Rinia ballkanike dhe dialogu ndërkulturor
Qyteti euroaziatik i Stambollit bëhet këto ditë mikpritësi i një aktiviteti ndërkombëtar në kuadër të Javës Evropiane të Rinisë. Konferenca, diskutime dhe veprimtari të tjera do të ndërmerren prej pjesëmarrësve që vijnë nga një numër vendesh ballkanike dhe evropiane, përfshi edhe përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria. Aktiviteti do të mbyllet me konferencën "Rinia ballkanike dhe dialogu ndërkulturor" që do të zhvillohet më datat 5-7 nëntor 2008, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turqisë në kuadër të programit "Rinia në Veprim" dhe mbështetur nga Këshilli i Evropës e Komisioni Evropian. Projekti synon mbështetjen e grupmoshave të reja të vendeve të BE-së, por edhe të vendeve që kanë interes në këtë nismë. Sipas organizatorëve, janë rreth 100 të ftuar që do të diskutojnë midis tyre ndryshimet dhe të përbashkëtat kulturore përmes prezantimit të aktiviteteve të ndryshme në fusha të tilla si media, kinemaja, aktrimi, piktura etj. Qëllimi është promovimi i mirëkuptimit, dialogut dhe diversitetit midis të rinjve dhe krijimi i mundësive për kontakte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.