E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, Qeveria pranon: S'morëm leje nga Presidenti

Në letrën e Presidencës thuhet se Presidenti nuk ka koment mbi paktin dhe se ka besim te gjykata


TIRANË - Negocimi i marrëveshjes për përcaktimin e kufirit të ujërave dhe të shelfit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë rezulton të jetë bërë i parregullt nga pala shqiptare.


Dyshime mbi këtë parregullsi kanë lindur dje gjatë shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese të kërkesës së socialistëve për ta shpallur këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën.


Kanë qenë përfaqësuesit socialistë ata që kanë ngritur fillimisht dyshimin se gjatë negocimit pala jonë nuk ka qenë ligjërisht e autorizuar për të mbrojtur interesat dhe për të folur në emër të shtetit shqiptar.

Kjo, pasi atyre u ka munguar autorizimi nga ana e kreut të shtetit, ashtu siç edhe e përcakton ligji për hartimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në nenin 4, të Ligjit të sipërcituar, parashikohet shprehimisht se "Përfaqësuesit e shtetit, që ngarkohen të zhvillojnë bisedime dhe të nënshkruajnë traktate ose marrëveshje me përfaqësuesit e shteteve të tjera, ose që caktohen të shkëmbejnë instrumente ratifikimi apo të depozitojnë instrumente ratifikimi, aderimi ose denoncimi pranë një organizate ndërkombëtare apo pranë një shteti, pajisen me plotfuqi të rregullta".


Sipas socialistëve, plotfuqia e rregullt përbën një kusht absolut për fillimin e bisedimeve dhe për lidhjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare. "Bisedimet për lidhjen e marrëveshjes objekt shqyrtimi janë zhvilluar në mungesë tërësore të plotfuqisë nga autoriteti përkatës shtetëror, Presidenti i Republikës, i cili njëkohësisht është edhe autoriteti i vetëm që njeh ligji në fuqi për lëshimin e plotfuqisë së rregullt në të gjitha rastet kur marrëveshja ndërkombëtare lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë


Ky fakt, përbën jo vetëm shkelje flagrante të dispozitave ligjore në fuqi, por njëkohësisht vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetueses për respektimin dhe garantimin e plotë dhe rigoroz të parimeve kushtetuese që qëndrojnë në themel të shtetit dhe në përmbushje të interesit më të lartë të qytetarëve", - tha deputeti socialist, Saimir Tahiri, duke folur gjatë seancës së djeshme.

Këtij argumenti i kanë mëshuar edhe anëtarët e gjykatës, të cilët i kanë kërkuar përfaqësuesve të qeverisë sqarime të hollësishme për këtë rast.


Por, për përfaqësuesen e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi, Konventa ndërkombëtare e Vjenës përcakton dy rrugë për të hyrë në negocime, pra plotfuqinë dhe negocimin me anë të notave diplomatike. Sipas saj, në shumicën e rasteve është parë e nevojshme që për shkak të marrëdhënieve të mira ose të mirëbesimit palët nuk paraqesin më aktin e plotfuqisë, por hyjnë në bisedime në mënyrë direkte me anë të notave diplomatike.

"Konventa ndërkombëtare shikon parimet e përgjithshme të një akti ndërkombëtar, ndërsa ligji ynë parasheh vet procedurat e brendshme në funksion të konventës. Mosmarrja e plotfuqisë nuk do të thotë se ne nuk kemi zbatuar ligjin, pasi nëse ne do na kërkohej plotfuqia nga pala tjetër ne do të bënin plotfuqinë.


Por, për sa kohë konventa e Vjenës për traktatet përfshin të dyja mënyrat si plotfuqinë ashtu edhe bisedimet në rastet kur mes shteteve ka marrëdhënie të mira, ne kemi ndjekur rrugën e dytë", - tha Ledia Hysi, duke theksuar se nuk ka pasur shmangie të institucionit të presidentit.


Ndërsa anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, ka bërë të ditur se kjo mënyrë e të vepruarit bie ndesh me ligjin shqiptar, i cili përcakton të detyrueshme marrjen e plotfuqisë.


Nga ana e Presidencës, dje në Gjykatë është përcjellë një letër, ku thuhet se kreu i shtetit nuk ka asnjë koment konkret për Marrëveshjen dhe se ka besim në një gjykim të drejtë nga ana e anëtarëve të Kushtetueses.

