E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciceroni dhe Vasiliqia

Jeta e tij i kalon gjashtë dekadat, duke jetuar pranë një deti të kristaltë. Jo shumë larg nga vendi ku kishte lindur, një njëri i madh si nga pesha ashtu edhe nga ndikimi kishte ndërtuar një kala që sot e kësaj dite qëndron.

Ajo është kalaja e Vasiliqis që Ali Pashë Tepelena e ndërtoi për gruan e tij të dytë, e që thuhej se e kishte fort afër zemrës. Të jetuarit pran detit mund të sjellë edhe kuriozitete. E ky është njëri ndër ta!
“Si duket bora, çfarë ngjyre ka?”, thoshte Kelo Koqi, ciceroni i Kalasë së Ali Pashës.

Një fshatar fisnik, por më metropolitan sesa shumë njerëz të tjerë. Jetesa afër detit nuk ia lejoi që për sa ka jetë ta shijojë borën.

Por të flasim paksa për kalanë e Vasiliqisë.

“Kalaja është e ndërtuar dikur rreth vitit 1805 nga Pashai mbi themelet e një kishe”, tregon Koqi.

Pasi punimet në këtë kala të rrethakuar nga tri anët nga deti dhe nga kodrat kishin përfunduar, Ali Pasha Tepelena kërkon një gjë që ndërtuesi i saj të vendoset brenda kalasë dhe ta gjuajë me top.

Nëse kalaja do të prishej atëherë do të pasonte dënimi. Por fatmirësisht kalaja qëndron madje edhe sot e kësaj dite. Kalaja ka formën e një trekëndëshi ku në çdo cep të saj gjenden kullat vrojtuese të ndërtuara nga gurë të bardhë që ndalonin edhe nxehtësinë.

Hyrja në kala të jep freskinë, duke ulur përgjysmë temperaturat e larta që rrethojnë këtë pjesë. Në errësirën e pjesës ballore atje ku imagjinata të kthen në kohë gjendet edhe dhoma e pashait.

Ndryshe nga dritaret e dhomave tjera ajo është më e ndriçuar nga të gjithat.

”Kjo dhomë është më e ndriçuar për shkak se pashai ka pasur mbrojtje nga afër”, tregon Koqi.

Përballë dhomës së pashai dikur gjendej dhoma e mysafirëve e pajisur me oxhak dhe dollap të improvizuara.

Kur nata binte në këtë kala atëherë niste një aventurë tjetër.

Brenda kalasë gjendet edhe haremi.

Posa të hyni në këtë dhomë të madhe, në anën e majtë gjendeshin shkallët ku Ali Pashë Tepelena ulej. Pranë tij gjendej edhe një skenë e vogël ku luheshin pjesë teatrale për pashain por edhe mysafirët e tij. Jo shumë larg gjendeshin edhe bujtina ku pas netëve plot alkool dhe dëfrimin përfundonin me seks.

Kalaja së pari ishte nderuar si një oazë për Ali Pashën, mirëpo, gjatë historisë së saj ajo ka kaluar nëpër shumë duar duke ndryshuar shumë herë edhe destinimin.

Gjurmët e secilës prej kohëve janë evidente. Në njërën prej mureve shkruan italisht duke treguar kohën kur italianët kishin pushtuar këtë pjesë ndërsa po i mbanin peng ushtarët austriakë.

Thuhet se emri i gjirit Porto Palermo ku gjendet kjo kështjellë ka ardhur mu nga italianët “të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë”.

Nga një kështjellë e një njeriu të madh ajo shndërrohet në burg pastaj depo armatimi madje edhe kamp internimi gjatë kohës së komunizmit.

Mbi çdo derë të brenda kalasë gjen mbishkrime si vaj, naftë e shumëçka tjetër duke të rikujtuar kështu destinimin që kishte kjo hapësirë.

“Ndërsa ky është oborri i Vasiliqisë”, tregon ciceroni Koqi.

Oborri i Vasiliqisë, dashurisë së pashait, gjendet në pjesën ballore dhe sigurisht që në ditët e hershme i përngjante një oazë midis kalaje, ndërsa sot një vend i thatë. Rreth kalasë gjenden krejt pak shtëpi, aty edhe ku ka lindur vetë ciceroni.

Disa vjet më parë ciceroni i kalasë po priste familjen e tij që ta festonin natën e vitit të ri. Kishte ndodhur një keqkuptim, familja nuk kishte ardhur. Koqit iu ishte dashur që ta festonte vitin e ri vetëm. I vetmuar ai shkruan një poezi duke përmbledhur kështu gjitha ndjenjat e natës më të gjatë të vitit. Të nesërmen familjarët e lexojnë letrën. Nuk kishin çka të bënin përveç se të qanin. Kalaja apo shtëpia e dytë e Koqit sot është larg ndonjë investimi për ta shndërruar këtë pjesë në diçka edhe më atraktive. Ajo gjendet dhe vazhdon të mbetet si një oazë në mes të një shkretëtire, ama të bukur.

Kjo kala gjendet rreth 20 minuta nga Himara në rrugë për Sarandë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›