Baleti në akull i opozitës
• Skënder Minxhozi
Ai që priste gjatë mitingut të fundit të opozitës, që të dëgjojë nga goja e Edi Ramës vazhdimin e betejës opozitare për të larguar Sali Berishën nga qeveria, mund të ketë mbetur i zhgënjyer. Madje më tepër se kaq. Megjithëse mes rreshtave dhe e kamufluar në terminologjinë e njohur figurative të kreut të PS, ideja se tashmë PS do t'i rikthehej gradualisht idesë së vijimit të reformave elektorale dhe asaj në drejtësi, të lëna përgjysmë pas shpërthimit të Gërdecit, dukej mjaft e qartë. Rama e tha hapur se opozita duhet të kalojë nëpër tunelin e negociatave që çojnë drejt modifikimit të sistemit zgjedhor, nëse kërkon realisht që të kthehet në pushtet. Një qëndrim i pritshëm dhe mesa duket i kushtëzuar nga disa faktorë.
Së pari, po shihet qartë se maxhoranca ia doli t'i hipë avionit për në Bukuresht, duke sakrifikuar rrugës vetëm një anëtar të kabinetit qeveritar. Dorëheqja e Mediut dhe rezistenca e kryeministrit përballë kërkesave të opozitës dhe të opinionit publik për dorëheqje, bënë që 4 prilli, dita e marrjes së ftesës për në NATO, ta gjente në këmbë qeverinë. Dhe siç ndodh rëndom në raste të ngjashme, një lajm i mirë u përdor për të bërë që të harrohet disi lajmi i keq i mëparshëm. Gërmadhat e Gërdecit u mbuluan vetëm pjesërisht me flamurin e NATO-s, ama u mbuluan gjithsesi. Në këtë mënyrë, pyetjes se a duhet mbajtur një qeveri që hedh në erë popullin e saj, i pasoi pyetja tjetër, nëse duhet hequr një qeveri që e futi Shqipërinë në NATO. Cinike, por e vërtetë, për të gjithë ata, përfshirë edhe opozitën, që do të donin ta çonin në shtëpi Berishën një vit para zgjedhjeve.
Së dyti, qëndrimi zbutës i PS dhe Ramës duket se motivohet nga faktorë të qartë kalendarikë. Kush e kujton sesi në vigjilje të formimit të qeverisë së tij më 2005, zoti Berisha deklaronte se do të merrej urgjent me reformën zgjedhore, ka rastin të konstatojë sot se qeveria shqiptare nuk ka realizuar asnjë centimetër progres në krijimin e infrastrukturës dhe të kuadrit ligjor të përshtatshëm për zgjedhje të lira dhe të pakontestueshme. Karakatina elektorale e vitit 2005 vijon të mbetet formalisht në fuqi edhe në vitin 2008, ndërkohë që as regjistri kombëtar i zgjedhësve, as kartat e identitetit nuk janë kthyer ende në realitet. Përballë kësaj situate, si dhe duke njohur frikën patologjike që e majta ka përballë Berishës kur është fjala për administrimin e votës, nxitimi i PS për të shkruar rregullat dhe zgjedhjeve duket i arsyeshëm. Takimi elektoral i vitit merr, edhe në optikën e asaj që ndodhi në Gërdec, një rëndësi të dorës së parë për të majtën, duke parë se shanset për rikthim në pushtet janë, në kushtet e reja të krijuara, mjaft reale dhe të mëdha.
Por deri në atë moment ka shumë rrugë përpara dhe gjithçka duket se do të kalojë nga mënyra sesi do të përgatitet dhe hidhet në letër sistemi zgjedhor dhe pjesa tjetër e arkitekturës elektorale. Deri tani Edi Rama ka shëtitur një pjesë të mirë të territorit të vendit, duke i dhënë formë kësisoj një fushate elektorale të padeklaruar. Ky investim perspektiv mund të dëmtohej rëndë, nëse vota e mbledhur derë më derë këto muaj, administrohet në mënyrë defektoze në verën e vitit të ardhshëm.
Ka shumë mundësi që këto të jenë dy arsyet qendrore që motivojnë ndryshimin e kursit politik të opozitës më të madhe, nga protestat e rrugës dhe kërkesa për dorëheqjen e Berishës, drejt një sjelljeje më të moderuar që do ta ulë PS-në edhe një herë në tryezën e reformave. E këtu duket se ka ende rreziqe të fshehura nën cipën e hollë të bashkëpunimit që u vu re mes partive të majta me rastin e Gërdecit.
Ramës i duhet ta shpjegojë sa më qartë që të jetë e mundur arsyen, apo më mirë arsyet e këtij rikthimi në tryezë me kundërshtarin. Sepse nëse nuk e bën këtë, ai mund të përballet me opozitën e mbetur jashtë kësaj skeme, pra me LSI, PAD e PDS, të cilat mund të vijojnë fare mirë e në mënyrë komode linjën aktuale të ashpër kundër maxhorancës, duke i shtuar me dredhi luftës së tyre, sulmin paralel ndaj PS-së, për shkak të "pazareve që po bën me Berishën për zgjedhjet".
Brenda një harku kohor të shkurtër, jeta jonë politike ka ndryshuar disa "gjendje", tamam si uji, i cili nga avulli kthehet në gjendje të lëngët apo edhe të ngurtë. Para 15 marsit, kur ndodhi shpërthimi në Gërdec, të gjithë kujtojmë se sherri ishte i spostuar brenda opozitës dhe lidhej me reformën zgjedhore. Tragjedia në dyert e Tiranës bëri që sherrin e Ramës me Metën, ta zëvendësojnë bëmat e Delijorgjit dhe të Devirolit e Mediut. Njëzet ditë pas atij momenti, Shqipëria ka hyrë "de facto" në NATO dhe situata duket sërish e ndryshuar. Të paktën së jashtmi, nga momenti që Berisha ka vendosur t'i verë fre hemorragjisë që u duk se do të përfshinte kabinetin e tij pas Gërdecit. Tani po mendohet sërish për rifillimin e negociatave për reformën zgjedhore.
Ky ndryshim ekstrem situatash përbën një enigmë të madhe kryesisht për PS-në, e cila duhet të justifikojë uljen në tryezën e reformave, duke shkelur në një farë mënyre mbi kërkesën e deritanishme për të larguar Berishën. Ky është baleti në akull që duhet të kërcejë tani e majta shqiptare. Rikthimi në pozitat e para 15 marsit, mund ta fuste sërish në krizë spektrin e majtë, duke risjellë sherrin dhe përplasjet mes opozitarëve. Kësisoj, paradoksalisht dhe në mënyrë të pashpjegueshme për popullin e së majtës, pas 30 tonëve tritol që ranë mbi kokën e qeverisë, me gjithë të vrarët dhe fshatrat e bizneset e rrënuara, situata politike mund të rikthente sërish grindjen masive brenda opozitës, çka do të nënkuptonte një fund definitiv të halleve për zotin Berisha dhe maxhorancën e tij. Sepse ka shumë rrezik që në Shqipëri të grinden edhe një herë më shumë për votat, sesa për skandalet që shpërthejnë në mes të ditës, në mes të Shqipërisë.