E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mitura kërkon të martohet me një 40-vjeçar, prindërit bëjnë padi

Një e mitur thotë se dashuron një 40-vjeçar, ndërsa prindërit akuzojnë "të dashurin" e saj për përdhunim. Çështja është bërë objekt i punës hetimore të policisë dhe Prokurorisë së Beratit dhe ka krijuar një konflikt mes dy familjeve që përpara kësaj historie kishin lidhje miqësore. E mitura ka pohuar para prindërve se dashuronte dhe donte të martohej me 40-vjeçarin, që është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Kjo ka bërë që familja e saj të ngrejë padi ndaj 40-vjecarit I.Dyli. Vetë vajza 16 vjeçe me inicialet Dh.Sh., nxënëse e vitit të dytë të shkollës së mesme, thotë se është tashmë nën një presion të dyfishtë: nga njëra anë prindërit dhe nga ana tjetër dashuria. Dh.Sh. i ka pohuar me lot në sy edhe psikologes se dashuron një burrë rreth të dyzetave. Sipas saj, ky person i pëlqen dhe është njeriu me të cilin dëshiron të martohet, pavarësisht se ai ka një grua dhe është baba i dy fëmijëve. Vajza është njohur me 40-vjeçarin dy vite më parë, kur ky i fundit e ka joshur me fjalë e gjeste të ëmbla dhe gjithçka të miturës i është dukur normale. 16-vjeçarja pohon se ai është i pari burrë në jetën e saj dhe sipas saj, në mentalitetin e krijuar në familje e në shoqëri, duhet që po me këtë person të martohet, pasi tani askush nuk do ta pranonte. Historia shokuese e vajzës ka tronditur prindërit, të cilët nuk arrinin t‘u besonin fjalëve të saj. Vajza pohon se nuk i kishte mbushur ende 14 vjeç kur është lidhur me këtë njeri, është e bindur se ai e dashuron. Ajo thotë se ky burrë do të bëjë gjithçka që të martohet me të, pavarësisht rrethanave. Pas rrëfimit të vajzës, prindërit i janë drejtuar policisë së Beratit ku dhe kanë bërë një denoncim për 40-vjeçarin, i cili konsiderohet prej tyre pedofil. Sipas prindërve, vajza e tyre është përdhunuar dhe i është bërë presion për të mos treguar të vërtetën. Prindërit kërkojnë të ndëshkohet 40-vjeçari, i cili ka hyrë në familjen e tyre në mirëbesim, si mik. Organi i akuzës mësohet se ka nisur tashmë hetimin në gjendje të lirë ndaj 40-vjeçarit I.Dyli. Sipas akuzës, hetimi do të bëhet në mënyrë tepër të kujdesshme, pasi çështja është delikate dhe dy familjet tashmë janë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›