Rinas; Ekstradohet Brahimetaj, i dënuar me 25 vite burg për vrasje
Interpol Tirana ekstradoi dje nga Italia shtetasin Zenel Brahimetaj, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Pasditen e djeshme, rreth orës 17:20, nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Milano - Itali drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Zenel Brahimetaj, 51 vjeç lindur në Beter e Madhe, Mat dhe banues në Durrës. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me vendimin nr. 90, datë 11.12.1992 e ka dënuar me 25 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 84/5, i Kodit të Vjetër Penal të Republikës së Shqipërisë. Krimi për të cilin shtetasi Zenel Brahimetaj është deklaruar fajtor, ka ndodhur më datë 01.05.1992, rreth orës 08:30, ku shtetasi Zenel Brahimetaj ka vrarë me armë zjarri shtetasin Muharrem Brahimeta dhe ka tentuar të vrasë dy vëllezërit e viktimës, pas një sherri banal në lidhje me prishjen e një gardhi që ndante tokat e dy familjeve. Në mars të vitit 1997, shtetasi Zenel Brahimetaj është larguar nga burgu. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën më datën 17.08.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të shtetasit Zenel Brahimetaj. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.