E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet tradita e gurit në Berat

Rrugicat/ Lagjet më të vjetra të qytetit po i nënshtrohen restaurimit me kalldrëm

BERAT- Rikthehet tradita e gurit në qytetin e një mbi një dritareve. Rrugicat e kalldrëmta të qytetit të Beratit po i nënshtrohen restaurimit në të gjitha lagjet. Prej disa ditësh punonjësit e Degës së Monumenteve të Kulturës janë vendosur në lagjet “10 korriku”, “Mangalem” dhe “Kala”, ku po punojnë për restaurimin e gurit të bardhë. Burime nga Dega Rajonale e Monumenteve të Kulturës bënë të ditur se me një fond të akorduar nga kjo degë është bërë e mundur nisja nga puna për restaurimin e rrugicave të kalldrëmta. Të njëjtat burime shprehen se fondi i dhënë për punën në lagjen-simbol të këtij qyteti, do të bëjë të mundur ndryshimin e pamjes së rrugëve dhe rrugicave kryesore, pasi këto të fundit po shkonin drejt shkatërrimit total.Specialistët shprehen optimistë lidhur me ecurinë e punimeve dhe thonë se do të eliminohen të gjithë gurët e vjetër e të zinj dhe do të zëvendësohen me gurë të bardhë, duke bërë kanalizimet dhe sistemimin e gurëve në mënyrë të rregullt. Ngapuna e deritanishme është bërë e mundur restaurimi i lagjeve “10 korriku”, “Mangalem” e “Kala”, por në ditët në vijim do të mundësohet riparimi i të gjitha rrugicave problematike të kalldrëmta. Gjrndja e tyre gjatë viteve të fundit linte shumë për të dëshiruar, pasi në shumë pjesë gurët e rrugicave kishin lëvizur duke krijuar boshllëqe dhe kanalizimet kishin pësuar çarje. Restaurimi pritet t’u ofrojë vizitorëve të huaj dhe vendas pamjet më të bukura të lagjeve të lashta të këtij qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›