Pjesë nga pyetje-përgjigjet drejtuar qeverisë shqiptare nga Gjykata Kushtetuese dhe PS

Pas parashtrimit të propozimeve, palët në debat, pra ankimuesit dhe palët e interesuara i janë përgjigjur pyetjeve, që i kanë bërë njëra-tjetrës, por edhe atyre të bëra nga trupi gjykues.


Duke folur në këtë fazë të procesit të shqyrtimit të çështjes, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Admirali Kristaq Gërvenji, ka bërë të ditur edhe disa elemente të pathëna të negociatave me palën greke, siç ishte oferta që Greqia i kishte bërë palës sonë për t'i ofruar një sipërfaqe të konsiderueshme ujore në det të hapur në shkëmbim të shtyrjes së vijës së mesit në afërsi të gjirit të Sarandës, ose përcaktimit të saj në bazë të parimit të barazisë dhe jo të baraslargësisë.


Kështu, Gervenji ka bërë të ditur se ishte pala shqiptare, ajo që kishte këmbëngulur në zbatimin e këtij parimi, si më i favorshmi për vendin tonë. Megjithëse në seancën e djeshme, pala e qeverisë kundërshtoi pretendimin e palës ankimuese sa i përket gjirit të Sarandës si një gji i mbyllur, Gërvenji bëri të ditur se në nisjen e negociatave pala shqiptare i kishte propozuar palës greke që këtë gji, ashtu si gjirin e Palermos dhe atë të Ksamilit, t'i quanin ishuj të mbyllur, gjë që nuk ishte pranuar nga Greqia.


Xhezair Zaganjori: Për sa i përket çështjes së plotfuqisë. Në nenin 4 të ligjit për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjes ndërkombëtare përcaktohet se përfaqësuesit e shtetit pajisen me plotfuqi të rregullta, që sipas rastit jepen nga presidenti ose kryeministri. Pse jeni shmangur nga kjo dispozitë?


Ledia Hysi (Ministria e Jashtme): Konventa ndërkombëtare shikon parimet e përgjithshme të një akti ndërkombëtar, ndërsa ligji ynë parasheh vetë procedurat e brendshme në funksion të konventës.

Mosmarrja e plotfuqisë nuk do të thotë se ne nuk kemi zbatuar ligjin, pasi nëse ne do na kërkohej plotfuqia nga pala tjetër, ne do bënim plotë fuqinë. Por për sa kohë konventa e Vjenës për traktatet përfshin të dyja mënyrat si plotfuqinë ashtu edhe bisedimet në rastet kur mes shteteve ka marrëdhënie të mira, atëherë është i panevojshëm marrja e plotfuqisë


Zaganjori: Meqë jemi te plotfuqia, a ka ndonjë rast konkret kur ju keni paraqitur plotfuqinë?
Hysi: Në rastet kur na është kërkuar e kemi paraqitur dhe kjo ndodh zakonisht kur kemi marrëveshje me organizata ndërkombëtare. Plotfuqia është një akt zyrtar sigurie kur një palë i jep palës tjetër.


Fehmi Abdiu: Ky është vlerësimi juaj apo është një përcaktim zyrtar dhe pse ligji ka formulim tjetër?


Hysi: Konventa i parashikon të dyja rrugët, pra edhe plotfuqinë edhe marrëdhëniet e mirëbesimit. Pra, edhe një herë në rastin konkret nëse do na kërkohej, do ta bënim. Nuk është një shmangie e bashkëpunimit institucional, por të dyja palët kanë rënë dakord për këtë komunikim.


Zaganjori: A ka pasur projektmarrëveshje nga pala shqiptare, pasi ju thoni se për këtë marrëveshje është marrë shkak nga një investitor, që donte të bënte kërkime në kanalin e Korfuzit dhe për të cilin pala greke ka paraqitur një variant.


Pala shqiptare ka pasur një variant kur është futur në bisedime apo është futur në bisedime duke diskutuar mbi variantin grek?


Ledia Hysi: Për sa i përket procedurave që janë ndjekur për miratimin e një marrëveshje të tillë është respektuar ligji. Pra, pas hartimit të tekstit kalon në qeveri për miratimin në parim sipas legjislacionit tonë të brendshëm. Në takimin e parë të zhvilluar në Athinë pala shqiptare ka paraqitur projektin e saj të marrëveshjes ashtu si edhe pala greke.


