E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Berisha në drekë me Bush

• Vila rezidenciale në Drekrizhje të Kroacisë ka shërbyer për të mbledhur në një tryezë të përbashkët krerët e shtetit shqiptar, Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, në një tryezë me presidentin e SHBA-së, Xhorxh W. BUSH.

BLEDAR HOTI

Ky takim ishte organizuar nga presidenti amerikan për të festuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë. Të pranishëm në këtë drekë përveç autoriteteve të larta kroate ishin ftuar delegacioni i Republikës së Maqedonisë i kryesuar nga Presidenti Branko Cervenkovski dhe Kryeministri, Nikola Gruevski.
Fillimisht presidenti amerikan mbajti fjalimin e tij përpara sheshit kryesor dhe më antik të Kroacisë, përpara Katredales së Gurtë, përpara dhjetëra dhe qindra qytetarëve kroatë. Presidenti Topi pati një takim me Presidentin Bush në selinë e qeverisë kroate dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Kryeministri kroat Sanader me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO të Kroacisë.
Dreka
Bush pas takimeve zyrtare mblodhi në vilën rezidencial në Drekrizhje të gjithë krerët e shtetit të Kartës së Adriatikut, edhe pse nuk kishin marrë ftesën për NATO në këtë takim ishin dhe Presidenti e Kryeministri i Maqedonisë. Gjatë kësaj dreke u diskutua gjerësisht për zhvillimet rajonale, për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve. Gjithashtu biseda u fokusua edhe në përgjegjësitë që rrjedhin nga ftesa për anëtarësim në NATO, për të pasur si rezultante të shpejtë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Dreka e shtruar u hap me fjalën përshëndetëse të Presidentit të SHBA-së, në të cilën ai u uroi mirëseardhjen delegacioneve të larta të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut dhe përgëzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për marrjen e ftesës së anëtarësimin në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit.  Presidenti Topi në fjalën e tij përshëndetëse shprehu besimin se, "qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës, si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona". Kreu i shtetit garantoi për realizimin e reforma në marrjen e plotë anëtarësimit. "Shqipëria do të mbetet partner edhe në politikat e sigurisë dhe të progresit që SHBA do të ndërmarrin në rajonin tonë edhe në planin global", deklaroi Topi. Ndërsa kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë Presidentit Bush për kontributin përcaktues të SHBA, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për zhvillimet në Ballkan. Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare, për të proceduar me reformat e nevojshme për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësimin.
Premtimi i Bush
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka premtuar se do të mbrojë tre vendet e Ballkanit në rast kërcënimi. "Nëse kërcënohen popujt tuaj Amerikan dhe Aleanca do t'ju gjenden pranë dhe askush nuk mund t'ju heqin lirinë. Ka nga ata që mendojnë se ndoshta ishin më mirë në Tiraninë e tyre të vjetër, liria është e vetmja rrugë drejt begatisë dhe paqes", deklaroi Bush. Presidenti amerikan i ftoi vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë të vijojnë procesin e modernizimit të forcave të tyre ushtarake.

Fotografitë
Delegacionet e tre vendeve kanë shfrytëzuar momentin për të bërë foto familjare me Presidentin amerikan Xhorxh Bush. Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga Kryeministri Berisha, Presidenti Topi, ministri i Jashtëm, Basha, ministri i Mbrojtjes, Oketa. Të gjithë zyrtarët e lartë kanë pasur mundësinë të bëjnë së bashku me Presidentin Bush fotografi familjare pas drekës së punës. Në foto gjithashtu kanë pozuar me Presidentin Bush dhe drejtuesit e tjerë të delegacionit shqiptar, duke dalë në një
foto të plotë.
Dreka
Në tavolinën e drekës, Presidenti Bush ka qenë i ulur në krah të autoriteteve kroate Mesiç dhe Kryeministrit Satander, së bashku me zyrtarët e tjerë amerikanë. Përballë presidentit kanë qenë të ulur Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha. Në krah të Topit kanë qenë të ulur homologu i tij, Cërnekovski dhe Kryeministri maqedonas Gruevksi. Ndërsa në krah të Berishës, ishin ulur ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ky delegacion ishte dhe në Samitin e Bukureshtit.

