E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i PS në Kuvend, PE: Fillim i ri për dialog

Me rikthimin e opozitës në Kuvend, Parlamenti Europian kërkon që palët tashmë të punojnë për zbatimin e axhendës europiane. Eurodeputetet Tanja Fajon dhe Doris Pack u shprehën dje se, nëse Shqipëria tregon pjekuri politike, atëherë kjo do të reflektohet edhe në progres-raportin e Brukselit për Shqipërinë, që pritet të publikohet, më 12 tetor.

“Kurrë nuk është vonë për të bërë mirë. Nëse tani ata fillojnë bashkëpunimin, kjo tregon korrigjim dhe kjo është gjë e mirë. Nëse ata nuk do të fillonin tani, atëherë kjo do të ishte diçka e çuditshme, por ata nuk janë aq të papërgjegjshëm. Ata e kanë kuptuar që nëse duan të mbështeten nga Bashkimi Europian dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga populli. Për mua, ky është një fillim i ri, pse jo një epokë e re dhe të dyja palët duhet të fillojnë tani të zbatojnë axhendën evropiane”, - tha dje eurodeputetja, Pack. Nga ana e saj, eurodeputetja Tanja Fajon, shpreson që me rikthimin e opozitës në Kuvend, gjërat do të ndryshojnë. “Për Shqipërinë dihet se deri tani ka pasur shumë shqetësime. Tani shpresoj se dialogu në parlamentin shqiptar, vendi i punës për deputetët e zgjedhur me votë nga populli, do të ndihmojë për të përshpejtuar integrimin evropian të Shqipërisë. Nuk dua të bëj spekulime se si do të jetë progres-raporti i Komisionit Evropian, i këtij viti. Kjo është detyra e Komisionit Evropian. Parlamenti Europian vëzhgon e ndihmon politikanët e Shqipërisë. Nëse Shqipëria tregon pjekuri me dialogun politik, mund të ketë lajme pozitive, por kjo është përgjegjësia e politikanëve dhe duhet të presim frutet e asaj që bëjnë”, - tha Fajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›