E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisja e shkarkimeve në HEC e Fierzës, mund të zgjerojë hartën e përmbytjeve

SHKODER- Edhe pse situata e motit duket e përmirësuar, kanë rinisur shkarkimet në hidrocentralin e Fierzës, i cili aktualisht është në kuotën e 296.53 metrave.

Shkarkimet nga HEC-i janë 700 metër kub / sek, po ashtu edhe prurjet në këtë hidrocentral, ndërkohë që rinisja e shkarkimeve mund të zgjerojë sërish hartën e përmbytjeve.

Situata momentalisht duket e përmirësuar në rrethin e Shkodrës, ku sipërfaqja e përmbytur është tkurrur në 6 mijë ha, pjesa më e madhe e të cilës në komunat Ana e Malit dhe Dajc. 717 banesa vijojnë të jenë të izoluara në këto dy komuna, ndërsa 25 shtëpi rezultojnë të përmbytura.

Rruga e Dajcit mësohet se është drejt lirimit edhe për automjetet e vogla, por vijojnë të mbeten të bllokuara akset Shkodër-Velipojë dhe Shkodër-Obot. Uji është larguar edhe nga zona e pedonales në qytet, ndërsa mbeten të përmbytura lagjet Livadhe dhe Shtëpia e Mushkonjës. Ndërkaq, l uji i liqenit është tërhequr sërish në shtratin e tij.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›