E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim në familjen natyrale

• Edi Rama

Sot kemi hapur një kapitull të ri në historinë tonë. Jemi ftuar të rikthehemi në familjen tonë natyrale. Populli shqiptar mori një mbështetje historike nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë euroatlantikë, kurse politika shqiptare mori një detyrë të re, që për ne, socialistët e progresistët është një sfidë e re: Të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO në vitin 2009! 
Rruga për të ardhur deri këtu flet vetë për koston që populli shqiptar i ka paguar politikës së vjetër të ndarjes e përçarjes së shqiptarëve për interesat e politikanëve dhe në dëm të interesave të vendit e të njerëzve. Qysh në vitin 1992 Shqipëria u thirr në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, por u deshën jo pak, 16 vjet të tjera, për të ardhur ftesa e shumëpritur, megjithëse qytetarët shqiptarë, socialistë e demokratë, s'janë ndarë kurrë në aspiratën e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Prandaj sot, në çastin e kurorëzimit të një pjese të rëndësishme të misionit të gjeneratës sonë, është dita të jemi krenar për kontributin e Partisë Socialiste, që përmes një politike tërësisht të re për Shqipërinë e përçarë nga politika e vjetër, hapi, udhëhoqi e mundësoi një proces politik, ku interesat strategjikë e themelorë të vendit nuk interferohen e as cenohen nga interesat e llogaritë partiake të ditës.
Sot është dita kur qytetarët, socialistë dhe demokratë, në çdo skaj të Shqipërisë, por edhe kudo ku ndodhen nëpër botë, ndjejnë në sup dorën që mbron Botën e Lirë, dorën që ngrihet për të ndalur të keqen sa herë ajo kërcënon vlerat e demokracisë së vendeve të NATO-s apo paqen e sigurinë e planetit tonë, dorën që politika jonë e vjetër na pengoi ta shtrëngonim kohë më parë.
Por sot është edhe dita për të parë, me sytë tanë, provën shembullore të një politike që flet dhe vepron në emër të qytetarëve, të aspiratave dhe interesave të tyre, dhe për të kuptuar, edhe më mirë, se duhet të jemi çdo ditë e më shumë bartësit e promotorët e nevojës jetike të njerëzve tanë për këtë lloj politike, politika që nuk ndan po bashkon, politika që nuk shan po argumenton, politika që nuk dekurajon e paralizon në emër të së shkuarës, po frymëzon e ndërton në emër të së ardhmes.
Shqipëria duhet të kthehet pa humbur kohë në familjen e saj natyrale dhe ne jemi këtu për të mos humbur më asnjë çast e asnjë shans në jetën e shqiptarëve, të cilët përpara sesa të jenë socialistë a demokratë janë prindër që meritojnë një shtet që mbron familjen e tyre dhe që duan një të ardhme për fëmijët e tyre, janë pensionistë që meritojnë një muzg të qetë pas një jete plot mundime e sakrifica, janë të reja e të rinj që meritojnë një shkollë të mirë për të qenë gati për një jetë plot ambicie e sfida.
Kjo është ora e politikës së bashkimit të njerëzve si qytetarë që s'duan të humbin më kohë të çmuar duke qëndruar të ndarë prej mureve e gardheve të politikës së vjetër, kjo është një orë e re për një bashkim të ri përtej të majtës e të djathtës së vjetër, përtej kufijve që partitë kanë vënë mes politikës e njerëzve, përtej paragjykimeve të së shkuarës që për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë na kanë penguar ta shohim njëri-tjetrin si bashkëqytetarë që, së bashku, mund t'i bëjmë të mundura ëndrrat e dëshirat që politika e vjetër na i ka ndaluar. 
Kjo është ora e qytetarëve që politikën e shohin si pasion për të ndryshuar e jo si zanat për të fituar, që Shqipërinë e duan si atdheun e fëmijëve të tyre e nuk duan ta lenë plaçkë në pazarin e politikanëve, që qytetin e fshatin ku jetojnë dëshirojnë ta nxjerrin nga kthetrat e varfërisë, papunësisë, injorancës, dhunës e korrupsionit.
Kjo është ora jonë dhe ne e kemi pranuar sfidën e madhe të emancipimit të politikës shqiptare me një atdhetarizëm të ri përmes një politike të re qytetarësh e energjish pozitive, të bindur se përtej të majtës e të djathtës, matanë skenës së vogël ku luhet, në parcelat e ndara mes dhjetëra partish, shfaqja bajate e llogarive partiake dhe e mërive ndërpartiake, është vetë Shqipëria, rruga e saj e integrimit në NATO dhe në Evropën e zhvillimit e mirëqenies.
