Verifikohen dosjet e minierave
BULQIZE - Sektori i krimit ekonomiko-financiar në policinë e Dibrës ka nisur hetimet në të gjitha subjektet minerare private në rrethin e Bulqizës. Sipas burimeve, kontrolli ka nisur në 20 subjekte. Nga hetimet paraprake ato rezultojnë të kenë probleme me dokumentacionin dhe ushtrimin e aktivitetit në nxjerrjen dhe shitjen e mineralit të kromit. "Ankesa e një subjekti privat, drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Prokurores së Përgjithshme ka vënë në lëvizje sektorin e krimit ekonomik. Nëpërmjet kësaj letre thuhet se ka ende firma private që nuk kanë leje shfrytëzimi apo disa të tjera që shfrytëzojnë kromin e firmave të tjera ose të minierës kryesore", bënë të ditur burime nga grupi hetimor. Të njëjtat burime u shprehën se hetimi ka nisur për të gjitha subjektet minerare private, kryesisht në zonën D të mineralmbajtëses së Bulqizës. Mësohet se hetimet nuk janë përqendruar vetëm në dokumentacionin e këtyre firmave, por edhe tek mënyra e nxjerrjes, grumbullimit dhe shitjes së kromit nga këto subjekte private. h.p