Festimi
Delegacioni shqiptar ka mbërritur mbrëmë në ora 23:00 në aeroportin e Rinasit. Edhe pse në orët e vona, delegacioni shqiptar është pritur në një festë të vërtetë. Në aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit, u zhvillua ceremonia festive në pritjen delegacionit të lartë, i cili përfaqësoi vendin tonë në këtë ngjarje me përmasa historike për vendin tonë. Në Samitin e Bukureshtit ishin dhe dy krerët e grupeve parlamentare PS dhe PD, Leskaj dhe Patozi, por ata nuk ishin dje në Zagreb të Kroacisë.

Thirrja për Shqipërinë dhe Kroacinë
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejtë lirisë, begatisë dhe paqes. Ftesa për t'u anëtarësuar në NATO, tha ai, tregon besimin e aleancës se këto vende do të vazhdojnë reformat e nevojshme dhe do të bëhen kontribues të fuqishëm të misionit të NATO-s, për mbrojtje të përbashkët. Ai shtoi se "trupa ushtarake nga Shqipëria dhe Maqedonia shërbejnë edhe në Irak dhe në Afganistan".

Keqardhja për Maqedoninë
Presidenti amerikan Bush shprehu keqardhjen për mospranimin e Maqedonisë në NATO. "Më vjen keq që Maqedonia nuk mori ftesën për anëtarësim në NATO. Qëndrimi amerikan është i qartë se, ky vend patjetër do të marrë ftesën për anëtarësim sa më shpejt që është e mundur. NATO ka për qëllim që të bashkojë vendet në rajon", deklaroi Bush. Ndërsa nxiti negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ai është presidenti i tretë që ka qenë për vizitë në Kroaci, në vitin 1996 Klinton, ndërsa në vitin 1970, Niksoni.

Vizita në Rusi
Pas takimit në Kroaci, Presidenti amerikan i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Laura Bush, rreth orës 14:00 udhëtoi në drejtim të pikës turistike Soçi në Detin e Zi, për t'u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin. Ky do të jetë takimi i tyre i fundit zyrtar, pasi Putin përfundon mandatin e presidentit, ndërsa edhe presidenti amerikan është në prag të përfundimit të mandatit presidencial. Bush dhe Putin pritet të diskutojnë për planin antiraketave, por analistët janë pesimistë për arritjen e paktit.

Protestat anti Bush
Por jo gjithçka i ka shkuar mirë Presidentit amerikan Bush. Një pjesë e vogël e kroatëve kanë protestuar ndaj vizitës së tij në Zagreb. Ata mbanin pankarta në duar duke protestuar kundër luftës që SHBA-ja në Irak dhe në Afganistan. Por, protestuesit janë përqendruar larg sheshit “Shën Marku”, ku Bush mbante fjalimin para popullit kroat. Ndërsa muaj më parë, më 10 qershor të 2007, presidenti Bush bëri një vizitë në Shqipëri, ku u prit si një hero nga populli shqiptar, veçanërisht në zonën e Fushë-Krujës.

PDS Sekretari Politik i
PDS-së, Artur Duçkallari, kërkoi nga Partia Socialiste të ketë një qëndrim konstant ndaj qeverisë. "Të zgjedhësh nga njëra anë të bësh pakte me Berishën për reformat më të rëndësishme që duhet të ndërmarrë sot Shqipëria dhe njëherazi të organizosh protesta kundër tij, është si të thuash: 'Bëni si them unë e mos bëni si bëj unë', por mbi të gjitha është mungesë sinqeriteti me partnerët e tu opozitarë dhe elektoratin e majtë të cilin përfaqëson", tha Duçkallari.

