E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van der Vart: I druhem Ozilit, Gëtces dhe Shvajnshtaigerit

Përgatiti: Arjan Koçi

Mesfushori i Holandës ka identifikuar tre lojtarët më të rrezikshëm te Gjermania, më pas shton: Duhet të kemi besim sepse mund tu krijojmë probleme.

Rafael van der Vart ka identifikuar tre lojtarë të Gjermanisë, të cilëve Holanda duhet tu ruhet gjatë ndeshjes së sotme. Skuadra e Bert van Marvijk do të luajë në Kharkiv kundër Gjermanisë në ndeshjen e dytë në Grupin B, ndërkohë që Holanda e ka detyrim fitoren pas humbjes tronditëse kundër Danimarkës 1-0 në ndeshjen e parë.

Edhe pse Gjermania aktualisht është në vend të parë të grupit pas fitores kundër Portugalisë, Van der Vart ka dashur të minimizojë forcën e skuadrës së drejtuar nga Joakim Lëv, duke thënë se vetëm tre lojtarë janë rrezik i madh.

“Unë mund të veçoj tre lojtarë shumë të mirë në përfaqësuesen e Gjermanisë: Mesut Ozil, Mario Gëtce dhe Bastian Shvajnshtaiger”, ka thënë ai. “Mbrojtja e tyre është mirë, por kaq. Mendoj se ne kemi më shumë cilësi.

Por futbolli ka lidhje edhe me vetëbesimin dhe kjo gjë na duhet tani. Van der Vart ishte pjesë e skuadrës holandeze që u mund nga Bajerni i Mynihut 3-2 në një ndeshje miqësore muajin që shkoi, por lojtari i Totenhemit ka thënë se loja sulmuese e treguar nga Holanda ishte treguese e cilësive të tyre.

“Për sa i takon lojës, ne dhurojmë më shumë. Në mbrojtje mund tu shkaktojmë probleme. Miqësorja kundër Bajernit nuk ishte test real, edhe pse ne shënuam dy gola shumë të bukur. Në këtë aspekt, ne mund të bëjmë diferencën.”

Hera e fundit kur këto dy përfaqësuese janë ndeshur ka qenë në miqësoren e Hamburgut në nëntor, kur skuadra e Lëvit fitoi 3-0. Por Van der Vart ka thënë se ajo mbrojtje duhet marrë me rezerva sepse skuadra holandeze luajti me shumë mungesa titullarësh.

“Humbja 3-0 në Hamburg ishte një rast i veçuar, pasi kishim shumë mungesa në atë ndeshje, ka thënë 29-vjeçari. Kjo ndeshje luhet sot në orën 20:45.

Van Persi, ai që do të ekzekutojë penalltitë

Robin van Persi do të kishte gjuajtur penalltinë për Holandën po të ishte dhënë një gjatë ndeshjes së humbur 1-0 kundër Danimarkës në Euro 2012, sipas Arjen Robenit.

Holandezët besonin se u takonte një penallti në minutat e fundit të ndeshjes kundër skuadrës së drejtuar nga Morten Olsen të shtunën, kur topi u duk se pati kontakt me krahun e Lars Jakobsen në zonë.

Edhe sikur të ishte dhënë penalltia, nuk do të kishte qenë Roben ai që do ta gjuante, pasi ai humbi dy penallti vendimtare për Bajernin e Mynihut sezonin që shkoi, kundër Çelsit dhe kundër Borusias së Dortmundit.

Ai ka thënë se përgjegjësinë e penalltive do ta merrte sulmuesi i Arsenalit. “Po të na ishte dhënë penalltia, do ta kishte gjuajtur Robin van Persi, ka thënë Roben për mediat. Holanda do të tentojë të marrë veten pas humbjes me një rezultat pozitiv kundër Gjermanië në Kharkiv të mërkurën.

Dirk Kajt nuk është i kënaqur me stolin…!

Sulmuesi i Holandës, Dirk Kajt, ka shprehur pakënaqësinë e tij për rolin e zëvendësuesit në ndeshjen e parë në Euro 2012. Sulmuesi i Fenerbahçesë e ka humbur vendin e tij në formacionin titullar për shkak të Ibrahim Afelait, pas një sezoni zhgënjyes më 2011-12.

Ai ishte në stol në humbjen 1-0 të Holandës kundër Danimarkës të shtunën. “Askujt nuk i pëlqen të jetë rezervë. Është një zhgënjim i madh sa herë që nuk dëgjon emrin tënd për formacionin”, ka thënë Kajt në faqen e internetit të Federatës Holandeze të Futbollit.

