E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e vrau Michael Jackson? (Gjithmonë nëse ka vdekur)

Ishte Obama. Në fakt jo, Michael është gjallë dhe madje mori pjesë edhe në funeralin e tij i maskuar me një paruke të verdhë. Këto janë disa teori dhe hipoteza të hedhura mbi vdekjen e yllit të muzikës pop që qarkullojnë nëpër internet. Mos vallë është një biznes prej miliona dollarësh?

Mesa duket Michael Jackson nuk ka vdekur. E kanë parë në zyrën postare të Blackpool në Angli: “Më mjaftoi që ta shihja në sy për t’u bindur që ishte ai”, shkruan dikush në një nga sitet kushtuar teorive mbi vdekjen e këngëtarit. Në aeroportin e Majamit, Jackson mbante një pelerinë të bardhë e maskë të zezë dhe ishte i rrethuar nga shumë truproja: “Njerëzit filluan të bërtisnin emrin e tij. Dhe unë ashtu bëra”, tregon një fans tjetër. Në Norvegji priste një tren, në hotelin “Hilton” në Dubai po dilte nga ashensori, në Zelandën e Re po hipte në një helikopter... Por për të gjetur provën finale të falsitetit të suksesit të tij, i cili ndoshta mund të ketë marrë fund për shkak të 400 milionë dollarëve që kishte borxh dhe mosdashjes për t’u rikthyer edhe një herë në skenë, duhet të vizitojmë faqen e “YouTube”-it, ku mijëra vizitorë kanë parë disa video të ndryshme ku Michael del me këmbët e tij nga ambulanca e Los Anxhelosit i mbuluar me një mbulesë të bardhë mbi një barelë.

Nuk ka dyshim që Michael është Elvisi i mijëvjeçarit të ri jo vetëm për shkak të teorive të komplotit, të cilat gjenden në internet, por edhe për faktin se si shfaqet në videon “We are the world” për Haitin. Si Presley, ashtu edhe Jackson po tregon se vazhdon të ketë sukses edhe i vdekur. Videoja “This is it”, që tregon për përgatitjen e rishfaqjes së tij në skenë, gjë e cila nuk ndodhi kurrë, ka shitur 1.2 milionë kopje vetëm në javën e parë të prezantimit. Nëpër kinema filmi kishte inkasuar rreth 260 milionë dollarë, një shumë e cila do të nevojitet për prezantimin e këngëve të reja të këngëtarit të regjistruara më parë. Në tekstin e secilës prej këtyre këngëve, fansat do të kërkojnë arsye të reja për ta kuptuar më mirë vdekjen e pakuptimtë dhe të paparashikuar. Të paktë janë ata që besojnë rezultatin zyrtar të autopsisë, sipas së cilës Jackson vdiq nga një intoksikim akut i një bari, në këtë rast propofol, emri komercial “Diprivan”, të cilin duhet ta merrte vetëm në spital, por që mjeku i tij Conrad Murray (prej 8 shkurtit është formalisht nën akuzë për vrasje pa paramendim) i jepte edhe barna të tjera si demerol, midazolam, diazepam, lidocaina dhe efedrina, një “koktej” kaq i ndërlikuar barnash sa kërkonte analizën e një sërë këshillash mjekësore: hetuesit e policisë së Los Anxhelosit kanë thënë se do të duhen shumë muaj para se të arrihet në rezultatin final.

Ndërkohë deri sa të arrihet në një përfundim do të vazhdojnë të shtohen teoritë e komplotit mbi vdekjen e yllit të popit. Teoria e fundit ka lidhje me një mesazh që doktor Murray ka lënë në sekretarinë telefonike të një pacienti të tij në orën 11.54, ditën e vdekjes së këngëtarit, ekzaktësisht kur ai duhej të kujdesej për Jackson që ishte në reanimacion. Mesazhi është marrë në konsideratë si nga mbrojtja ashtu edhe akuza: për të parën bëhet fjalë për provën e pafajësisë së doktorit, për të dytën për tentativën e tij për të ndërtuar një pistë mbrojtjeje, ndërkohë që ylli kishte vdekur.

