E Diel, 1 Nëntor 2026

Korridori i Tetë dhe marrëveshja detare me Greqinë Nga TemaNëse do perifrazojmë Clausevizin, i cili shkruante se “lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”, duke vazhduar mendimin e tij, nuk është gabim të thuhet se të dyja bashkë bëhen për

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Korridori i Tetë dhe marrëveshja detare me Greqinë Nga Tema

Nëse do perifrazojmë Clausevizin, i cili shkruante se “lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”, duke vazhduar mendimin e tij, nuk është gabim të thuhet se të dyja bashkë bëhen për pará dhe pasuri.

Pasi pësoi dy tragjedi në luftërat e saj botërore dhe në luftëra të panumërta rajonale, Evropa Perëndimore, ajo që ne jemi mësuar të cilësojmë në konceptin tonë politik, e ka racionalizuar mënyrën e veprimit. Dhe kështu sot është më e përshtatshme dhe më pak kosto të fitosh me një veprim spekulativ në bursat financiare sesa në një luftë të tërë.

Gjithashtu e kombinuar me traktate politike dhe marrëveshje ndërshtetërore, ku shtetet e fuqishme i imponohen më të vegjëlve, mund të merren përfitime kolosale.

E tillë është edhe ngjarja e fundit në teatrin provincial shqiptar, ku pala greke, me një lëvizje të thjeshtë diplomatike, duke spekuluar me nevojën e qeverisjes aktuale për njohje të zgjedhjeve të 28 qershorit të shkuar, e detyroi qeverinë të firmoste një marrëveshje, e cila e privon Shqipërinë nga shumë projekte lidhëse me gaz dhe naftësjellësit, autostradat, hekurudhat e linjat e interkoneksionit ballkanik, e më gjerë evropian.

Gjithçka fillon në vitin 1991, ku me dëshirën dhe përkrahjen amerikane, projektohet ndërtimi i Korridorit 8, i cili do lidhte Detin e Zi me Adriatikun. Ky korridor parashikohej të përfshinte ndërtimin, rikonstruktimin dhe zgjerimin e 1.300 km hekurudha dhe 960 km autostrada.

Paralelisht do ndërtohej edhe naftësjellësi me gjatësi 912 km, i sponsorizuar nga shtetet që do përshkonte dhe do ndërtohej nga shoqëria që do krijohej, e titulluar AMBO (Albanian, Macedonian, Bulgarian Oil Corporation).

Kjo arterie do fillonte në portin e Burgasit në Bullgari dhe do përfundonte në portin e Vlorës, me kapacitet transportues 119 mijë metra kub në ditë dhe me kosto ndërtimi 1.5 miliardë euro. Pas kësaj pike mendohej që me tubacione nëndetare ose me tanker të arrinte në jugun e Italisë dhe më gjerë në veri të Adriatikut. Këtë e favorizonte edhe thellësia më e madhe që kishte porti i Vlorës, në krahasim me atë të Aleksandropullosit, që pretendonte pala greke.

I gjithë projekti kalonte në vende, të cilat ishin nën influencën e Shteteve të Bashkuara, dhe njëkohësisht i lidhte këto zona me rrjetet dhe sistemet rrugore dhe energjitike evropiane, duke sjellë bashkë me prosperitetin ekonomik, edhe atë politik, ashtu siç shpresonin edhe amerikanët.

Por ky projekt ishte menduar në një kohë kur Rusia ishte ende e dobët dhe po merrej me problemet e saj të brendshme; linte Greqinë si një apendiks jashtë rrjeteve evropiane dhe peshën e porteve të Pireut në Athinë dhe Selanikut ia kalonte porteve shqiptare; si dhe kishte harruar se sa shumë ndikim kishte Greqia në klasën politike provinciale shqiptare që drejtonte vendin, i cili ishte edhe koka e projektit.

Gjithsesi, fillimet ishin të mbara dhe vendet që përfshiheshin nga projekti i hynë me entuziazëm punës për gjetjen e fondeve. Gjithashtu u krijua Sekretariati i Korridorit 8 me qendër në Bari, pasi edhe italianët ishin të interesuar në zhvillimin e këtij projekti, i cili do ndihmonte në zhvillimin e rajoneve të jugut të Italisë, të cilat vetëm nga hapja e këtyre vendeve të mbyllura deri në ’90 nga Perdja e Hekurt ishin rritur ekonomikisht disa herë më shumë se rajonet e tjera.

