Vetëflijohet pasi plagos vëllanë, u grindën për katin e apartamentit
SHKODER - Nis si një grindje banale mes dy vëllezërve. Por pasojat janë të rënda. Një prej tyre mbetet i plagosur me thikë, ndërsa autori vetëhidhet nga kati i 6-të i pallatit ku jetonte, duke gjetur vdekjen në vend. Ngjarja është regjistruar rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm, në vendin e quajtur “Ura Dervish Beg”, në qytetin e Shkodrës. Burime zyrtare të policisë thanë se Mustafa Hebovija, 53 vjeç, pas një grindjeje të çastit me vëllanë e tij më të vogël, Myzafer Hebovija, 50 vjeç e ka goditur këtë të fundit me thikë. Kur ka parë vëllain e tij të mbuluar në gjak, autori ka kaluar në një gjendje depresioni të thellë. Sapo ka hyrë në banesën e tij, disa kate më lart se vëllai, është vetëhedhur nga dritarja e saj. Vdekja ka qenë e menjëhershme për 53-vjeçarin. Nga të dhënat e policisë mësohet se Mustafa Hebovija kishte shfaqur më parë probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë që vëllai tjetër, Myzaferi, është dërguar për në spitalin rajonal të Shkodrës ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga plaga e shkaktuar prej të vëllait. Mjekët kanë pohuar se gjendja e tij është jashtë çdo rreziku për jetën. Ajo çka kishte ndodhur ka mbledhur një grup hetimor të policisë së Shkodrës për të zbardhur motivet. Punonjësit e policisë kanë pyetur dhe të afërm të vëllezërve Hebovija. Sipas burimeve mësohet se mes dy vëllezërve ka nisur një debat i çastit për katin e pallatit ku ata jetonin prej më se një viti. Trualli ku është ndërtuar pallati i tragjedisë ka qenë në bashkëpronësi edhe të vëllezërve Hebovija. Këta të fundit pasi ia kishin dhënë me koncesion një firme private për ta ndërtuar kishin marrë nga një hyrje në këtë pallat. Hyrjet i kishin ndarë me short për të mos pasur keqkuptime dhe përfundimisht vëllait më të vogël, Myzaferit i ka rënë shorti që ta ketë banesën në katin e tretë, ndërsa viktimës Mustafasë shorti i kishte rezervuar katin e 6-të. Nuk dihen arsye pse mëngjesin e djeshëm Myzaferi të ketë hyrë në debat me të vëllanë për banesën ku kishin më shumë se një vit që jetonin. Sipas dëshmive të familjarëve, mes vëllezërve nuk dihet të ketë pasur ndonjë mosmarrëveshje të mëparshme, madje ata për 17 vite kishin jetuar së bashku dhe ishin shkuar shumë mirë. r.d