Basescu: Ju tregoj Rumaninë time

Nga i dërguari ynë në Bukuresht, Aristir Lumezi

Zonja e Parë e Rumanisë, Maria Basescu, nuk i ka lënë mikeshat e saj të mërziten, ndërkohë që bashkëshortët e tyre, presidentë të vendeve të NATO-s vazhdonin samitin. Pasi kanë ngrenë një mëngjes të përbashkët, të gjitha bashkë, kanë vizituar muzeun kombëtar të Bukureshtit, në të cilin zonja Basescu ka dashur t'i tregojë vendin e saj dhe të krenohet me trashëgiminë e Rumanisë. Në këtë axhendë, edhe zonjat Topi dhe Berisha, nën shoqërinë e zonjave të para më të fuqishme të botës, kanë shkëmbyer përvojat e vendeve të tyre, edhe pse me disa prej zonjave ishin takuar edhe më parë. Vetëm pak muaj më parë, zonja Berisha ka qenë nën shoqërinë e Laura Bush gjatë vizitës që Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush zhvilloi qershorin e kaluar në Tiranë. Por edhe pse ishin masa mjaft të rrepta sigurie që të shmangej çdo lloj incidenti, nuk ka qenë e mundur të shmanget gjithçka. Një i ri 25-vjeçar është dënuar nga policia me gjobë prej rreth 160 euro. Kur ka kaluar autokolona e makinave që shoqëronin Zonjën e Parë të Shtëpisë së Bardhë, në një prej bulevardeve kryesorë të Bukureshtit, ka bërë gjeste të pahijshme, duke treguar gishtin e mesit. Ky gjest i vënë re nga forcat e rendit, kanë shoqëruar të riun në komisariatin më të afërt të policisë dhe e kanë dënuar atë me shumën e 160 eurove për "Gjeste të pahijshme në publik". Samiti i Bukureshtit, i cili zhvilloi punimet prej 2-4 prill, është cilësuar jo vetëm si samiti më i shtrenjtë, por nga ana tjetër si samiti që pati edhe organizimin më të mirë. Për vetë rëndësinë që kishte dhe vendimeve që do të merreshin, Samiti i Bukureshtit pati mbulimin më të madh mediatik në historinë e NATO-s, i cili ka patur dhjetëra orë transmetime live, por dhe intervista direkte të politikanëve dhe ekspertëve të NATO-s në ambiente të përshtatura për këtë qëllim me sfond "Pallatin e Popullit" të ndërtuar nga diktatori i fundit i Evropës Lindore. Por ky samit, falë dhe godinës ku u zhvillua, i ofroi mediave kushtet optimale për përmbushjen e misionit të saj, duke informuar në të katër anët e globit. Por siguria do të mbetet pika më e fortë e të zotërve të shtëpisë. Çdo masë e marrë për të garantuar një vijueshmëri të samitit, ishte e studiuar deri në detaj, ndërsa pjesëmarrësit në të, si politikanët, ekspertët, por dhe mediat, kishin çdo shërbim të siguruar që nga mjeti me të cilin lëvizte e deri te siguria në hotele, ku skuadra të specializuara policie dhe mjekësore qëndronin në gatishmëri.

Ceka
Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, e konsideroi falsitet protestën e Partisë Socialiste ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Berisha. Sipas tij, PS-ja nuk duhet të ketë dy standarde. "Nga njëra anë kryetari i PS-së, Edi Rama ulet dhe bën pakte bashkëpunimi me Sali Berishën dhe nga ana tjetër kërkon nga qytetarët të dalin në shesh për të kërkuar largimin e tij", tha Ceka. Në këtë mënyrë kreu i PAD-së ka motivuar mungesën e tij në sheshin "Skënderbej" ditën e premte në mitingun e opozitës.

Gjinushi
Kreu i PSD-së nga Korça tha dje se "shqiptarët nuk e meritojnë të qeverisen nga kjo qeveri, nuk e meritonin që ftesën për në NATO ta merrnin si lypsarë dhe jo me dinjitet, ta merrnin me reforma të kryera dhe jo me riangazhimin që tani që do hyjmë në NATO do fillojmë reformat". Sipas tij, PSD nuk bashkëpunon me të keqen, nuk bën pazare, nuk i shet mandatet dhe nuk tradhton interesat e të majtës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›