Rindërtohen sahatet e Shqipërisë
Në dhomën e vogël pas Sahatit të Tiranës, aty ku dikur ka qenë dyqani i sahatçiut, Sulejman Dashi rindërton me durim kullat e sahatit të të gjithë Shqipërisë. Matësit e kohës kanë një histori të tyren. Sot përfaqësojnë edhe vlera të trashëgimisë kulturore. Ish-specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, prej disa muajsh në pension, Dashi vazhdon të punojë për projektin e miratuar më parë për ngritjen e muzeut të sahateve. Thuajse ka realizuar maketet e të gjitha sahateve që sot vazhdojnë të ekzistojnë ende në Shqipëri. I ulur përballë një tavoline të vogël, mbushur rrëmujshëm me mjete rrethanore që e ndihmojnë të krijojë një kolonë, një dritare, një parmak a një të çarë, Sulejman Dashi punon me detajet e fundit të ndërtesës së Sahatit të Vlorës. Maketet e sahateve të Elbasanit, Peqinit, Kavajës, Beratit, Korçës, Shkodrës, Krujës dhe Prezës janë rreshtuar në gjatësinë e murit. Dashi mund të tregojë gjithçka mbi ta: kush i ndërtoi, rreth çfarë viti, në cilën situatë historike, si kanë ndryshuar kullat e disa prej tyre ndër vite dhe në çfarë gjendje janë trashëguar deri më sot. Në fakt nuk ka studime të mirëfillta për kohëmatësit shqiptarë. Dashi vazhdon të ruajë një kumtesë të mbajtur herët prej tij. Në pjesën ballore të korridorit të vogël që të çon në dhomën që pretendohet të kthehet muze, ka ngjitur një format të madh letre, në të cilin shihen fotografi të hershme të sahateve. Sulës i kanë shërbyer si modele për të ringritur maketet. është në pritje të çeljes së fondit për ta kompletuar si muze. Deri më tani është ringritur godina, e cila ka eliminuar të gjithë hapësirën pas sahatit që njerëzit për forcë zakoni e kishin kthyer në një qoshe për të kryer nevojat personale. Pas restaurimit të Sahatit të Tiranës me fonde të ambasadës amerikane, MTKRS-së dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, pritet çelja e një tjetër fondi për të përfunduar muzeun e sahateve. Dashi shprehet se është menduar që ky muze të rindërtojë historinë e kohëmatësve në Shqipëri. Veç maketeve do të ekspozohen fotografi të hershme të këtyre sahateve apo edhe figura që kanë ndërmarrë ndërtimin e tyre. Sot te ne vazhdojnë të ekzistojnë 14 sahate, mes të cilëve ai i Libohovës dhe Kaninës ruhen në mënyrë të pjesshme. Sipas Dashit, sahatet në vendin tonë janë ngritur nga esnafët. Kjo gjini arkitekturore e lidhur ngushtë me shpikjen e mekanizmit të orës është shfaqur në Europë në shekullin XIV. Tregtarët shqiptarë, të cilët kishin kontakte të shpeshta me qytetet europiane, sollën që andej mekanizmat e orës dhe ndërtuesit vendas e materializuan këtë sukses të mendimit njerëzor në vendin e tyre. Sipas specialistit, vendasit e konceptuan kullën e sahatit si element të rëndësishëm urbanistik si për zgjedhjen e vendit të vendosjes, edhe për përkujdesjen e veçantë dekorative estetike. Janë shfrytëzuar kuotat më të larta, që kulla të mbizotërojë jo vetëm pazarin, por krejt qytetin. E para kullë sahati mendohet të jetë ndërtuar në qytetin e Shkupit rreth viteve 1560-1570. Në shekullin XVII kulla sahati kishin edhe qytetet e tjera të dëgjuara si Elbasani, Prizreni, Berati, Kruja, Shkodra, kurse në qytetet e Korçës, Prishtinës e Pejës, esnafët i ndërtuan kullat gjatë shekullit XVIII. Kulla sahati ndërtohen gjatë shekullit XIX edhe në qytetet më të reja zejtare si Kavaja, Tirana, Peqini, Preza, Libohova. Ndërkohë një pjesë e madhe e tyre lidhen me emra historikë të njohur. “Janë figura si Haxhi Et’hem Beu, Kapllan Pasha, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Bushatlliu etj., pra është Shqipëria e fundshekullit XVIII dhe e fillimshekullit XIX”, shprehet Dashi. Sipas tij, kjo gjini arkitektonike ka rëndësi urbane, sepse ishte për tregun, por ishte edhe për qytetin. Ndërtimi i këtyre sahateve në vendin tonë ka ndjekur një rrugë zhvillimi origjinale. Në fakt aq pak sa njihet historiku i tyre, aq pak është edhe përkujdesi, por fati ka dashur që shumica prej tyre të ruhet ende në gjendje të mirë. U desh mjaft kohë që Sahati i Tiranës të dilte në dritë. Pjesa fundore e tij ishte kthyer në një vend të përshtatshëm për ngjitjen e lajmërimeve. Tashmë vetë kulla, por edhe vendi përreth është stabilizuar disi.
#