Rikthim në kohën e kulakëve!Nga Genc LlakajPrej 20 vjetësh dëgjojmë se jemi një vend që ka hyrë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e kapitalizmit, ku si shtylla kryesore qëndrojnë akumulimi i kapitalit dhe respektimi i drejtave të njeriut. E thënë nd
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rikthim në kohën e kulakëve!Nga Genc LlakajPrej 20 vjetësh dëgjojmë se jemi një vend që ka hyrë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e kapitalizmit, ku si shtylla kryesore qëndrojnë akumulimi i kapitalit dhe respektimi i drejtave të njeriut. E thënë ndryshe, një shoqëri liberale ku shteti është rregullator periferik i marrëdhënieve ekonomike, të paktën sipas pikëpamjeve që nuk reshtin së përsërituri përfaqësuesit e asaj që e quan veten e djathta liberale shqiptare. Por ndërkohë që rrekemi prej kohësh t’i mbushim mendjen vetes e të tjerëve se jemi në rrugë të mbarë, fantazmat e së kaluarës vërtiten në mendjet e ndritura të ligjbërësve e qeveritarëve tanë, që duket se e kanë të vështirë të pajtohen me ca elementë të kësaj shoqërisë demokratike, që i kufizon ata që të ndërhyjnë, kur t’u teket në të drejtat më thelbësore të njeriut. Më lindi ideja e këtij shkrimi pak ditë më parë, kur lexoja se si në disa gazeta propagandohej me të madhe se një ligj i ri, më i egër se i pari, do i shkulte nga rrënjët pasuritë e kriminelëve të këtij vendi. E në pamje të parë duket normale, një qeveri tërësisht e angazhuar në luftën ndaj krimit të organizuar na duhet, se mbase do e heqim ndonjë radhë në ambasadat e Perëndimit. Por nuk dua të paragjykoj qeverinë në iniciativën e vet, pasi jam i bindur se motivet kanë qenë më të mirat. Problemet qëndrojnë tjetërkund, tek ata që nën petkun e specialistit apo të ekspertizës ndërkombëtare, pa marrë parasysh themelet e rendit juridik të këtij vendi, hedhin në letër disa çudira që, nëse do i propozonin në vendin e tyre, jo vetëm që do linin pa mend një mori juristësh e njerëzish me pak mend, por do linçoheshin intelektualisht si të papërgjegjshëm dhe vështirë se do gjenin diku ndonjë dashamirës t’i punësonte. Ndoshta e kaloj masën me këtë vlerësim, por nuk mund të kem reagim tjetër, kur shoh projektligjin e kaluar në qeveri për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. E për ta kuptuar se ç’paçavure është gatuar, mjafton të shikosh vetëm pak nene të ligjit e të kuptosh që në këtë vend po prodhohet një klasë juristësh që vetëm emrin kanë të tillë. Iniciativa ishte goxha e mirë, synonte të rregullonte një problem të krijuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë që nuk lejonte sekuestrimin e konfiskimin e pasurive të rrjedhura nga krimi i organizuar përpara kryerjes së krimit. Ideja e ligjit, sipas modelit italian, ishte e qartë. Për shkak të sofistikimit të organizatave kriminale, shtrirjes së veprimtarisë së tyre në hapësirë dhe në kohë, qëndrueshmërisë së tyre, fuqisë ekonomike gjithmonë e në rritje, këto lloj ligjesh janë të një natyre tejet represive dhe synojnë t’i kundërvihen fenomeneve kriminale mjaft të rrezikshme për stabilitetin e shoqërisë. E pikërisht për këtë shkak kufizohen disa nga liritë e të drejtat që Kushtetuta dhe ligji procedural penal u njeh qytetarëve, pra në mënyrë përjashtimore rregullohen disa marrëdhënie që për një natyrë tjetër veprash penale do ishin tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën. Madje natyra represive shkon deri aty, sa detyron të dyshuarin të provojë se pasuritë i ka prodhuar në mënyrë të ligjshme, duke përmbysur një parim themelor të së drejtës në të ashtuquajturat demokraci liberale, parimin e prezumimit të pafajësisë. Në vendin prej të cilit e huazuam ligjin, ky natyrisht që iu nënshtrua shqyrtimit kushtetues dhe pjesërisht e kaloi klasën. Por atje, të nderuar bashkëqytetarë, ka ende gjyqtarë e intelektualë që kuptojnë se natyrës intruzive të shtetit në marrëdhëniet që krijohen në shoqërinë liberale i duhet vënë fre për mos të lejuar shkarje autoritariste.
