KFOR, EULEX shtojnë trupat në Mitrovicë: S’ka më dhunë
Pas situatës tronditëse në veri të Kosovës, me shpërthime, protesta e të lënduar gjatë mbrëmjes së të premtes, KFOR-i dhe EULEX-i kanë shtuar masat e sigurisë në Mitrovicë. Gjashtë persona janë lënduar në dy shpërthime që kanë ndodhur të premten në mbrëmje në pjesën e banuar me shumicë serbe në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Ngjarja u pasua me protesta dhe dhunë mes banorëve të dy etnive. Sipas policisë në Kosovë, kjo situatë ka krijuar pasiguri te popullsia. Ndërsa dje dita është përshkruar si e qetë dhe pa incidente. Në një komunikatë nga misioni evropian thuhet se “KFOR-i dhe EULEX-i nuk do të lejojnë asnjë lloj dhune në Kosovë dhe do të parandalojnë çdo incident të mundshëm”. Këto dy misione u kanë kërkuar të gjithë banorëve të Mitrovicës dhe zonave të tjera të Kosovës, të ruajnë qetësinë duke shtuar se KFOR-i dhe EULEX-i janë të gatshëm të përgjigjen fuqishëm ndaj çfarëdo kërcënimi që i bëhet sigurisë në Kosovë. Të premten në mbrëmje ndodhi një shpërthim rreth orës 23 afër lokalit “Viva”, në pjesën veriore të Mitrovicës ku u shkatërruan 7 makina. Më pas serbët i vunë flakën dy dyqaneve të shqiptarëve. Derisa zjarrfikësit shuanin flakët në lokalet e shqiptarëve në Lagjen e boshnjakëve, ndodhi shpërthimi i dytë ku u plagosën 7 zjarrfikës. Tre nga të lënduarit nga ky shpërthim janë zjarrfikës. Jeta e tyre është jashtë rrezikut, thonë mjekët e spitalit në veri të Mitrovicës. Pas dy shpërthimeve dhe protestave të dhunshme që ndodhën në Mitrovicë, erdhi edhe reagimi i Presidentit i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u shmangen provokimeve të ndryshme. “Aktet e tilla të dhunshme, pa marrë parasysh motivet dhe autorët, nuk i shërbejnë perspektivës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu duke shtuar se “Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për sundimin e rendit dhe të ligjit, për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike dhe nuk do të lejojnë që aktet e tilla ta vënë në rrezik të ardhmen euroatlantike të vendit”. Ndërsa Ministri i Brendshëm Zenun Pajaziti, ka deklaruar për BBC-në se institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare do të menaxhonin situatën në veri.