A ishin të njëjta? Parimet e përgjithshme ishin të njëjta, por kishte diferenca dhe ka pasur dispozita, për të cilat ne nuk kemi qenë dakord, ashtu siç ka pasur dispozita që pala greke nuk ka qenë dakord.


Sokol Sadushi: A e kërkon ligji një miratim në parim të nismës për nënshkrimin e një marrëveshje apo jo?


Hysi: Jo ligji nuk e parashikon. Në qeveri marrëveshja miratohet në parim, pasi të kenë përfunduar negocimet mes palëve.


Sadushi: Duhen dy ndërhyrje nga KM për miratimin e një marrëveshje apo vetëm, pra në momentin kur ka një draft?


Hysi: Jo nuk është e nevojshme që të miratohet nisma fillimisht pa pasur më parë tekstin e marrëveshjes.


Zaganjori: Keni ju raste kur është zbatuar parimi i baraslargësisë në hartimin e marrëveshjeve të tilla?


Hysi: Nëse do ishte zbatuar parimi i barazisë, pra i vijës së drejtë, atëherë për palën tonë ishte e disfavorshme.


Zaganjori: Në pikën e dytë të marrëveshjes përcaktohet se as Shqipëria dhe as Greqia nuk do të kërkojnë sovranitet mbi ujin, shtratin e detit ose nëntokën. Nuk e kuptoj çdo të thotë kjo, nëse ne nuk ushtrojmë sovranitet atëherë për çfarë do të shërbejë ndarja e shelfit kontinental?


Hysi: Ky është një nen standard që ne e gjejmë në të gjitha marrëveshjet për shelfin kontinental. Ideja është që kur u përcaktua kufiri detar atëherë Shqipëria nuk mund të pretendojë apo ushtrojë të drejtën e sovranitetit përtej këtij kufiri. Nëse do t'i referohem edhe marrëveshjes me Italinë ka të njëjtin formulim.


Zaganjori: Në rastin me Italinë kjo mund të ketë kuptim, sepse ka një hapësirë detare të gjerë, por në rastin e Korfuzit që ka një sipërfaqe të ngushtë detare zbatimi i kësaj do të thotë që ne nuk kemi mundësi ta ushtrojmë.


Pra, nga vija e kufirit deri në çfarë distance nuk mund të ushtrohen të drejtat sovrane, sepse nëse është 1 km këtej dhe 1 km andej atëherë ti s'ke ndarë gjë, sepse nuk e shfrytëzon dot?


Hysi: Republika e Shqipërisë ka të drejtën e vet deri në pikat e koordinatës që përcakton kufirin.


Zaganjori: Ta thjeshtëzojmë çështjen. Kanali i Korfuzit është rreth 3 km me Korfuzin. Pra, nëse e ndajmë këtë detin territorial dhe shelfin, nëse do të zbatonim nenin 2, atëherë do t'i jepnim palëve nga 1 km, atëherë ti u thua palëve që në 1 km nga toka ti nuk mund të ushtrosh sovranitet.


Hysa: Ky është një standard që përcaktohet në të gjitha marrëveshjet.
Zaganjori: Ky është një standard po të ndalon të ushtrosh të drejta sovrane.
Sadushi: Ky është propozim i juaj apo i palës tjetër.
Është një propozim i yni.


Zaganjori: Natyrisht që ne nuk do të ushtrojmë të drejtën e sovranitetit në zonën greke, ashtu si edhe pala greke këtej. Kjo nuk ka sens, por kuptimi duhet sqaruar, sepse unë e lexoj nenin dy që praktikisht në zonën e shelfit që i përket Shqipërisë dhe në zonën e shelfit që i përket Greqisë të dyja shtetet ndalohen ta shfrytëzojnë.
Hysi: Kjo është.


Zaganjori: Atëherë ç'kuptim ka ta ndajmë shelfin?


Hysi: Ky është përcaktimi që bëjnë konventat.


Sokol Berberi: Pse nuk zbatuat parimin e barazisë?


Hysi: Kjo do të ishte në disfavor të vendit tonë. Ne i kemi marrë në shqyrtim të dyja parimet dhe kemi zgjedhur baraslargësinë. Në rast se do kishim zgjedhur parimin e barazisë, atëherë pala greke për shkak të fluksit të anijeve që lundrojnë do të ishte e favorizuar dhe do të merrte më shumë hapësirë detare.


