreli. Jemi në proces për të mundësuar emigrimin legal të të rinjve të kësaj zone drejt Anglisë. Ndërkaq, para një muaji, janë akorduar nga fondacioni ynë 6 mijë dollarë për 3 familje të varfëra. Paratë u dhuruan për të ndrequr çatitë e rrënuara të shtëpive. Një prej familjeve që përfituan 2 mijë dollarë, ishin të afërm të një deputeti të mazhorancës.

A ndikoi aksioni i policisë në moszbatimin e projektit në Malësinë e Madhe?

Sigurisht që po. Aksioni na pengoi seriozisht si në aspektin moral dhe në atë financiar. E megjithë goditjen, ne kemi vijuar pak nga pak t'i zgjerojmë aktivitetet tona. Në plan kemi dhe një projekt turistik për të sjellë vizitorë nga Anglia. Veç tij, ka nisur të vihet në jetë dhe një projekt i dytë. "Ndihmë për tregti" synon lidhjen e familjeve angleze me ato shqiptare, pra një tip binjakëzimi. Ata do të ndihmojnë financiarisht familjet nga Shkreli, por dhe do t'u mundësojnë treg shitjeje për prodhimet e tyre.

Si e komentoni qëndrimin e mediave lidhur me skandalin e kërpit?

E vlerësoj sinqerisht mbështetjen e mediave shqiptare. Ne si fondacion u jemi shumë mirënjohës gazetarëve vendas, përjashto këtu ata që përfaqësojnë organe mediatike qeveritare. Jemi të mendimit se mbështetja e mediave tuaja, na ndihmoi që të mos tërhiqeshim nga Shqipëria. Këtë qëndrim, ne pretendojmë që ata ta mbajnë dhe në të ardhmen.

Katër fermerët që u arrestuan më 2001

Brahim Maleci agronom

Gjeto Lumaj fermer

Maliq Memçaj mësues

Qamil Selaj kryeplaku i fshatit Reç

Gjykata u njohu dëmshpërblim për burg të padrejtë

Katër fermerë të komunës Shkrel, të burgosur një vit e gjysëm më parë për kultivim të kërpit industrial kanë fituar procesin gjyqësor në gjykatë ndaj Ministrisë së Rendit. Gjykata i ka dëmshpërblyer katër fermerët e arrestuar me nga 2.5 milionë lekë secili për 30 ditët e burgut dhe i ka zhdëmtuar me afro 113 milionë lekë për dëmin ekonomik që pësuan nga asgjesimi i 524900 rrënjëve kërp industrial.

Operacioni antikërpkanabis

Operacioni “antidrogë” i policisë së Malësisë së Madhe dhe asaj të Shkodrës u zhvillua nga data 11 deri në 18 korrik 2001. Ministria e Rendit deklaroi me bujë pas operacionit se për herë të parë policia shqiptare kishte asgjesuar një sasi kaq të madhe bimësh narkotike prej 524900 rrënjësh. Lajmi u emetua dhe nga disa agjensi lajmesh të huaja mjaft prestigjioze, si një nga operacionet më të suksesshme që ishte ndërmarrë ndonjë herë nga policia kundër kultivuesve të bimës narkotike kanabis sativa. Maratona e gjatë e proceseve me fermerëve të shkrelët dhe përfaqësuesve ligjorë të Ministrisë së Rendit ka përfunduar tashmë me dëmshpërblimin e katër personave të burgosur si dhe zhdëmtimin e fermerëve të cilët u akuzuan si kultivues të bimëve narkotike.

Projekti

Shoqata e fermerëve të Shkrelit në bashkëpunim me shoqatën angleze "Partneritet për Zhvillim" kanë hapur në Koplik një qendër biznesi. Qëllimi i saj ishte zbatimi i projektit për kultivimin e bimës së kërpit industrial si dhe përpunimin e nënprodukteve të tij. Në ceremoninë ehapjes kanë marrë pjesë deputeti Pjetër Arbnori si dhe përfaqësuesit e shoqatës angleze Majk Frojdenberg, Majk Tejlor e Krist Bedford. Prodhimet e nënprodukteve të kërpit sipas projektit do të përpunoheshin sipas teknologjisë angleze dhe ishin ekspozuar prodhime tekstile, kozmetike e ushqimore. Specialistët anglezë, përveç kërpit industrial, kanë treguar interes dhe për kultivimin e bimëve të tjera industriale në këtë zone si sherebeli, çaji i malit, patate dimri etj. Kërpi industrial është kultivuar në Angli qysh në Mesjetë dhe në vitin 1940 është ndërprerë kultivimi i tij në mënyrë masive. Në fillimin e viteve '90, britanikët i janë rikthyer serish kultivimit të bimës industriale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›