E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinisin gërmimet në qytetin antik të Hadrianopolit

Ekipi i kësaj ekspedite përbëhet prej arkeologeve dhe specialisteve të Universitetit të Maçeratës drejtuar nga Prof. Roberto Perna dhe Instituti i Arkeologjik të Tiranës drejtuar nga Prof. Dhimiter çondi. Ky mision është në vazhdim të ekspeditave të mëparshme dhe një pjesë e programit të tij ka nisur gjatë muajit maj dhe me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve Gjirokastër me studimin e materialeve të zbuluara më parë dhe realizimin e Hartës Arkeologjike të Luginës së Drinosit.

Sipas Profesor çondit, në kërkimet e këtij viti përveç studenteve italianë të Universitetit të Maçeratës, atyre shqiptarë të universiteteve publike të Gjirokastrës dhe Tiranës janë të përfshirë edhe një ekip studentësh të arkeologjisë nga Universiteti i Oksfordit në Angli. “Objektivi kryesor në këtë ekspeditë është thellimi dhe shtrirja e gërmimeve në brendësi të qytetit romak të Hadranopolit, të cilit tashmë i dihet perimetri. Duke zmadhuar dhe thelluar zonën e gërmuar në vitin 2009, kërkimet do të shtrihen brenda ndërtesës së madhe publike të zbuluar në ekspeditat e viteve të shkuara, ku interes të veçantë paraqet dyshemeja”, tha arkeologu italian Roberto Perna.

Ndërkaq mësohet gjithashtu se Teatri i Hadrianopolit do të jetë objekt i kërkimeve arkeologjike për të përcaktuar fazat ndërtimore më të vjetra të tij. Interes të veçantë për arkeologët gjatë kësaj ekspedite do të ketë edhe vazhdimi i kërkimeve të nisura në 2009 pranë Nekropolit. Në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve në Tiranë dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve Gjirokastër do të realizohet restaurimi i Orkestrës së Teatrit dhe i disa objekteve të periudhës romake. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga të dy palët, pritet që të realizohen hapa të rëndësishëm edhe në drejtim të rijetëzimit të monumentit.

Në këtë kuadër më 14 gusht është parashikuar që në Teatrin e Hadrianopolit të organizohet një mbrëmje baleti e titulluar “Në gjurmët e Adrianit” me balerinën shqiptare Anbeta Toromani, dhe ata italianë Alessandro Macario, Marta Mafalda Marcelli, Jonatan de Luis Mazagatos. Kërkimet arkeologjike dhe aktivitetet për vlerësimin e zonës arkeologjike bëjnë pjesë në Projektin “Archadrin”. Sipas drejtuesve të ekspeditës arkeologëve Perna dhe çondi, projekti do të ketë sivjet një kompleksitet ndërinstitucional në drejtim të zhvillimit integral të zonës ku marrin pjese rreth 11 institucione nga të dy vendet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›