Kjo rrugë kalon padyshim nga zgjedhjet absolutisht të lira e të ndershme dhe nga reforma e domosdoshme për t'ua mundësuar, më në fund, votuesve shqiptarë të drejtën të zgjedhin lirisht e ndershmërisht atë që duan - e të mos u ndodhin më tërë ato pabesira që kanë deformuar vullnetin e popullit Sovran dhe i kanë neveritur njerëzit me përfundimet zhgënjyese të cirqeve elektorale. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë më deformimin e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë dhe të bëjmë deri në fund detyrën tonë për ta kryer në kohë e me cilësinë e duhur Reformën Zgjedhore. Tragjedia e 15 marsit nuk e ka ndryshuar, po e ka forcuar edhe më shumë këtë prioritet, pasi të tilla tragjedi janë, në themelin e tyre, pjella të një sistemi të kalbur politik që rrit, prej 17 vjetësh, deformimet e rënda në zgjedhje e, për pasojë edhe në qeverisje, duke bërë që pas çdo procesi zgjedhor shqiptarët të bien nga shiu në breshër. Bash ashtu siç ranë pas 3 korrikut, kur me një votë antikorrupsion u gjendën nën një qeveri e një kryeministër, që kanë mbyllur rrugën e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe kanë zgjeruar me korsi të shpejtësisë së lartë rrugën e korrupsionit.
Interesi i Shqipërisë e i qytetarëve shqiptarë është reformimi rrënjësor i këtij sistemi përfaqësimi dhe i gjithë infrastrukturës zgjedhore. Ne do ta përfaqësojmë këtë interes me përkushtim e vendosmëri dhe do të kërkojmë nga pala tjetër të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, sepse jemi të bindur që sa më të lira e të ndershme të jenë zgjedhjet, aq më spektakolare do të jetë fitorja jonë dhe, sa më i garantuar të jetë vullneti i popullit Sovran nga tradita e mbrapshtë e deformimeve të votës, aq më e qëndrueshme e cilësore do të jetë qeverisja jonë e aq më të mbrojtur nga rreziqet e sotme do të jenë qytetarët tanë.
Sot është pa asnjë dyshim një orë e mirë në historinë tonë që, në të shkuarën, na ndau mizorisht me familjen tonë natyrale të popujve me të cilët luftuam, krah për krah, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo luftë mbetet faqja jonë e ndritur e shekullit të XX që na bën të ndjehemi gjithnjë krenarë për veteranët tanë, të cilëve u përulemi me respekt në këtë orë të mirë. Faqet e tjera, deri në orën e lirisë së dhjetorit '90, janë të errëta e të dhimbshme, plot gjak e lot, martirë, viktima të pafajshme e me një histori dramatike mundi të pashpërblyer të një populli të tërë, që për 45 vjet me radhë bëri kokulur një punë kolosale skllevërish në të gjithë Shqipërinë. 17 vjet pas rënies së regjimit komunist populli ynë ka sot të drejtën legjitime t'i gëzohet një ore të mirë, të cilën në atë dhjetor të largët të gjithë e prisnim të na vinte më shpejt.
Por sot ne mund t'i gëzohemi së bashku kësaj ore të mirë dhe të shpresojmë një të ardhme ku jeta e çdo shqiptareje e shqiptari do të jetë një jetë e mirë, e mbrojtur prej rreziqeve që na kanosen sot të gjithëve prej mungesës së shtetit dhe e mbushur me shanse e mundësi për të realizuar ëndrra, dëshira, ambicie të natyrshme që sot mbeten në tentativë për shumicën dërrmuese mes nesh prej një politike të vjetër, që për 17 vjet me radhë i është bërë pengesë zhvillimit të demokracisë, lirisë individuale e barazisë para ligjit.   
Por për politikën e qytetarëve, një orë e mirë si kjo, është ora më e mirë për t'u gëzuar së bashku për të sotmen dhe për t'u mbledhur së bashku për të ardhmen. Duke manifestuar kënaqësinë tonë të veçantë për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe shqetësimin tonë legjitim për të nesërmen e kompromentuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që është bërë palca e qeverisjes së sotme.  