Menjëherë Greqia e kuptoi se ky projekt e linte jashtë sistemeve ekonomike të gadishullit dhe në perspektivë i humbiste rolin e liderit politik dhe kanakar ekonomik i Perëndimit në Ballkan.

Propozimi i parë grek ishte që autostrada dhe naftësjellësi të shmangnin Maqedoninë dhe të kalonin në territorin e veriut të Greqisë, me dalje në portin e Vlorës. Kjo u mohua nga amerikanët, të cilët insistonin në projektin e tyre fillestar, por të cilët kishin harruar, me sa duket, vendosmërinë greke dhe aleatët e leqendisur, te të cilët po mbështeteshin.

Megjithatë, në ato fillime, entuziazmi i pjesëmarrësve ishte i madh, por në proporcion të zhdrejtë me fondet, të cilat i kishin të pakta. Ndërsa evropianoperëndimorët nguronin t’i lëvronin, kurse italianët merrnin përsipër vetëm zhvillimin infrastrukturës, e cila do ishte në territorin e tyre dhe do fillonte nga Bari e Brindisi, për t’u bashkuar me infrastrukturën tashmë të zhvilluar të qendrës e veriut të Italisë.

Duke përfituar nga ky impas, grekët filluan ndërtimin me intensitet të autostradës paralele me projektet automobilistike të Korridorit të 8, duke e quajtur “Odhos Egnatia”, pavarësisht se me Egnatian e vjetër të romakëve rruga kishte të përbashkët vetëm emrin.

Kjo rrugë, e cila fillonte në Komotini, përshkonte gjithë veriun e Greqisë, kryqëzohej me autostradën Selanik-Beograd, duke përfunduar në portin e Igumenicës, vetëm 16 kilometra në vijë ajrore larg kufirit shqiptar dhe 114 km larg Vlorës; qytezë e cila deri atëherë kishte karakter turistik, dhe vetëm një traget që vinte nga Brindisi ose Bari një herë në dy ditë, ishin anijet e mëdha të transportit që banorët e saj kishin parë.

Krahas punimeve në terren, Greqia lëvizi në planin politik, duke intensifikuar marrëdhëniet dhe boshtin ortodoks me Rusinë, e cila tashmë me Putinin, dëshironte të kishte zë në politikën evropiane duke shfrytëzuar edhe armën e hidrokarbureve. Gjithashtu grekët edhe me Turqinë, duke parë se ky vend në të ardhmen do ishte nyje e gaz dhe naftësjellësve që do startonin në Rusi, Azerbajxhan e Iran, dhe do shpërndaheshin në gjithë Evropën Perëndimore. Ndaj ministri i Jashtëm i atyre kohëve dhe kryeministri i sotëm, Jorgo Papandreu, bëri vizitën historike në Ankara, duke i dhënë udhë shtensionimit të marrëdhënieve armiqësore e shpeshherë në prag lufte të dy vendeve.

Në kundërshtim me apatinë që kishte kapur vendet përfshirëse të AMBO-s, diplomacia greke, duke shfrytëzuar edhe destabilitetin politik që përfaqësonin këto vende, sidomos Maqedonia dhe Shqipëria, ndërhyri pranë aleatëve të saj të Bashkimit Evropian, që të ishin përkrahës të tubacioneve që do kalonin në territorin e saj dhe gjithashtu të projektonin gazsjellësin NABUCO, i cili njëkohësisht ulte edhe varësinë e BE nga gazi rus, i cili deri tani nëpërmjet gazsjellësve që kalojnë nëpërmjet Ukrainës tekanjoze plotëson 25% të nevojave evropiane.

Kështu, si rivalë të AMBO-s morën jetë arteriet NABUCO me ekstremet Turqi-Vjenë dhe projekti “South Stream” me ekstreme Burgas (Bullgari) - Igumenicë (Greqi), dhe degëzim Maqedoni-Mal i Zi-Kroaci-Serbi, duke anashkaluar kështu dukshëm Shqipërinë.

Gazsjellësi “South Stream” do transportojë një sasi prej 11 miliardë m3 në vit, nga të cilat 8 miliardë të destinuara për tregun italian dhe evropian, të cilin do ta arrijë me tubacione nëndetare që do shtrihen për një gjatësi prej 212 km në drejtimin Igumenicë-Otranto (Itali).