“Unë jam duke bërë maksimumin tim në fushën e  stërvitjes për të treguar se jam gati për të qenë titullar, por është trajneri ai që merr vendimin në fund. Duhet të mësohem me zhgënjimin sepse kemi nevojë për të gjithë lojtarët.” Holanda do të jetë në kërkim të fitores sonte, kur të ndeshet me rivalët e fortë, Gjermaninë, në Grupin B.

 

Emanuelson nxjerr vrer ndaj Van Marvijkut

Urbi Emanuelson i Milanit ka akuzuar trajnerin holandez Bert van Marvijk që e ka lënë jashtë skuadrës përfaqësuese për Euro 2012, duke thënë se ish-trajneri i Borusias së Dortmundit dhe Fejënordit “e ka humbur besueshmërinë”.

Lojtari 25-vjeçar u duk si kandidati i vetëm për të zëvendësuar Erik Pitersin në krahun e majtë të mbrojtjes pasi lojtari i PSV-së u detyrua të tërhiqej nga lista provizore për shkak dëmtimi, ndonëse kishte luajtur pjesën më të madhe të sezonit për klubin e tij në mesfushë.

Sidoqoftë, Van Marvijk eventualisht preferoi të riun Jetro Vilems dhe mesfushorin Stijn Shars dhe Emanuelson ka pohuar se e ka humbur respektin për trajnerin pas vendimi të tij, që nuk ishte i bazuar në fakte.

“Ai më tha mua se unë nuk kisha luajtur sa duhet në krah të majtë të mbrojtjes dhe se në mesfushë kishte shumë konkurrencë. Unë e pranoj vendimin e tij, por nuk është i bazuar në fakte”, ka thënë Emanuelson.

Trajneri ka thënë se unë kam dy vite që nuk ka luajtur në të majtë të mbrojtjes, kur unë në fakt kam luajtur rregullisht për Milanin. Nuk kam çfarë ti bëj këtij shpjegimi. Nuk është më i besueshëm për mendimin tim [pas një shpjegimi të tillë]. Është fare e qartë për mua.

Ai nuk më pëlqen si futbollist.” Emanuelson ka luajtur 15 ndeshje me Holandën dhe ndeshja e tij e fundit ka qenë kundër Anglisë në muajin shkurt, e fituar 3-2 nga Holanda.

Nojer: I njohim mirë holandezët

Portieri i Bajernit të Mynihut, Manuel Nojer, ka thënë se Gjermania e njeh shumë mirë forcën dhe cilësinë e skuadrës holandeze. Nojer ka thënë se do të jetë një ndeshje e veçantë për të sepse ai është rritur pranë një qyteti afër Holandës dhe ka shtuar se shpreson që atmosfera e ndeshjes të jetë emocionuese.

“Jam rritur në Vestfalen, që është pranë kufirit holandez, ka thënë Nojer. Për pushime shkoja në Holandë dhe kam luajtur me shumë lojtarë holandezë te Shalke. Te Bajerni luaj me Arjen Roben, i cili është pikë referimi.

Kur isha i vogël, kam ndjekur një ndeshjes mes Gjermanisë dhe Holandës. Atmosfera ishte fantastike. Për tifozët, kjo ndeshje është shumë e veçantë. Sigurisht që e di se ata janë shumë të fortë dhe i njoh. Jam i lumtur që do të luajmë kundër tyre në këtë turne.”

 

Shvajni: Duam të hedhim hapin tjetër

Bastian Shvajnshtaiger mund të humbë ndeshjen e dytë të Gjermanisë në Euro 2012, atë që luhet sonte në Grupin B kundër Holandës, pasi trajneri Lëv mendon ta zëvendësojë me Toni Kros për shkak të problemeve fizike që ka ai.

Ylli i Bajernit të Mynihut ka pasur probleme gjatë fazës përgatitore të këtij Europiani, por u kthye në kohë për të qenë në fushë kundër Portugalisë në fitoren 1-0 të shtunën në ndeshjen e parë në grup. Bastian Shvajnshtaiger ka thënë:

Ne duam të hedhim edhe hapin tjetër. E dimë se Holanda është nën një presion tepër të madh, por duhet të përqendrohemi te vetja çfarëdo që të ndodhë, do të jetë një ndeshje e fortë. Si lojtarë e presim me kënaqësi këtë ndeshje klasike.

Unë nuk ndiej ndonjë rivalitet, thjesht do të luajmë kundër një skuadre të madhe. Nuk mendoj se situatat e së shkuarës luajnë ndonjë rol tani.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›