Kristaq Gërvenji (Admiral): Nëse nuk do të zbatonim parimin e baraslargësisë do të merrnim parasysh edhe trafikun e anijeve greke dhe shqiptare dhe ne në këtë rast do të dilnim të humbur.


Zaganjori: Pse do dilnim të humbur?


Gërvenji: Sepse do të shihej edhe trafiku se çfarë anijesh do të kalonin më shumë. Ai thotë që unë kaloj 20 tragete të mëdha në ditë, ndërsa ti kalon një traget të vogël në ditë, prandaj unë dua më shumë hapësirë në det.


Zaganjori: Është një kriter përcaktues në parimin e barazisë ky dhe ata do të dilnin më të fituar sepse kishin më shumë anije?


Gërvenji: Po, nëse do të bëhej një gjë e tillë do të merrej parasysh edhe trafiku. Ne do të dilnim të fituar në det të hapur por do të dilnim të humbur në ngushticën e Korfuzit.


Zaganjori: Nëse përballë Sarandës nuk do të ishte Korfuzi, por një ishull tepër i vogël edhe ky i banuar do ta ndanim sërish kufirin në mes?


Ne gjykuam që baraslargësia ne na favorizonte. Kjo na jepte të drejtë fare të barabartë të ndarjes së vijës detare. Kjo është propozuar nga ne.


Vladimir Kristo: Sipas jush është në dëshirën e palëve që të zgjedhin parimin mbi të cilin do të bëhej ndarjes?


Gërvenji: Kjo përcaktohet duke u marrë vesh.


Zaganjori: Të zbatosh parimin e barazisë do të thotë që për ndarjen e vijës së mesit do të merret parasysh edhe madhësia e ishullin, edhe funksionet e tij edhe karakteristikat. Kjo do të thotë që ne s'do ta vëmë vijën në mes, por do ta vësh më tej nga sa e vë me këtë parim, pra do t'i afroheshe ishullit në favor të dheut kontinental.


Gërvenji: Si faktor bazë ka shërbyer trafiku i anijeve, pasi edhe greket edhe kur kanë qenë marrëdhëniet të acaruara anijet nuk kanë kaluar mes ishullit Barketa dhe tokës sonë.


Dhe këtu dua të shpreh diçka se abuzohet shpesh se ishulli Barketa nuk është afërsisht në mes të kanalit mes Ksamilit dhe Korfuzit, pasi ai është më afër ishullit, sepse ne matjet nuk i bëjmë me ishullin Perister. Madje dua të them se pala greke na ofroi që të na jepte det sa të donim në det të hapur dhe ne nuk kemi pranuar.


Dhe kemi debatuar. Për sa i përket shfrytëzimit, kanali do të ketë vetëm një lloj shfrytëzimi, kalimin e anijeve. Nuk ka shfrytëzim tjetër, nuk hap dot aty platformë për të shpuar për naftë.


Zaganjori: Ç'qëndrim mbahet për ishujt?

Gërvenji: Unë e shpreha qëndrimin dhe i qëndroj strikt konventës, ku për ishujt e banuar përcaktohen të gjitha të drejtat. Ndërsa për ishujt e pabanuar i jepet vetëm statusi i ujërave territorial dhe kjo është zbatuar në të gjitha pikat e marrëveshjes.


Pra, në rastin e ishullit Othoni shkon edhe përtej në zonën e vazhduar, ndërsa në rastin e Barketës është zbatuar vetëm statusi i ujërave territoriale dhe nuk i jepet zona ekonomike e zhvillimit. Në rast se do të kalonte 6 milëshin atëherë do të bëhej fjalë edhe për zonë ekonomike.


Zaganjori: Në rastin e Barketës ju thoni se ndani vetëm ujërat territorial, po ku thuhet që nuk ndahet shelfi?


Gërvenji: Nuk e heqim dot të drejtën e detit territorial.
Zaganjori: Nuk e themi atë, por me vijën që ke hequr i ke dhënë edhe të drejtën e zonës ekonomike.


Gërvenji: Jo, nuk ia kemi dhënë, sepse në bazë të së drejtës i kemi dhënë vetëm ujërat territoriale.


Zaganjori: Sipas marrëveshjes suaj, vija e hequr nga Barketa ndan përveç ujërave ndan edhe shelfin.
Gërvenji: Ujërat territorialë kanë sovranitet të plotë, ndërsa në zonën e vazhduar sovraniteti është i kufizuar. Duke pasur statusin e ujërave territoriale, ai ka dhe të drejtat ekonomike.