Marrëveshja midis palës italiane, të përfaqësuar nga kompania “Edison S. p. a.” dhe atë greke të përfaqësuar nga “DEPA”, u nënshkrua më datën 28 prill 2005 dhe në të ishin të pranishëm ministri italian për Aktivitete Prodhuese, Claudio Scajola dhe homologu i tij grek, Dimitris Sioufas.

Marrëveshja greko-italiane parashikonte që ndërtimi i gazsjellësit të fillojë në vitin 2009 dhe të përfundojë në vitin 2012. Kjo shpjegon urgjencën, me të cilën po kërkohet marrëveshja detare me palën shqiptare nga Greqia, por nuk shpjegon servilizmin dhe pamaturinë e palës shqiptare në nënshkrimin e saj.

Sipas projektit, seksioni tokësor që do kalojë në Greqi është 590 km dhe do kushtojë 600 milionë dollarë, ndërsa seksioni nën ujë Igumenicë-Taranto do kushtojë rreth 500 milionë dollarë.

Por këtu ishte edhe një tjetër vështirësi, pasi tubacionet nënujore duhet të kalonin edhe në hapësirën detare shqiptare, e cila, e xhelozuar që kjo ishte një infrastrukturë konkurrente e Korridorit 8, mund të sillte eventualisht vështirësi në ndërtim dhe së cilës gjithashtu i duheshin paguar taksa për transitin. Shembulli i Ukrainës dhe Bjellorusisë, të cilat çdo vit kërkojnë rritje taksash transiti, i trembte vendet nënshkruese. Ndërsa shmangia e ujërave territoriale shqiptare sillte rritje të papërballueshme të kostove të projektit.

Është pikërisht ky moment, kur hyn në lojë diplomacia greke, e cila kërkon një rishikim të kufijve të hapësirave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe është pikërisht ky moment që diplomacia shqiptare me një mendjelehtësi të pafalshme nënshkruan këtë ndryshim kufijsh.

Pozicioni gjeografik i vendit tonë u neglizhua në mënyrë të pafalshme.

Edhe nëse lëmë mënjanë sipërfaqen ujore që humbasim, lëshimi i pozicionit gjeografik është humbja më e madhe sot dhe në perspektivë e shqiptarëve, dhe kjo hapësirë e dhuruar e lidh Greqinë në mënyrë organike me BE. Dhe është pikërisht kjo arsyeja pse Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis, e cilësoi këtë marrëveshje një fitore strategjike të vendit të saj.

Nëse shikon rrjetet e gazit dhe naftësjellësve të Evropës, vëren se vendi ynë është një njollë e paprekur, ndërsa, nëse shikon rrjetet rrugore, jemi jashtë rrjeteve të mëdha.

Ajo që cilësohet si “pozicioni gjeografik strategjik i mrekullueshëm i vendit tonë”, në rastin tonë treguan se një vend i motivuar dhe me plane të qarta strategjike si Greqia, e shoqëruar me injorancën skandaloze të diplomacisë shqiptare, na i ktheu në byk këto, të cilat ishin të vetme armë tonat në tryezat e bisedimeve.

Kjo marrëveshje ishte edhe guri i varrit mbi projektin akoma të palindur mirë të Korridorit të 8 dhe mbi shpresat tona që të ishim faktor ekonomik dhe politik në rajon, por gjithashtu të ishim edhe përfitues të mirëqenies, të cilën tashmë do ta shohim si do lëvizë para syve tanë duke bërë itineraret Bari-Otranto-Igumenicë e anasjelltas, ndërsa ne të rrimë pranë ujit të pangrënë.

Deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Pulia ishte një ndër rajonet më të varfra të Italisë.

Me hapjen e porteve të Durrësit e Vlorës dhe nëpërmjet tyre në gjithë Ballkanin, ky rajon brenda 15 vjetësh u bë një ndër katër rajonet më të zhvilluara të Italisë, duke sjellë natyrshëm edhe një zhvillim të tregtisë shqiptare.

Por pas pak vitesh këto përfitime do t’i ketë vendet e tjera të Ballkanit, por jo shqiptarët.

Neve s’do na mbetet veçse të mallkojmë syleshët e të shiturit që na qeverisin, dhe patjetër edhe fatin e keq, por asnjëherë s’do kujtohemi të gjejmë fajin te vetja jonë si komb, që edhe kur na e thonë se ku është e keqja, nuk kemi forcë ta zbojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›