E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça, frikë nga i panjohuri “Lahti”



Dinamo ka si kundërshtar në Ligën e Euripës finlandezët e FC Lahti. Trajneri i bluve: “Më mirë do të ishte të na kishte rënë Nova Gorica”

Vllaznia e Dinamo, dy skuadrat shqiptare që marrin pjesë në turin e parë eliminator në Ligën e Europës, do të përballen me dy klube të Europës veriore, përkatësisht Sligo Rovers të Irlandës dhe FC Lahti të Finlandës. Flamurtari, fituesi i Kupës së Shqipërisë, nga ana e tij në turin e dytë kualifikues po të Ligës së Europës, do të përballet me fituesin e çiftit me numër 17 në turin e parë kualifikues Motheruell (Skoci)/Llanelli (Uells). Ku ishte verdikit i shortit inaugurues të kompeticionit më të ri ndërkombëtar të UEFA-s, të zhvilluar në Nion të Zvicrës, e të udhëhequr nga vetë presidenti i qeverisë së futbollit evropian, francezi Mishel Platini. Shorti i turit të tretë kualifikues do të hidhet, më 17 korrik (13:30). Finalja e Ligës së Europës do të luhet në stadiumin “Arena Hamburg” në Hamburg të Gjermanisë, më 12 maj 2010.
DINAMO
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, një teknik me eksperiencë në arenën ndërkombëtare si ish-lojtar por edhe si drejtues skuadre, nuk e fshehu aspak merakun e tij ndaj një skuadre tërësisht të panjohur si ajo finlandeze, FC Lahti, që pa dyshim luan një futboll me karakteristika të ndryshme me ato ballkanike, me të cilat janë mësuar skuadrat shqiptare gjatë viteve të fundit. “Nuk e doja këtë skuadër, pasi e njoh shumë pak. Më mirë do të ishte të na kishte rënë sllovenia Nova Gorica”, - u shpreh Muça për mediat sportive. Në ndeshjen e fundit në Europë, Dinamo humbi në turin e parë të turit të parë të Ligës së Kampioneve kundër Modricës 2-0 (gola të Miljkoviç në të 65’ dhe Stokiç në të 80’). Në takimin e kthimit blutë shqiptarë humbën sërish 2-1 (gol i Daniel Xhafës për Dinamon). Nga gjashtë barazimet e arritur nga Dinamo në aktivitetet europiane, pesë prej tyre janë mbyllur me rezultatin 0-0, ndërsa një në barazimin 1-1, Dinamo-Austria Vjenë, Kupa e Fituesve të Kupave, 1971-1972. Barazimi i fundit është ai i arritur në turin e parë eliminator të edicionit 2002-2003 të Ligës së Kampioneve: Dinamo - FBK Kaunas (0-0). Nëse do të kualifikohet për në turin e dytë, Dinamo do të përballet me Nova Gorican, një kundërshtar i njohur në Shqipëri pasi sllovenët janë ndeshur më parë me Tiranën e Teutën.

Tre kualifikimet e Dinamos në turin e dytë

Dinamo ka mundur të kalojë në turin e dytë të një kompeticioni evropian vetëm tre herë.

1 - Në sezonin 1985-1986, Dinamo eliminoi në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, Hamrun Spartans (1-0, 0-0), ndërkohë që u eliminua nga Sportingu në turin e dytë (0-0, 0-1).

2 - Kualifikimi i dytë i Dinamos është ai sezonit 1989-1990 në Ligën e Kampioneve. Dinamo eliminoi në turin e parë Chernomorets Burgas (4-0, 1-3), ndërsa u eliminua në turin e dytë nga Dinamo e Bukureshtit: fitoi në Tiranë 1-0 dhe humbi në Bukuresht, 2-0.

3 - Në ballafaqimin për Ligën e Kampioneve, atë në sezonin 2002-2003, Dinamon arriti të eliminojë në turin e parë lituanezët e FBK Kaunas. Fitoi në transfertë 3-2 dhe barazoi në Tiranë 0-0. Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondbi e Danimarkës: humbi në Tiranë 4-0 dhe në Danimarkë 1-0.

Të gjitha ndeshjet e Dinamos në Europë

DINAMO
NDESHJET NDËRKOMBËTARE

1971/72 Kupa e Fituesve të Kupave
Turi I: Dinamo - Austria Vjenë 1-1 0-1

1980/81 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Ajaks 0-2 0-1

1981/82 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo – K.Zeis Jena 1-0 0-4

1982/83 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Aberdin 0-0 0-1

1985/86 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo - Hamrun 1-0 0-0
Turi II: Dinamo – Sporting 0-0 0-1

1986/87 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Beshiktash 0-1 0-2

1989/90 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Chernomorets 4-0 1-3
Turi II: Dinamo - Dinamo Bukur. 1-0 0-2

1990/91 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Olimpik Marsejë 0-0 1-5

2001/02 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo - Dinamo Bukuresht 1-3 0-1

2002/03 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - FBK Kaunas 0-0 3-2
Turi II: Dinamo - Brondbi 0-4 0-1

2003/04 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo - Lokeren 0-4 1-3

2004/05 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo - Oþelul Galaþi 1-4 0-4

2005 Kupa Intertoto
Turi I: Dinamo - NK Varteks 2-1 1-4

2006/2007 Kupa UEFA
Turi I: Dinamo - CSKA Sofia 0-1 1-4

2008/2009 Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo - Modrica 0-2 1-2

Bilanci: 34 ndeshje; 4 fitore, 6 barazime, 25 humbje. Golaverazhi 21-65.

Shala paralajmëron Lahjtin:
“Në Tiranë, shumë e vështirë”

Klubi finlandez, FC Lahti, në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të klubit, iu referua deklarimeve të lojtarit të tij, kosovarit Drilon Shala, në lidhje me ndeshjen kundër Dinamos. Sulmuesi 22-vjeçar kosovar shprehet shumë i entuziazmuar në lidhje me aventurën kundër Dinamos, por dhe faktit se takimin në Tiranë mund ta ndjekin shumë të afërm të tij nga Kosova. “Të afërmit e mi do ta ndjekin sigurisht ndeshjen. Shqiptarët janë tifozë shumë fanatikë. Nuk do të jetë një ndeshjen e lehtë”, - është shprehur Shala. Më parë me Lahtin ka luajtur edhe Njazi Kuqi, i cili sot aktivizohet te Koblenz në Bundesligën 2 gjermane. Lahti është një skuadër e përbërë kryesisht me lojtarë finlandezë, por në gjirin e tij ka dhe një hungarez (portieri Viktor Szentpéteri), një afrikan nga Guinea (mesfushori Mohamed Fofana ) dhe një brazilian (sulmuesi Rafael). Klubi finlandez vë në dukje se pak lojtarë të tij kanë eksperiencë ndërkombëtare, si Kale Eerolalla, Hakasa, Forfnba. Kampionati finlandez është në zhvillim e sipër dhe pas 10 javëve, Lahti ndodhet në vendin e 8-të me 13 pikë (3 fitore, 4 barazime, 3 humbje), por ajo që duhet theksuar është fakti se Lahti nuk fiton prej katër ndeshjesh (3 humbje, 1 barazim). Lahti është një klub relativisht i ri, pasi është themeluar në vitin 1996, por në fakt është “krijim” i një bashkimi të dy klubeve më të vjetra: FC Kuusysi dhe Reipas. Në kampionatin e fundit u rendit në vendin e tretë. Lahti si klub ka zhvilluar 28 ndeshje ndërkombëtare në të gjitha kompeticionet.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›