E Diel, 1 Nëntor 2026

Rillogaritja edhe për pensionet e caktuara nga gjykatat

09/12/2011  ISH-USHTARAKET / nga nisja e procesit e deri më tani janë llogaritur mbi 6500 përfitime

Krahas pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe përfitimeve suplementare në radhët e ish-ushtarakëve, procesit të rillogaritjes së pensionit do ti nënshtrohen edhe të drejtat e njohura nga vendimet e mëparshme. Pas marrjes së të dhënave mbi historikun e punës nga institucionet përgjegjëse për këtë kategori organet e sigurimeve shoqërore bëjnë rillogaritjen e pensioneve duke përcaktuar masën e re të trajtimit, e cila në asnjë rast nuk do të jetë më e ulët se masa e pensionit bazë të caktuar. Konkretisht në nenin 29 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, specifikohet se këtij procesi do ti nënshtrohen edhe përfitimet e caktuara më vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar. Njëkohësisht, sa i takon llogaritjes së përfitimeve të parakohshme, në ligj konfirmohet se pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto për çdo vit shërbimi. Në çdo rast masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Shumat e pensioneve të parakohshme të rillogaritura kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë i paguhen përfituesit me këste sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës. Procesi i llogaritjes po vijon normalisht. Burime zyrtare pranë ISSH-së bëjnë me dije se nga java në javë lista e trajtimeve të lidhura zgjerohet me qindra përfitues të rinj pas dosjeve të depozituara nga institucionet përgjegjëse. Nga nisja e procesit e deri më tani bëhet me dije se janë lidhur mbi 6500 pensione në radhët e ushtarakëve.

Vendimi i qeverisë

1. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të caktuar do të llogaritet sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të ligjit nr.10 142, datë 15.05.2009, të ndryshuar, dhe pas këtij veprimi, kur masa mujore e përfitimit në kohën e lindjes së të drejtës është më e vogël se pensioni bazë, sipas nenit 32 të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendoset sa pensioni bazë i pleqërisë. Mbi këtë masë përfitimi zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit të zbatuar për pensionet e pleqërisë në përputhje me nenin 32 të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të përcaktuar me vendime të Këshillit të Ministrave deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit.

2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit të parakohshëm, data mbi të cilën do të referohet paga mujore mesatare referuese neto do të jetë: data 1 janar 1999 (data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit nr. 8087, i ndryshuar) për ata persona që kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm për ata persona që kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës pas kësaj date; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm për ata persona që kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999.

Kushtet e përfitimit

Lidhur me kushtet e përfitimeve të parakohshme në nenin 13 të ligjit saktësohet se “Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë

11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kurplotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt, si dhe kur kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›