Por këtu jo. Kaloi një projektligj pa asnjë debat, sikur të flitej për probleme të rëndomta, ndërkohë që ju them me përgjegjësi të plotë se jemi përpara ligjit më antikushtetues që është prodhuar në këto 20 vite endje drejt Perëndimit të shumëdëshiruar. Dhe po ua shpjegoj thjesht, që ta kuptojë çdo qytetar i këtij vendi se çfarë e pret jo shumë larg prej ditës së sotme. Nëse ti ke një orë të shtrenjtë, nëse ti ke një shtëpi të re, nëse ke dhe një automjet të mirë, mjerë ti. A ju kujtohen kulakët? Do qeshë dikush e do thotë, po ç’po na përrallis ky djali. Por ai mund të jetë një kulak potencial. Sepse ky qytetari që qesh e që disponon ca pasuri, mund të bëhet subjekt i një hetimi serioz nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, madje kjo do ishte disi më serioze, por do jetë pre e lehtë e çdo polici në këtë shtet të dalë boje, i cili, me një të rënë të lapsit, për arsye të thjeshta krejt idiote, i nis një goxha informacion kësaj prokurorisë duke i thënë se filan qytetar vishet pak si shumë mirë e ka një shtëpi që nuk duhet ta kishte. Kaq do mjaftojë e një turmë prokurorësh të zellshëm do t’i turren këtij qytetarit që qesh duke i hetuar edhe brezin e tretë, ose si i themi ndryshe, me kuç e me maç, sa pasuri e katandi kanë, do ua sekuestrojnë e do i çojnë para ca gjyqtarëve hijerëndë që me ato pelerinat e zeza do tromaksin të ziun qytetar duke i kërkuar llogari se si i ka bërë ato pasuri. E mjerë ti o qytetar që qesh se ç’do heqësh. E pse? Sepse ka ca njerëz të papërgjegjshëm që me një të rënë të lapsit, pa u menduar dy herë, vendosën të hetojnë çdo shqiptar që ka një standard jetese të pajustifikuar me të ardhurat që ka. Por do çirret ky qytetari e do justifikohet më kot se nuk është kriminel, se nuk ka bërë kurrë asgjë, se nuk ka lidhje me krimin e organizuar. Eh, i mjeri, ankesat e tij do bien në veshin e shurdhët të ligjit e të zbatuesve të verbër të tij, që do e sqarojnë, me një ton të ashpër, se në Republikën e Bananeve të Shqipërisë mjafton të kesh ca pasuri që nuk i justifikon dot dhe bëhesh në çast kriminel. E ç’rëndësi ka se nuk ke lidhje me krimin, se mund të jesh ndonjë dyqanxhi a ndonjë tregtar që u je fshehur ca herë tatimeve. Shteti shqiptar të dënon, se ke. Këtu është dhe paradoksi i këtij projektligji. Ndërsa në titull dhe në nenin 1 të tij sqaron se qëllimi është të godasë krimin e organizuar, në thelb synon të merret e t’i sekuestrojë çdo qytetari pasuri të pajustifikuara. E të mendosh që në Shqipëri vështirë të ketë ndonjë borgjez të ri që t’i justifikojë pasuritë që ka. Po do thotë ndonjë qytetar i varfër: A ndonjë intelektual që çdo jashtëqitje të pushtetit e quan bereqet? Po mirë, këta që nuk i justifikojnë dot, e kanë një kleçkë, kështu që mirë t’u bëhet.
Dhe unë do i thosha. Po si more zotëri, ku ke parë ndonjë vend të botës të ndodhë ky proces? Ku ke parë që prokuroria të kthehet në organ shpronësimesh e tatimesh? Kur ka ndodhur e njëjta gjë, përveçse me kulakët?
Do më drejtohej ky zotëria që i shkëlqen faqja nga bollëku që i ka sjellë pushteti, se nuk e shpikëm ne këtë ligj, se kështu e ka edhe inglizi, se kështu na ka thënë edhe doktor Adhamudhi, që kur është sëmurë njëri sy, ta krrejmë të shpëtojmë tjetrin. Por nuk mund të jetë kështu, pasi këta pseudo-ekspertët inglizë, e dinë mirë që në vendin e tyre merren me këto raste veç kur këta janë njerëz të përfshirë në aktivitete kriminale, që, pasi i hetojnë e nuk i dënojë dot, ia kalojnë letrat një agjencie shtetërore që kërkon para një gjykate, në një proces civil, ku nuk detyrohet qytetari të provojë patjetër se i ka bërë pasuritë në rrugë të ndershme, por duhet agjencia të paraqesë prova të vërtetojë të kundërtën. Dhe kanë dhe një goxha ligj, nja 350 faqe, kurse ky i yni arrin me zor tek 30.
Është skandaloze, por po ndodh. Qytetarë të Shqipërisë, nesër ju do të jeni subjekte të arbitraritetit të çdo polici, ministri, nëpunësi, prokurori a gjykatësi. Duhet ngritur zëri, duhet një reagim i fortë, nuk mund të jemi konformistë. E këtë thirrje e bën një gazetar që nuk ka ç’të fshehë nga pasuritë e tij, por që mendon se po cenohen themelet e rendit juridik, që ka frikë se turma e verbër e deputetëve do thotë amin, që dyshon fort se do dalë ndonjë gjyqtar kurajoz ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Duhet reaguar sa nuk është vonë. Do të doja të vazhdojë dhe më tej, me gafa të tjera të këtij projekti, probleme thellësisht kushtetuese e që janë shkelje flagrante që vetëm një jurist i paaftë nuk do i konstatonte. Por dua me këtë shkrim të hap një debat publik, ku të rrihen të gjitha mendimet e të trajtohen më thellësisht problemet e ligjit. Ky ligj mund të drejtohet ndaj kujtdo e në çdo kohë. Është koha t’i themi ndal arbitraritetit. Dhe jam i hapur ndaj kujtdo eksperti qeveritar, të dëgjoj argumentet e tij e t’i përgjigjem se e ka gabim. E nuk është turp të reflektohen apo të korrigjohen gabimet, turp është të shkelësh Kushtetutën.