Berat, tre vëllezër marrin peng kandidatin për dhëndër
Një 22-vjeçar nga Berati është marrë peng nga vëllezërit e vajzës me të cilën pretendonte të fejohej një ditë përpara festës së të dashuruarve. Krenar Kanaçe, banor i fshatit Duhanas priste të fejohej me një vajzë nga qyteti i Beratit, me të cilën mendohet të ketë pasur një lidhje, por ka përfunduar i marrë peng dhe i keqtrajtuar nga tre vëllezërit e vajzës. Ngjarja ndodhi dje në qendër të qytetit, ku dëshmitarë të marrjes peng të të riut janë bërë dhjetëra kalimtarë të rastit, ndërkohë që policia ka arritur të ndalojë mjetin e rrëmbyesve dhe si rezultat të mundësojë lirimin e të riut. Rreth orës 14:20 të ditës së djeshme, 22-vjeçari është ndaluar nga tre persona në qendër të qytetit, përballë kinemasë "13 Shtatori". Ai është zbritur forcërisht nga makina e tij tip "Alfa Romeo" me targa BR2858B është futur në një tjetër makinë. Në anë të rrugës mësohet se ka qenë mjeti tip fuoristradë me targa të targa BR2413B. Kalimtarët e rastit kanë njoftuar policinë për ngjarjen, duke dhënë edhe targën e makinës në të cilën u fut forcërisht 22-vjeçari. Uniformat blu kanë bllokuar menjëherë rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit. Mjeti tip fuoristradë mësohet se fillimisht është parë të udhëtojë drejt hyrjes së qytetit, por vënia e menjëhershme në lëvizje e uniformave blu ka bërë që pengmarrësit të ndryshojnë drejtim. Pak minuta më pas mjeti është parë të përshkojë me shpejtësi rrugën kryesore të qytetit për në dalje të tij. Për rreth 40 minuta i riu është mbajtur peng në mjet ku dhe mësohet të jetë rrahur. Uniformat blu dhe trupat speciale të ndjekjes pranë Drejtorisë së Policisë Berat mësohet se kanë arritur të bllokojnë fuoristradën në afërsi të stadiumit "Tomori". Pas rrethimit nga policia, tre vëllezërit kanë lënë të lirë 22-vjeçarin Kanaçe dhe pa bërë rezistencë janë dorëzuar te forcat e rendit. Burimet policore njoftuan se tre pengmarrësit janë vëllezërit Nderim, Edmond dhe Gazmend Nazëri, të cilët janë shoqëruar menjëherë në dhomat e paraburgimit. Vëllezërit Nazëri, përkatësisht 45, 40 dhe 32 vjeç, banorë të lagjes "Uznovë", janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Nga deklarimet e para ata kanë pohuar se nuk kishin si qëllim të merrnin peng të riun, por vetëm donin ta frikësonin që ai të hiqte dorë nga pretendimet për t‘u fejuar me motrën e tyre. Vetë 22-vjeçari ka pohuar në polici se kishte kërkuar disa herë dorën e vajzës së familjes Nazëri, me të cilën kishte një lidhje, por është kundërshtuar prej tyre. Këtë gjë i riu e ka bërë dhe disa ditë më parë duke ripërsëritur kërkesën për t‘u fejuar me M. Nazërin, 19 vjeçe, por familjarët e saj dhe në mënyrë të veçantë tre vëllezërit kanë kundërshtuar fort. Të bindur se 22-vjeçari nuk do të hiqte dorë nga pretendimet për t‘u fejuar me motrën e tyre ata organizuan dje rrëmbimin e 22-vjeçarit dhe dhunimin e tij. Policia tha se gjatë kohës që është mbajtur peng, ndaj 22-vjeçarit është ushtruar dhunë fizike dhe i është kërkuar të heqë dorë nga pretendimet për t‘u fejuar me 19-vjeçaren. Sipas burimeve të policisë tre vëllezërit do të përballen me akuzën e "rrëmbimit të personit kryer në bashkëpunim".