Clinton takon ministren e Jashtme të Pakistanit

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, gjatë takimit me ministren e Jashtme të Pakistanit, Hina Rabani Khar, është fokusuar në luftën kundër militantëve islamikë.
Zyrtarët thanë se sekretarja Clinton dhe ministrja Khar u takuan privatisht në New York, para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, tha se takimi Clinton – Khar, zgjati tri orë e gjysmë dhe sipas saj, u zhvilluan bisedime “shumë substanciale” dhe “shumë të sinqerta”, që përfunduan me temën e luftës kundër terrorizmit.
Zyrtarët amerikanë thanë se Clinton i tha koleges pakistaneze se Islamabadi duhet të ndihmoj në luftën kundër rrjetit Haqqani, që ishte fajësuar lidhur me sulmet e javës së kaluar kundër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe selisë së NATO-s në Kabul.