Vlorë, këshilli bashkiak drejtohet me dy kryetarë
NGËRÇI/ Bashkimi i LSI-së me PD-në ka sjellë probleme në mbledhjen e këshillit
VLORË - I mbledhur dje në orët e pasdites, këshilli bashkiak i Vlorës ka reflektuar sërish ngërçin institucional. E pazakonta është ndjerë që në çeljen e mbledhjes, ku në podium kanë qenë dy kryetarë.
Drejtimi është marrë në të njëjtën kohë nga dy krerët, ai i shkarkuar nga 24 votat e mbledhjes paraardhëse, Arben Sinani, përfaqësues i LSI-së, dhe kryetari i zgjedhur po me këto vota, Kujtim Sulçe i PS-së.
Tensioni, debatet dhe kaosi kanë mbizotëruar gjithë mbledhjen pas kësaj. Pas bojkotimit të dy mbledhjeve radhazi, sallës i janë bashkuar këshilltarët e spektrit të djathtë. Ata i kanë quajtur të paligjshme të gjitha procedurat e ndjekura, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të këshillit, Kujtim Sulçe.
Ky i fundit është përgjigjur se nëse do të kishin vërejtje t'i drejtoheshin gjykatës për legjitimitet. Debate të forta ka pasur ndërmjet këshilltarëve të së djathtës, kreut të këshillit, të rrëzuar nga 24 votat Arben Sinani e kryebashkiakut Gjika.
Gjika ka këmbëngulur se mbledhja ishte në përputhje me ligjin, ndërkohë që këshilltarët e djathtë kanë pohuar se nuk njihnin asnjë nga vendimet e mbledhjes paraardhëse, duke njohur për kryetar të ligjshëm Sinanin e LSI.
Kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili ka thirrur dhe mbledhjen, tha: "Jemi në një situatë nul, ku njëri krah nuk njeh ligjitimitetin dhe krahu tjetër prej 24 këshilltarësh këmbëngul në legjitimitet.
Në këtë mbledhje kthehet për shqyrtim vendimi i prefektit dhe unë këtë mbledhje e kam thirrur sipas të drejtës që më jep ligji, vetëm në respekt të institucionit të prefektit të qarkut. Ai tashmë e ka thënë fjalën e tij se nuk mund të shprehet mbi ligjshmërinë e mbledhjes paraardhëse të këshillit bashkiak, pasi nuk njeh kryetarin e ri.
Po ju kujtoj se një mbledhje më parë këshilli mbeti në kolaps dhe u zgjodh kryetari i ri sipas gjithë procedurave. Sot unë nuk kam thirrur mbledhjen për të miratuar, por vetëm për shqyrtim të vendimit të prefektit të qarkut, i cili pas kësaj ka të drejtën që t'i drejtohet gjykatës. Kur nuk është gjetur asnjë zgjidhje administrative, këtë tashmë e zgjidh vetëm gjykata".
Edhe dje këshilltarë të djathtë kanë dhënë një konferencë për shtyp në lidhje me zhvillimet e këshillit bashkiak. Ata i janë referuar shumës prej 2,6 miliardë lekësh, e cila kërkohet të investohet nga Bashkia e Vlorës, shumë që sipas tyre nuk është ende transparente.