Zaganjori: Pra, i keni dhënë dhe të drejtën e shelfit?


Gërvenji: Jo vetëm të drejtën e ujërave territoriale.


Damian Gjiknuri: A ka pasur në ekipin tuaj negociatorë, persona që kanë pasur eksperienca të mëparshme negocimi të marrëveshjeve të tilla, siç është me Italinë?


Hysi: Grupi negociator nuk rezulton që të ketë pasur persona që kanë qenë në grupin negociator të marrëveshjes me Italinë sepse tashmë grupi negociator përbëhet me përfaqësues të institucioneve dhe në asnjë nga institucionet nuk punon më nga ata negociator.


Gjiknuri: A ka procesverbale mbi negociatat e të dyja palëve dhe nëse po këto të vihen në dispozicion të gjykatës?


Procesverbale ka, por për shkak të sekretit shtetëror unë s'do të them dot këtu të gjitha propozimet tona dhe propozimet e palës tjetër. Por, po them vetëm disa.


Ne i kemi shkuar në bisedime, duke propozuar që gjiri i Palermos, gjiri i Sarandës dhe gjiri i Ksamilit të quheshin gji të mbyllur. Por, nga ana tjetër pala greke na erdhi me propozime, që shkelnin realitetin, pra kishin shtyrë koordinatat, duke ardhur më në brendësi të sipërfaqes sonë dhe për rrjedhojë dhe më afër Sarandës. Palët u detyruan që të heqim dorë nga këto pretendime për të arritur në një marrëveshje.

Ledia Hysi kundërshton deklaratën e Ferit Hoxhës. Negociatat nisën pas daljes së urdhrit të Berishës në vitin 2007


Kushtetuesja shqyrton paktin detar, qeveria nuk sjell hartat

TIRANË - Gjykata Kushtetuese ka mbyllur dje në një seancë maratonë prej 7 orësh shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Partisë Socialiste për të shpallur antikushtetuese marrëveshjen për delimitimin e kufirit dhe përcaktimin e shelfit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë, e njohur ndryshe si marrëveshja për ndarjen e kufirit ujor mes dy vendeve tona.


Pavarësisht se një çështje e tillë kishte të bënte me termat teknikë vetë përfaqësimi i palës ankimuese nga dy deputetë socialistë, Damian Gjiknuri dhe Sajmiri Tahirir, ka bërë që diskutimet shpesh herë të jenë të karakterit politik, çka ka detyruar trupën gjykuese të ndërhyjë në vazhdimësi.


Megjithatë, për vetë specifikën që trajton një marrëveshje e tillë, si rrallë herë më parë, në gjykatë palët ishin paraqitur të mirorganizuara, ku nuk mungonte edhe përfaqësimi në rang ekspertësh. Kështu pala ankimuese, përveç dy deputetëve, Gjiknuri dhe Tahiri, kishte në përbërje të saj edhe ekspertin e pavarur, kolonelin Myslim Pasha.


Ndërsa pala e qeverisë përfaqësohej nga drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, admirali Kristaq Gervenji, drejtoresha juridike në Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi etj. Ka munguar në seancë përfaqësuesi i presidentit, i cili në një letër drejtuar gjykatës shprehte besimin për një shqyrtim të drejtë të çështjes.


Socialistët

I pari që ka marrë fjalën në seancën e djeshme ka qenë anëtari i Kushtetueses, Xhezair Zaganjori, cili në rolin e relatorit të çështjes paraqiti 13 pikat, me të cilat Partia Socialiste argumenton pretendimin e saj se marrëveshja cenon interesat territoriale shqiptare.


Më pas janë ftuar për të paraqitur argumentet e tyre në mënyrë më të detajuar përfaqësuesit e palës ankimuese, të cilët në vija të përgjithshme janë shprehur se marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë e nënshkruar këtë vit është antikushtetuese, pasi fazat e përgatitjes, procedurat dhe metodat e ndjekura për hartimin shkelin rëndë Kushtetutën.


Sipas PS-së, marrëveshja është hartuar mbi një mungesë të plotë transparence dhe se qeveria s'ka ofruar asnjë informacion për paktin, duke dezinfomuar publikun.

