Ambasadori gjerman, Borchardt: BE pret zgjidhjen e krizës
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt ka deklaruar dje se se Bashkimi Europian pret nga Shqipëria një zgjidhje të krizës politike. Ambasadori gjerman ka bërë thirrje se zgjidhja duhet të bëhet në kuadrin e transparencës dhe në bazë të Kushtetutës. “Bashkimi Europian u ka thënë drejtuesve të politikës të gjejnë një zgjidhje, le ta përshëndesim këtë zgjidhje që do të vijojë në kuadër të transparencës dhe në bazë të Kushtetutës”, u shpreh ai. Borchardt tha se BE është e shqetësuar për situatën politike në Shqipëri. “Shqipëria ndodhet në momente të rëndësishme, Shqipëria ndodhet pranë afrimit me BE-në. Nga deklaratat e komisionerit europian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë kam kuptuar se situata aktuale politike në vend ndikon te proceset integruese”, nënvizoi Borchardt për mediat. Qëndrimi i diplomatit gjerman u bë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për “Për një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale”, projekt i cili realizoi gjatë vitit 2009 modelin e parë të monitorimit të qëndrueshmërisë së administratës publike nga ana e shoqërisë civile. Gjatë vitit 2010 me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane, në një vlerë prej afro 24.000 eurosh AKSES do të vazhdojë monitorimin në 15 institucione të qeverisjes qendrore të cilat përfshijnë edhe një pjesë të rëndësishme të shërbimit civil në Shqipëri. Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt tha: se “Progresraporti i fundit i Komisionit të BE-së për Shqipërinë në mënyrë po të njëjtë, kritikon vazhdimin e qarkullimit të motivuar politikisht të punonjësve të administratës dhe procedurave jotransparente për rekrutimin në shërbimin civil. Kjo ndikon negativisht në imazhin e Shqipërisë.
#