Ne u jemi thellësisht mirënjohës miqve tanë të mëdhenj për dorën e partneritetit që i shtrinë dje Shqipërisë e popullit shqiptar, po jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për dorën e korrupsionit që sot qeveris Shqipërinë, duke bërë që qytetarët e saj, socialistë e demokratë, të vuajnë po njësoj mungesën e punës e të rrugës, mungesën e dritave e të ujit, mungesën e librave e të shpresës për fëmijët e tyre. Dhe mbi të gjitha mungesën e sigurisë së jetës.
Ne jemi sot me sytë e mendjes në rrugën e historisë që dje kaloi në një stacion të shumëpritur prej një populli të tërë, por sytë e zemrës s'mund t'i mbyllim në këtë orë të mirë përpara prindërve të shkretuar të 6-vjeçarit nga Gërdeci, që s'mundet t'i hapi më sytë kur e ëma dhe i ati ta thërrasin të zgjohet, apo përpara 4 fëmijëve jetimë - më i madhi vajza 14 vjeçe - të minatorit që nuk do ta shohin dot më të kthehet në shtëpi të atin e tyre fatkeq.
S'mund t'i mbyllim dot jo në këtë orë të mirë, sytë e zemrës mbi Shqipërinë e sotme të jetëve të humbura në punë, në rrugë, në festë, sepse vetëm duke parë të ardhmen me sytë e mendjes e të sotmen me sytë e zemrës, do të shohim fare qartë se mes nesh dhe së ardhmes që dëshirojmë për fëmijët tanë, qëndron politika e vjetër e së shkuarës dhe një kryeministër, i cili do t'i kishte dhënë dinjitet qeverisë së shqiptarëve në këtë moment historik për të gjithë ata, duke u larguar pas dështimit shpërthyes të qeverisjes së tij pikërisht në emër të standardeve të reja politike e morale që meriton sot Shqipëria e populli i saj.
Problemi me të cilin përballemi sot është vendosja e drejtësisë në vend dhe rinisja e jetës normale për çdo familje e njeri të dëmtuar, puna jonë është përcjellja në çdo qytet e fshat, në çdo lagje e në çdo derë, e mesazhit të bashkimit të ri për të mbyllur kapitullin e politikës së vjetër të së shkuarës dhe për të hapur rrugën e re të së ardhmes përmes një politike që ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar e zemër për të ndjerë hallet, problemet dhe dëshirat e njerëzve, mjeti për të bërë realitet Shqipërinë evropiane duke e ndërtuar Evropën në qytetet e fshatrat tona, në çerdhet, kopshtet, shkollat e spitalet tona, në shtëpitë ku asnjë prind s'duhet të dridhet nga ankthi se nuk i dhuron dot fëmijës një dhuratë për ditëlindje, është fitorja jonë!
Ne do të fitojmë edhe për ata që s'e arritën dot këtë orë të mirë.
Ne do të fitojmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që e ardhmja të bëhet jeta e tyre.
Ne do të fitojmë për të gjitha të rejat e të rinjtë e Shqipërisë, në qytet e në fshat, që të mos marrin arratinë nga vendlindja e nga toka e prindërve, po të shkollohen prej vërteti e të ndërtojnë një jetë të denjë duke dhënë kontribute të çmuara e duke marrë prej tokës prodhimet që sot i blejmë të tëra deri prapa diellit.
Ne do të fitojmë për të gjithë prindërit e Shqipërisë, që në këtë orë të mirë që po ngryset shohin me shqetësim jetën normale që nesër rifillon nga çmimet e rritura, nga faturat e rënda të energjisë e të ilaçeve, nga radha e gjatë e të papunëve, nga toka që nuk mbillet e nuk vaditet dot, nga mungesa e shpresës që rëndon mbi mëngjeset e tyre.
Ftesa për anëtarësim në NATO nuk është fundi, po fillimi i një kapitulli të ri marrëdhëniesh e detyrimesh për t'u plotësuar përpara pranimit të Shqipërisë, si e barabartë mes të barabartëve, në tryezën e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe Shqipëria, të gjithë ne, do të gjykohemi jo mbi ato që themi e do të themi, por mbi ato që bëjmë e do të bëjmë.
Pikërisht sepse qoftë në opozitë e qoftë në qeverisje, do të bëjmë çdo gjë që themi dhe, sepse ne jemi gati ta mbajmë këtë përgjegjësi historike, vitin e ardhshëm Shqipëria do të anëtarësohet në NATO, do të qeveriset nga ne dhe do të ndihet e sigurt në punë, në rrugë, në festë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›