E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bildt: Nëse doni BE-në, uluni në bisedime

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, e konsideron të nevojshme dialogun mes palëve


TIRANË - Faktori ndërkombëtar i tërheq edhe një herë vëmendje klasës politike shqiptare që të gjejë gjuhën e kompromisit, për të zgjidhur krizën politike në vend. Kësaj here, mesazhi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit kryeson presidencën e Bashkimit Evropian.


Kreu i diplomacisë suedeze, ka deklaruar dje për mediat se mazhoranca dhe opozita duhet që të ulen në tryezë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. Sipas Bildt, zgjidhja e situatës politike në vend është një nga kriteret kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


Bildt theksoi qartë se nëse liderët shqiptarë e duan vendin në BE, atëherë ata duhet që të arrijnë një kompromis përmes dialogut. "Për sa i takon gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, situata është e errët për momentin. Unë do t'i bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen", - tha dje Bildt.


Sipas diplomatit suedez, politikanët shqiptarë duhet të ndjekin traditën e Brukselit, sipas së cilës, ata duhet të bien dakord mes tyre edhe kur kanë mosmarrëveshje, siç është edhe rasti i tanishëm për çështjen e hapjes së kutive të votimit. Sipas tij, kjo duhet të realizohet, nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane.


"Mund të mos bien dakord ndonjëherë, por duhet marrëveshje për të çuar vendin përpara. Dhe këtë mesazh mendoj se e gjeni në këto konkluzione, mesazhin që nëse ata duan të vijnë në Bruksel, nëse ata duan të jenë pjesë e Evropës, Evropa ka dialog mes liderëve politikë, edhe në raste mosmarrëveshjesh.


Ne shpresojmë se Shqipëria do t'i bashkëngjitet kësaj tradite sa më shpejt të jetë e mundur", - u shpreh ai. Për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ministri i Jashtëm, Bildt, vuri në dukje se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të mund të përfitojnë nga regjimi i heqjes së vizave vitin e ardhshëm.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›