Platini e ngrit në qiell Messin

Michel Platini e ka ngritur në qiell yllin e Barcelonës, Lionel Messi, e cili e barazoi rekordin e tij në rrëmbimin e tre ‘Topave të Artë’ rresht, gjë të cilën nuk e kishte bërë askush përpos legjendës franceze.
“Ka sens të gjentilit, por është edhe simpatik. Por, për të shënuar gola siç bën ai, duhet të jeni edhe vrasës. Nuk mund të fitoni në futboll nëse jeni shumë gjentil”, deklaroi ish futbollisti i Juventusit, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e ‘Topit të Artë’, të hënën mbrëma në Zurich.
Platini thotë se 24 vjeçari nuk duhet të krahasohet me asnjë lojtar tjetër. “Është një lojtar i formuar dhe nuk duhet të krahasohet me gjeneratat tjera”, përfundoi Platini. Në një moshë mjaft të re, Messi arriti ta fitojë tri herë rresht çmimin e lojtarit më të rëndësishëm në botë. Nëse vazhdon me formë të njëjtë, ai mund të fitojë edhe trofe të tjerë të këtij lloji.