E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, 38 vjet burg fajtorëve

GJIROKASTËR/ Gjyqi për tragjedinë ku humbën jetën 3 vetë e 14 familje mbetën të pastreha është në fundin e tij


GJIROKASTËR- Deklarimin fajtor të 7 të pandehurve për tragjedinë e shembjes së pallatit në Gjirokastër, ka kërkuar organi i akuzës, në procesin gjyqësor për këtë ngjarje.


38 vjet heqje lirie, 2. 4 milionë lekë gjobë dhe ndalim të ushtrimit të aktivitetit për një periudhë të caktuar. Ka qenë kjo kërkesa e prokurorisë, ndërsa banorët kërkojnë që drejtësia të ndëshkojë fajtorët.


Pretenca


Gati 1 vit pas ngjarjes së 9 nëntorit të vitit të kaluar, kur pas shembjes së një pallati 5- katësh në lagjen "11 janari" të qytetit të Gjirokastrës, humbën jetën 3 persona dhe 14 familje mbetën të pastreha, Prokuroria ka dhënë pretencën e vet.


Në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 7 të pandehurve për këtë ngjarje, kryeprokurori i Gjirokastrës, Alfred Saliu, ka kërkuar nga trupi gjykues deklarimin e të gjithë të pandehurve fajtorë për akuzat e ngritura nga organi i akuzës dhe dënimin e tyre. Sipas tij, kërkesa vjen pas shqyrtimit të të gjitha materialeve, provave dhe hetimit 1- vjeçar të kësaj ngjarjeje.


Dënimi më i ashpër është kërkuar për presidentin e firmës ndërtuese "Arti shpk", Sotiraq Janora, i cili është i vetmi që ndodhet ende në burg, për të cilin është kërkuar 21 vjet heqje lirie për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", si dhe "shkatërrim i pronës me dashje".


Ndërkaq, edhe për 6 të akuzuarit e tjerë për këtë ngjarje tepër të rëndë, organi i akuzës ka kërkuar dënimin me heqje lirie, gjobë si dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve për periudha të caktuara.


Për Afërdita Papamihalin, sekretaren e KRRT-së së bashkisë së Gjirokastrës, Alfred Mamanin, shef i zyrës së urbanistikës pranë bashkisë Gjirokastër dhe Admir Shehaj, ish- shef i inspektoratit të ndërtimit pranë këtij institucioni prokuroria kërkoi shpalljen fajtorë me akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe dënimin e tyre me 3.6 vjet burg, 500 mijë lekë gjobë si dhe moslejimin e ushtrimit të funksioneve publike për 1.5 vjet për secilin.


3 vite heqje lirie dhe 500 mijë lekë gjobë u kërkuan nga akuza edhe për inxhinierin e firmës ndërtuese "Arti shpk", Gjergji Meçe, ndërkohë që për dy të pandehurit e tjerë, Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin, ish- punonjës pranë policisë ndërtimore mbi të cilët rëndon akuza e "Shpërdorimit të detyrës" është kërkuar dënimi me nga 1 vit burg si dhe 200 mijë lekë gjobë për secilin.


Avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë kërkuar pafajësi, ndërsa në seancën e radhës, që pritet të zhvillohet më 2.............................. ata do të parashtrojnë argumentet e tyre të pafajësisë.


Procesi gjyqësor ndaj 7 të pandehurve nisi më 6 prill të këtij viti, një muaj pas mbylljes së dosjes hetimore nga ana e Prokurorisë.


Menjëherë pas ngjarjes, u arrestuan 10 persona si të dyshuar për shkaktimin e tragjedisë, prej të cilëve vetëm 5 janë aktualisht në bankën e të akuzuarve, ndërsa për 5 të tjerët prokuroria hodhi poshtë akuzat dhe i deklaroi ata të pafajshëm.


Ndërkaq, hetimet e mëtejshme morën të pandehur edhe dy prej punonjësve të policisë ndërtimore. Hetimet treguan se pallati 5-katësh u shemb për shkak të punimeve që po kryheshin për ndërtimin e një qendre tregtare.


Banorët


Edhe pse ka kaluar gati 1 vit, banorët e pallatit të shembur vazhdojnë të jenë ende të tronditur, Një pjesë e mirë janë sistemuar në banesa, ndërsa ka ende familje që vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi me qira, ndërsa i ndjekin rregullisht seancat në procesin gjyqësor. Ata kanë kërkuar dënimin e fajtorëve si dhe dëmshpërblimin e tyre nga firma ndërtuese "Arti shpk".


"Shpresoj se drejtësia do veprojë drejt, sipas fajit që ka bërë secili, për ata që na shkaktuan katastrofën. Ata duhet edhe të na dëmshpërblejnë", shprehet Sokrat Papadhopulli, njëri prej banorëve të dëmtuar.


Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi me 9 nëntor të vitit të kaluar në lagjen "11 janari" të qytetit të Gjirokastrës. Si pasojë e punimeve që po kryheshin për ngritjen e një qendre tregtare, në anë të rrugës Gjirokastër- Kakavijë një pallat 5- katesh u shemb, duke shkaktuar 3 viktima, disa të plagosur e duke lënë të pastreha 14 familje.


Dhjetëra persona u morën në pyetje. Anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, zyrtarë të bashkisë, anëtarë të Këshillit Teknik të KRRT-së janë marrë në pyetje, për të zbardhur mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit, si dhe mënyrën se si punohej për ngritjen e qendrës tregtare.


Ndërkaq, ekspertët gjeologë e gjeofizikë, të cilët menjëherë pas ngjarjes së 9 nëntorit, kryen hulumtime të thella për të gjetur shkaqet e saj si dhe shkallën e rrezikshmërisë që mbart, mendojnë se rreziku vazhdon të jetë evident.


Sipas tyre kanë qenë tri faktorë që sollën shembjen e pallatit: ndërtimi gjeologjik i zonës, relievi dhe proceset e tjetërsimit si dhe aktiviteti human i pakontrolluar.


Në 80 milionë lekë u përllogarit dëmi material i shkaktuar, ndërsa familjet përfituan 3.2 milionë lekë, prej të cilave 2.8 milionë të dhëna nga qeveria dhe 400 mijë nga bashkia e qytetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›