Tregtari i Venecias në versionin ramix
Politika po pushton kulturën, kinemanë, teatrin, artin dhe lirikën. është kudo. Këtu qëndron paradoksi. Me themel e me çati kemi një rast flagrant metaforik që është zilia për red carpet e Edi Ramës ndaj Ben Blushit, e cila ka arritur kufirin e paimagjinueshëm të transformimit të nën-ndërgjegjshëm të veprave teatrale të Uilliam Shekspirit. Si gjithmonë vallen e nis balet-maestro Ben Blushi me Otellon, duke e bërë arap të padëshiruar dhe të padashuruar të Vlorës. Kurse Edi Rama po qëmton të vejë në teatrin politik prologun kutist të “Tregtari i Venecias”. Tapeti i kuq i festivalit të kotësirave politike është privatizuar nga Partia Socialiste, sot, opozita e “Botës së Re”.
Dhe Oferta e Re politike edviniane është tregtimi apo trafikimi i kutive të votimit në Komisionin e Venecias, paçka se ngjason pak si demodè. Kur në një distancë kohore libretisti më i patalentuar i teatrit politik Edi Rama deklaronte se (citoj fjalë për fjalë): “Këshilli i Evropës mund ta pyesë Komisionin e Venecias, nëse do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet. Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga Komisioni i Venecias të na zgjidhë ne problemin”.
Ja edhe Rama mbas pak kohësh ku opinioni interpretativ i Komisioni Venecias njëherë nuk pranohet dhe herën tjetër kërkohet si skaf shpëtimi: “Jemi gati për zgjidhje transparente përmes një hetimi që fillon me hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa hapjen e kutive të votimit t’ia lëmë një pale të tretë siç është Komisioni i Venecias”.
Sidoqoftë paradoksi është më i thellë se ky! Kjo ngjarje duket se ka qenë shkruar nën format që ne njohim më mirë, në Ungjijtë e Politikës së re, saktësisht në një moment të dytë kur tregimi i së ardhmes u shemb me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Por bota jonë është në një proces ndryshimi, edhe pse ndryshimi në Partinë Socialistë po pilotohet drejt regresit, infantilitetit dhe instinkteve bazike. Unë e di fort mirë se sot opinioni ynë është i lodhur prej debateve e një debati për pjesëmarrjen e intelektualëve kundër grevës. Nuk jam kundër grevës, por jam kundër kësaj greve. Nuk jam intelektual dhe as aspiroj të bëhem i tillë. Dhe problemi që shfaqet këtu është se kultura e inteligjencës nuk matet me përmbajtjen e kulturës por me politikë, duke lënë pas dore vetveten në favor të kapriçiove të polemikave të ditës së kutive.
Mandej nuk bëhet fjalë për një debat kulturor, për një debat që ka në qendër ide apo vizione, por për një uri për pushtet. Këtu bëhet fjalë për diçka të ulët e të pabukur sepse në qendër është përjashtimi i humbjes si kategori shoqërore. I kërkoj të falur pra lexuesit të këtyre radhëve për karakterin jotërheqës të shkrimit, por nga ana tjetër jam i bindur se sa më shumë i lëmë në heshtje këto lloj sajesash dhe kauzash “kutiste”, aq më mirë do të ishte për integritetin demo-kritik të sutakut tonë.
Këto ditë për spektatorët e kryeqytetit, gjendet premiera me titull “Darka e gabuar” në skenën e Teatrit Kombëtar. Ndërsa në një teatër ambulant alla Cirque du Soleil (du socialist) po shfaqet jo vetëm greva e gabuar, por edhe versioni remix apo ramix i Tregtarit të Venecias. Sigurisht asnjëri prej nesh nuk ka kurrfarë interesi, as material e as si imazh që të shkojë e të ndjekë këtë ereksion të fundit artistik të Udhëheqësit. Propozimi i këtyre shfaqjeve nuk është interesant për faktin se shpesh në botën e artit skenik kompeticioni është aq i vogël dhe jo shumë shpesh gjen raste që erekto-artistët bashkëpunojnë ndërmjet llogores për të linçuar kolegët. Asgjë e mirë nuk i vjen kulturës nga prapaskena kësisoji