"Ne kërkojmë shqyrtimin e pajtueshmërisë me kushtetutën të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, duke parashtruar argumente kushtetuese, ligjore dhe teknike mbi dyshime të arsyeshme dhe të besueshme se kjo marrëveshje dhe të gjitha fazat që i kanë paraprirë përgatitjes dhe nënshkrimit të saj, vijnë në shkelje të parimeve themelore kushtuese të shprehura në Kushtetutë, si dhe me Konventën e Montego Bay të vitit 1982, të ratifikuar nga Shteti Shqiptar", - u shpreh deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili gjithashtu në fjalën e vet i ka mëshuar më fort argumentimit të legjitimitetit që ka PS-ja në ankimimin e një marrëveshje të tillë.


Gjithashtu, në parashtresën e vet, deputeti socialist ka evidentuar faktin se ndryshe nga sa kanë deklaruar në vijimësi gjatë këtyre muajve, përfaqësuesit e qeverisë se mes dy vendeve tona ka munguar kufiri detar, në vitin 1958 mes Greqisë dhe Shqipërisë është nënshkruar një protokoll, të cilit i bashkëngjitej edhe një shtojcë, e cila përcaktonte kufijtë detar.


Ndërsa deputeti tjetër, Damian Gjiknuri, në parashtrimin e vet, i ka kushtuar rëndësi detajeve dhe mangësive të marrëveshjes, duke evidentuar titullin e saj, i cili, sipas tij, është i veçantë dhe i pa ndeshur në praktikën e shtetit grek, mungesa hartave dhe e vijave bazë, etj., por duke hequr dorë nga pretendimet e shprehura më parë se gjiri i Sarandës është një gji i mbyllur dhe se Greqia është vend arqipelag.


Gjithashtu, ai i ka kushtuar rëndësi edhe parimit, mbi të cilin është bërë ndarja e vijës kufitare, e cila, sipas tij, ka disfavorizuar palën shqiptare, duke ndarë kanalin e Korfuzit në mënyrë të barabartë, pavarësisht se përballë gjendet një tokë kontinentale dhe një tokë ishullore.


"Rrjedhimisht, aty duhet zbatuar parimi i baraslargësisë i modifikuar në mënyrë që vija delimituese e përkohshme të korrektohet, me qëllim që të përftohet një rezultat "i drejtë dhe i ndershëm", - tha Gjiknuri.


Qeveria


Pas një pushimi, fjalën e kanë marrë me radhë përfaqësuesit e palëve të interesuara, Lulëzim Lelçaj nga Kuvendi, Marsida Xhaferllari nga Këshilli i Ministrave dhe dy përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi, dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Kristaq Gervenji.


Nisur nga pretendimet e opozitës për mungesën e hartave, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Marsida Xhaferllari, deklaroi se ishte e panevojshme që për një çështje teknike, sipas saj, të viheshin në dispozicion të gjykatës hartat, mbi të cilat u hartua marrëveshja.


Ndërsa përfaqësuesja e ministrisë së Jashtme ka sqaruar etapat, nëpërmjet të cilave kaloi miratimi i marrëveshjes.


Hysi ka theksuar se negociatat për hartimin e marrëveshjes nisën pas daljes së urdhrit të kryeministrit të vitit 2007, pavarësisht se këtu kemi të bëjmë me një paqartësi, po t'i referohemi deklaratës së mëparshme të kryenegociatorit të palës shqiptare, Ferit Hoxha, i cili ka bërë të ditur se negociatat kanë nisur që në vitin 2006, pra një vit para se të dilte urdhri i kreut të qeverisë.


Në fund, fjalën e ka marrë admiral Gërvenji, i cili i ka bërë një zbërthim teknik të kësaj marrëveshje, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e palës ankimuese se Shqipëria ka humbur hapësira të konsiderueshme detare.


Sipas tij, çdo ngatërresë lind nga referimi që i bëhet hartave dhe ligjeve të bëra nga Shqipëria gjatë sistemit komunist në mënyrë të njëanshme dhe që nuk njiheshin nga shtetet e tjera.


Kështu, ai ka hedhur poshtë edhe pretendimet se me anë të kësaj marrëveshje pala greke ka mundur të hyjë në kanalin e Otrantos, pasi, sipas tij, marrëveshja bënë një ndarje të ujerave deri në një largësi deri në 15 milje larg këtij kanali. Në përfundim edhe të seancës së pyetjeve, trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin, por pa përcaktuar një datë të saktë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›