Ringjallet konflikti MTKRS-KOKSH
Ringjallet konflikti i vjetër mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Shkak bëhen sërish asambleja zgjedhore e organizatës ombrellë të federatave sportive në vend. KOKSH kishte njoftuar prej kohësh se, "me propozim të presidentit të KOKSH, z. Hysen Domi, komiteti ekzekutiv në mbledhjen e datës 22/04/2009, me vendim nr.14 dhe me miratimin e CIO dhe COE, vendosi të thërrasë Asamblenë e 14-të të Përgjithshme Zgjedhore, për zgjedhjen e organeve drejtuese të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (president, sekretar i përgjithshëm dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv), për periudhën 2009-2012". Kjo asamble është parashikuar të mbahet sot (më 14 korrik) në ambientet e hotel "Sheraton" në kryeqytet. Por ministri i Sporteve, Ardian Turku, ka paralajmëruar drejtuesit e KOKSH që të mos e zhvillojnë asamblenë zgjedhore të këtij organizmi ditën e martë (sot). Sekretari i KOKSH, Stavri Bello, pohon se ka marrë telefonata kërcënuese nga vetë ministri Turku, ndërkohë që sipas tij pjesëtarë të kësaj ministrie, përfshirë edhe titullarin, kanë filluar fushata kërcënuese për pjesëtarët e federatave që do të marrin pjesë në këtë asamble zgjedhore. "Ka tentativa nga MTKRS për të sabotuar asamblenë. Ka pasur një telefonatë kërcënuese të ministrit dhe emisarë të ministrisë në ambientet e federatave që po mundohen t‘i bindin krerët e tyre të mos marrin pjesë në asamblenë e KOKSH", ka pohuar Bello. Një gjë e tillë lë të kuptohet se pas largimit të ish-ministrit Pango, MTKRS ka ndryshuar thjesht titullar, por jo politikën e saj në marrëdhëniet me KOKSH-in. Për sa u përket kandidatëve, sekretari Bello pohon se Esat Ademit i është hequr e drejta për të kandiduar sërish në këtë post për shkak të dhunës në asamblenë e dhjetorit të kaluar. "Komiteti do të vendosë për moslejimin e kandidimit për shkak të veprimeve të kryera në asamblenë e 6 dhjetorit", ka shtuar Bello. Incidentet e dhunshme kanë parë të përfshirë si protagonist kryesor pikërisht zotin Ademi, ish-kandidatin e asamblesë së 6 dhjetorit 2008 dhe njëkohësisht president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që u bë shkak edhe për pezullimin e asaj asambleje. Sipas informacioneve të marra deri tani, Asambleja Zgjedhore e KOKSH do të monitorohet nga drejtues të Komitetit Olimpik Botëror dhe ai Europian, ndërkohë që deri tani formularin e kandidimit e kanë firmosur Agim Fagu, Vesel Rizvanolli dhe Esat Ademi.