Dibër, protestë e banorëve të zonave të tërmetit
DIBËR - Banorët e zonave të dëmtuara nga tërmeti kanë protestuar dje tek zyrat e komunës Gjoricë për mungesën e transparencës në shpërndarjen e ndihmës kompensuese në të holla akorduar nga qeveria për këtë fatkeqësi natyrore.
Banorë të ardhur kryesisht nga fshati Cerenec i komunës Gjoricë thanë se "ndryshe nga sa na është thënë, ndihma nuk po na shpërndahet hapur, sepse edhe listat këtu në hollet e komunës, kanë vetëm emrat e përfituesve, por jo shumat përkatëse për çdo familje".
Nga ana e komunës u është sqaruar se detajimet e parave të dhëna nga qeveria për secilën famlije të dëmtuar gjenden në zyrat e qarkut, atje jepet dhe çeku për të marrë paratë e përcaktuara për çdo familje. Një nga banorët u shpreh: "Kjo është bërë që gjërat të mos ishin hapur, sepse këtu ku jemi dëmtuar shihen se sa me ndershmëri janë ndarë këto kompensime".
Banorët ankohen se dhe brenda një çatie dikush ka marrë një shumë parash të përcaktuar dhe tjetri as gjysmën, dhe kjo nuk bëhet transparente. Ndërkohë që duhej të kishin ardhur komisione rivlerësimi, sipas drejtuesve të prefekturës në Dibër, një gjë e tillë nuk është bërë.
Paradoksi tjetër lidhet me fatin se paratë e akorduara nga qeveria duket se janë ndarë sipas "shkathtësisë" së demostruar nga ana e drejtuesve të komunave për t'u ujdisur me komisionet e vlerësimit, pasi p.sh. është krejt paradokal fakti se nëse Gjoricës që ishte epiqendra e tërmetit dhe dëmtimet janë shumë të mëdha, i janë akorduar vetëm 140 milionë lekë, një komune tjetër që ka fare pak shtëpi të dëmtuara, ka përfituar deri në 400 milionë.
Për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, vende të cilat u vizituan dhe nga kryeministri Berisha, qeveria akordoi 1,3 miliardë lekë për 1600 familjet e dëmtuara, por duket se ato nuk po shkojnë në destinacionin e duhur, ndaj banorët janë të pakënaqur, edhe pse protestën e tyre e shfaqin me frikë, sepse përndryshe u cungohet dhe ajo pak përkrahje ekonomike prej 20 mijë lekësh të vjetër për familje, si një serum që po vazhdon t'i mbajë gjallë me familjet e tyre me numër të madh anëtarësh e mungesa burime jetese