Akord 2 milionë euro me "UFA Group" për të drejtën TV
Klubet shqiptare të Kategorisë Superiore dhe ato të Parë kanë rënë dakord që t‘ia shesin të drejtën televizive të kampionatit shqiptar kompanisë "UFA Group", e cila është pjesë e "RTL Group". Akordi parimor lidhet me shitjen për katër vjet të ndeshjeve në dy kampionatet profesioniste në vend, ndërsa shifra e përgjithshme kap vlerën e 2 milionë eurove. Në edicionin e parë skuadrat do të përfitojnë 300 mijë euro, të cilat do të ndahen në arkat e klubeve sipas koeficientit të secilës prej pjesëmarrëseve. Por, në mbledhjen ku morën pjesën përfaqësuesit e "UFA Group" dhe drejtues të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, u vendos ngritja e një grupi pune, i cili do të përbëhet nga 6 përfaqësues klubesh. Ata do të përpilojnë detajet e marrëveshjes, nëse e drejta TV do të shitet në grup, apo individualisht, dhe më pas do t‘ia paraqesin kompanisë së interesuar. Gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar edhe për disa pika që kanë lidhje me rregulloren e lojës. Nuk ka ndryshuar neni i futbollistëve të huaj: numri i lojtarëve joshqiptarë në fushë mbetet i kufizuar, skuadrat nuk lejohet të aktivizojnë më shumë se pesë të tillë. Ka ndryshuar rregulli i Kupës, ku tashmë lojtarët mund të aktivizohen me dy skuadra gjatë edicionit, ndërsa finalja e trofeut të dytë për nga rëndësia në vend do të zhvillohet një javë përpara mbylljes së kampionatit.