Rikthimi i legjendës

Ai u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, derisa pas disa minutash, tregoi se nuk e ka harruar zanatin e vjetër, duke e shënuar golin e fitores për ekipin e Arsene Wengerit.
Ky ishte goli i 227-të i tij në fanellën e Arsenalit. I tërë stadiumi është ngritur në trans, ndërsa futbollisti francez festonte si të ishte një gol i finales së Ligës së Kampionëve.
“Është e jashtëzakonshme, e pabesueshme. Unë kurrë nuk kam menduar se do të luaj përsëri për Arsenalin, e aq më pak ta shënoj golin e fitores. Unë e dua këtë klub dhe dëshiroja ta ndihmoja. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme kur e shënova golin dhe shpresoj që ky të mos jetë i fundit”, deklaroi sulmuesi francez.
“Do ta kujtoj gjithmonë këtë natë. Është diçka e pazakontë, e çuditshme. 15 ditë më parë u ktheva nga pushimet në Meksikë dhe nuk e kisha planifikuar të bëhesha hero. Mirëpo, ishte mjaft e rëndësishme që ta shfrytëzoja këtë mundësi të parë, sepse ju nuk e dini kurrë nëse do ta keni rastin e dytë dhe unë e shfrytëzova atë si është më së miri”, vazhdoi Henry.
Ai është huazuar nga New York Red Bulls për dy muaj, deri në fund të shkurtit. Ish përfaqësuesi francez e realizoi golin e fitores në minutën e 78-të, me ç’rast, ‘Gunners’ u kualifikuan në rrethin e katërt të FA Cup. I lumtur me golin e Henryt ishte edhe trajneri francez, Arsene Wenger, që ishte i pari të cilin shkoi ta përqafonte futbollisti i tij i veçantë.
“Ishte një rikthim përrallor. Histori të tilla u tregohen fëmijëve për futbollin. Ai tashmë është bërë legjendë këtu, por sonte ai shtoi diçka në historinë e tij të bujshme këtu. Ai është lojtar i veçantë i cili është ene i fokusuar, i motivuar dhe ka dëshirë të pashtershme të kontribuojë. Kjo është ajo që e bëjnë kampionët”, deklaroi Wenger.
Sipas trajnerit francez, tek Henry ishte vënë presion i madh, por që ai diti ta menaxhojë atë mjaft mirë, sepse nuk dëshironte t’i zhgënjente njerëzit.
“Ai e di se do të kërkohet nga ai ajo çka kishte bërë më parë dhe gjithmonë do të mundohet ta japë më të mirën. Ai dëshiron të jetë i suksesshëm. Unë i kërkova atij të luante në mes. Atij nuk i nevojitet t’i flasësh shumë. Ai di të jetë i rrezikshëm në çdo moment”, shtoi Wenger.