Ishte një komplot i Obamës

Një teori tjetër që qarkullon në internet është edhe kjo: Jackson vdiq nga një impuls eletromagnetik i prodhuar nga agjentët e CIA-s, një armë sekrete, limiti i vetëm i së cilës është gjurma që lë. Impulsi është lëshuar nga Los Anxhelos prej satelitit rus “Kosmos 2450”. Spiunët amerikanë janë akuzuar nga një gazetare austriake, Jane Burgermeister, sipas së cilës Jackson do ta përdorte rikthimin e tij në skenë për të akuzuar Barak Obamën, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe disa kompani farmaceutike për hedhjen e vaksinës kundër virusit AH1N1 për të ulur numrin e popullsisë së botës. Si Jackson ashtu edhe sheiku Abdullah bin Hamad al-Khalifa, princi i Bahrein, i besonin teorisë së gazetares (sipas asaj që thekson ajo) dhe kishin lidhur një marrëveshje: në këmbim të parave që sheiku i kishte dhunuar Jackson-it, këngëtari kishte marrë përsipër të denonconte nga skena gjenocidin e Obamës. Burgermeister ishte kaq e sigurt për teoritë e saj, sa ka guxuar të denoncojë FBI-në, OKB-në dhe OBSH-në. Kjo gjë e ka nervozuar shumë eprorin e saj, saqë menjëherë e ka pushuar nga puna.

është vrarë nga Ahmadinexhadi

Kjo është një hipotezë tjetër që lidh vdekjen e Jackson me policinë ndërkombëtare, sidomos me atë të Lindjes së Mesme. Vdekja e “Jacko” ndodhi gjatë ditëve kur rojet e revolucionit përballeshin me demonstruesit nëpër rrugët e Teheranit. Menjëherë trafiku në faqen e “Twitter”-it, që deri në atë moment ishte bërë monopol nga protestat e studentëve iranianë, të cilët përdornin sitin për t’i dhënë fund censurës së regjimit të Mullah-it, u bllokua për shkak të vdekjes së yllit. Ishte një lidhje rastësore e mjaftueshme për t’i nxitur të pasionuarit e teorisë së komplotit që të akuzonin direkt Presidentin Mahmud Ahmadinexhad për vdekjen e Michael. është normale apo jo?

Ka vdekur, por është helmuar nga fluori

Sipas uebsajtit “Michaeljacksonhoaxforum.com”, Jackson vuante nga një intoksikim akut i fluorit, gjë që do të shpjegonte jo vetëm vdekjen, por edhe transformimin fizik, duke filluar nga ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, deri tek operacionet e kirurgjisë plastike. Sipas kësaj teorie, nuk është e vërtetë që përqendrime të tjera të fluorit mund t’i shkaktojnë dëme të mëdha shëndetit, edhe pse substanca gjendej në shumë qetësues që përdorte Jackson dhe ujin mineral që ai konsumonte. Fluori do të shpjegonte edhe mungesën e pigmentit të lëkurës (e njohur ndryshe si ‘vitiligine’), që sipas fansave të Jackson ka pasur një rol shumë më të rëndësishëm se sa kurat estetike për ta bërë gjithnjë e më të bardhë. Fluori shkakton edhe mosfunksionimin e mirë të enzimave, gjë që shkakton plakjen e parakohshme. Për këtë arsye këngëtari u nënshtrohej edhe operacioneve të shumta plastike. Kështu do të shpjegoheshin edhe plagët në gojë, gingivat e gjakosura, problemet me përqendrimin, anomalitë në rritjen e kockës, vështirësitë në frymëmarrje që e detyronin Jackson-in të flinte gjatë. “Si është e mundur që nuk e kemi kuptuar më parë?” - pyesin fansat në sit.

Ka vdekur, por ka qenë një vdekje e nxitur

është një nga teoritë më pak të vlerësuara nga fansat e Michael: sipas tyre, këngëtari i donte shumë fëmijët e tij Prince, Paris e Blanket dhe nuk ishte në gjendje ta vriste veten. Ajo që do ta detyronte të mos kryente një akt të tillë ishte edhe edukimi si dëshmitar i Jehovait. Ka nga ata që mendojnë se depresioni e ka shtyrë këngëtarin drejt vetëvrasjes, apo doktorin personal t’i japë fund jetës së yllit, duke i dhënë barna që i bënin dëm. Gjithashtu vetëvrasja do të shpjegonte edhe arsyen pse në atë moment ende nuk kishte nxjerrë një certifikatë mbi vdekjen zyrtare të këngëtarit, një sinjal tjetër ky që i bën fansat të dyshojnë për vdekjen e yllit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›