Rinisin protestat për tokën
ORIKUM - Për më shumë se 40 minuta banorët e Orikumit dhe ish-punonjës të NB-së protestuan dje për tokën që kanë përfituar nga ligji 7501. Ata bllokuan edhe aksin rrugor Vlorë-Himarë, duke sjellë kaos në qarkullim. Me banderola dhe parulla në duar, protestuesit marshuan fillimisht përgjatë bulevardit të qytetit dhe më pas u ndaluan në hyrje të Orikumit duke bllokuar aksin që të çon në Sarandë. "Z.Kryeministër, duhet të zbatosh ligjin 7501 që e vendose vetë në vitin 1991, sepse kjo tokë është e Dukatit, dhe nuk do të lejojmë askënd me dokumente false që të vijë dhe të na marrin tokën" u shprehën protestuesit. "Ka kaluar më shumë se një vit dhe deri tani nuk është bërë asgjë për tokat tona. Unë si nënkryetar i shoqatës së tokave të Orikumit i bëjë me dije kryeministrit që të zbatohet ligji 7501, ose toka tek i zoti. Qeveria duhet të tërheqë këtë amendament për tokën sepse këtu do të ketë përleshje dhe ne nuk duam që të vriten njerëz për tokën" u shpreh kreu i shoqatës së tokave të Orikumit. q.b