Rikthimi publik i Ramiz Alisë parashtron nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë
Mjerisht pjesa më e madhe e shqiptarëve duket sikur nuk ka memorie ose harron shpejt. Mbizotëron presioni i së tashmes, i të jetuarit të përditshmërisë, dhe nuk besojmë se është vetëm një justifikim. është një lloj modus vivendi, një mënyrë dhe stil jetese hipokrite. Në 45 vjet komunizëm shumë veta kanë mëkatuar me bashkëpunim me regjimin, e donte puna justifikohen në të shumtën e rasteve. Dhe ky turp i ka bërë të mbyllin sytë përpara fatkeqësive të të tjerëve. Por ata që kanë vajtuar, e kanë të vështirë të harrojnë, mbi të gjitha kur shohin sesi nomenklatura komuniste po riciklohet si në maja, ashtu edhe nëpërmjet filizave të rinj: nipër e mbesa.
Defekti më i madh i këtij vendi të bekuar dhe të trazuar njëkohësisht është se ndonjëherë e marrin lehtë, harrojnë shpejt gjëra që nuk duhen harruar, nuk nxjerrin mësime. Sepse po të kishim vënë mend, s’do të kishim një inflacion publik të pranisë së Ramiz Alisë, i cili ngarend nëpër gazeta e televizione duke publikuar libra e dhënë opinione për çdo gjë (natyrisht s’kishte pse të mos deklarohej pro grevës së urisë socialiste) e për gjithçka, duke bërë ca pseudo-apologji cinike e tallëse mbi krimet barbare të atij sistemi të tipit “bëmë ca gabime” më lehtësinë më të madhe dhe pa brejtje ndërgjegje. Kur diktatori (i abortuar) Alia, e pakta që mund të bënte, do ishte zhdukja totale nga vëmendja e publikut dhe e shumta që mund t’i ndodhte do ishte të kishte të njëjtin fat si çaushesku, në Rumani.
Shkaku që ne shohim fotot dhe shkrimet e Ramiz Alisë në shtyp nuk është “shitja e gazetës-filan fisheku” por ndikimi dhe lidhjet më të kaluarën komuniste tek një pjesë e politikës opozitare dhe e medies. Nuk është ndonjë teori komploti, por një realitet i sofistikuar. Janë këto lloj gazetash që mbushin faqet e para me tituj për dëshmitë e nuseve, mbesave e oficerëve të shërbimit, se sa vjet kishin kaluar pranë “komandantit”. Absolutisht që nuk është e tepërt të thuhet se këto media po u shërbejnë etërve dhe financuesve të nëndheshëm të tyre.
Gazetari ynë i stërvitur në këtë tematikë, Kostaq Xoxa në një shkrim të mëparshëm kishte cilësuar rikthimin: “Enver Hoxha na del në një botim të ri të Ramiz Alisë”. Dhe “janë vepra apologjetike që synojnë ta mbajnë gjallë, me të gjitha mjetet e mënyrat, atë që quhet nostalgji për diktaturën”.
Sidoqoftë, është e pabesueshme që akoma ish-komunistët e sojit Ramiz Alia, profesor i ndërtimit të socializmit me forcat e veta, luftës së klasave e diktaturës proletariatit, të dalë në media e të japë leksione mbi politikën e demokracinë. është akoma më e pabesueshme që ekzistojnë akoma nostalgjikë apo bij nostalgjikësh të rënë nga pozicionet e pushtetit qendror e privilegjet e humbura, që mezi presin fjalën e ish-pushtetarëve si i eturi në shkretëtirë.
Ramiz Alia ka në ndërgjegje 45 vjet diktaturë, 45 vjet shtypje, 45 vjet rrënim ekonomik, shpirtëror, moral, njerëzor. është ofendim në radhë të parë për ata mijëra të vrarë me apo pa gjyq, të burgosur, të internuar, të persekutuar që udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, që u mundua me të gjitha mënyrat të pengonte zhvillimet demokratike në Shqipëri, t’iu flasë për meritat e E. Hoxhës dhe komunizmit stalinist të zbatuar në Shqipëri.