E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinovimi, Kuzhe fton 4 emra të rinj në kombëtare

Erjon Bogdani dhe Altin Lala janë grumbulluar për ndeshjen me Rumaninë, ndërsa Skela dhe Agolli të skualifikuar

Agonit Sallaj, Arsen Sykaj, Odise Roshi dhe Sabien Lilaj janë katër futbollistët e rinj që ftohen për herë të parë në kombëtare për ndeshjet eliminatore të Euro 2012. Si rrjedhojë e dështimit në këtë fushatë eliminatoresh, sidomos pas humbjes zhgënjyese 2-1 me Luksemburgun, FSHF dhe trajneri Kuzhe kanë qenë të detyruar ta nisin para kohe procesin e rinovimit, pasi Shqipëria tashmë ska çfarë të arrijë në Grupin D.

Në listë janë përfshirë gjithsej 24 futbollistë, më shumë se asnjëherë tjetër, çka do të thotë se gjatë ditëve të grumbullimit shumë të rinj do të vëzhgohen për mundësitë që kanë për të qenë në vazhdimësi pjesë e kombëtares.

Nga Shpresat Tre lojtarët e rinj të përfshirë në listë janë pjesë e U-21, që drejtohet nga Artan Bushati, ndërsa Sabien Lilaj, ish-mesfushori i Tiranës, që tashmë i përket Lokomotivës së Zagrebit, deri një një vit më parë ka luajtur me Shpresat në rolin e organizatorit.

Kuzhe, në fakt, pati deklaruar që këto eliminatore do ti mbyllte me gardën e vjetër, por zhgënjimi i parakohshëm në Luksemburg shërbeu si nxitje për të menduar për të rinjtë, të cilët duhet të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Botërorit 2014.

Mungesat Shqipëria do të vuajë të paktën 5 mungesa kryesore në ndeshjen me Francën. Të skualifikuar janë Altin Lala, Erjon Bogdani, Ansi Agolli, Ervin Skela dhe Debatik Curri. Nëse veteranët Lala dhe Bogdani do të jenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundit në grup me Rumaninë në Qemal Stafa, Ervin Skela dhe Ansi Agolli janë ndëshkuar nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, i pari me 5 ndeshje, ndërsa futbollisti i Karabakut 3 ndeshje.

Trajneri Kuzhe Përballjet me Francën dhe Rumaninë me shumë mundësi do të jenë të fundit edhe për trajnerin Josip Kuzhe. FSHF ka këmbëngulur për të mos hyrë në bisedime para se të përfundojnë të gjitha ndeshjet në grup, ndërsa vetë kroati, në një intervistë të gjatë për Supersport, ka pranuar se ende nuk e di se çfarë do të bëjë.

Pra, dy ndeshjet e fundit, me Francën dhe Rumaninë, janë në njëfarë mënyre gur prove për trajnerin aktual të Shqipërisë. Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë të grumbullohen pikë (Shqipëria pretendon vetëm me Rumaninë), por nëse skuadra dhe të rinjtë që do të aktivizohen bindin, trajnerit mund ti rinovohet kontrata.

Rumania, ndeshja e lamtumirave kuqezi

Për Lalën dhe Bogdanin ndeshja e 11 tetorit do të jetë e fundit me kombëtaren

Dy ndeshjet e fundit në Grupin D, me Francën dhe Rumaninë, për disa veteranë të kombëtares do të jenë të fundit zyrtare me fanellën kuqezi. Altin Lala dhe Erjon Bogdani, në fakt, nuk do të mund të luajnë në Paris për shkak kartonësh, por ata do të jenë në fushë, për të fundit herë, me Rumaninë në Qemal Safa.

Të dy futbollistët në fjalë, bashkë me Ervin Skelën, e kanë deklaruar publikisht tërheqjen nga kombëtarja në fund të eliminatoreve, çka do të thotë se me rumunët do të luajnë ndeshjen e fundit zyrtare. Për fat të keq, Ervin Skela sdo të mund të jetë as në këtë përballje, pasi është dënuar 5 ndeshje nga Disiplinori i UEFA-s.

I vetmi nga veteranët, që për momentin e ka hedhur poshtë idenë e tërheqjes nga kombëtarja, është Klodian Duro, mesfushori i Tiranës. Në fakt, FSHF ka planifikuar një ceremoni lamtumirë për këta futbollistë, ndoshta në nëntor, me Azerbajxhanin.

Arjan Beqaj Viti 2011 duket se do të jetë ai i lamtumirave në kombëtare. Gjatë merkatos së verës, para se të niste sezoni i ri futbollistik, Arjan Beqaj, 36 vjeç, u tërhoq i pari nga futbolli i luajtur, rrjedhimisht edhe nga kombëtarja. Ish-portierin kuqezi do ta ndjekin të tjerë të brezit të tij: Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, ndoshta edhe Klodian Duro.

Cana: Lacio humbet shumë raste

Mesfushori shqiptar i Lacios, Lorik Cana, ka folur për mediat italiane pas humbjes zhgënjyese të skuadrës së tij në Lisbonë, me Sportingun, në Ligën e Europës. 28-vjeçari i kombëtares kuqezi, i cili luajti gjatë 90 minutave në këtë ndeshje, është shprehur se Lacios i ka munguar fati dhe se në fazën sulmuese duhet të jetë më konkrete: Nuk po na ndihmon fati.

Treguam që dimë të luajmë shumë mirë, por duhet të jemi më konkretë para portës. Kemi humbur shumë raste. Pavarësisht humbjes, mendoj se në Lisbonë kemi zhvilluar një ndeshje të bukur, sidomos në pjesën e dytë. Ndonëse se Sportingu mbeti me një lojtar më pak, nuk ishte e lehtë ti imponoje lojën tonë. Cana nuk është vlerësuar mirë në ndeshjen e Serisë A me Palermon në Romë (0-0), ndërsa në Lisbonë performanca e tij ka rezultuar shumë më pozitive.

Gjobat e Superkupës

Apeli lë në fuqi Disiplinën

Tirana dhe Skënderbeu, dy skuadrat që diskutuan Superkupën e Shqipërisë më 18 gusht, duhet të derdhin përfundimisht nga 1.5 milionë lekë secila në arkat e FSHF-së për shkak të trazirave që ndodhën në Korçë. Komisioni i apelit, i mbledhur dje, ka lënë në fuqi vendimin e Disiplinës, që i gjobiti më 15 gusht me një shumë të barabartë të dy klubet për hyrjen e tifozëve në fushë, hedhjen e sendeve të forta dhe përdorimin e fishekzjarreve në fushë.

Gjobitja e dy klubeve është vetëm një pjesë e dënimit për ngjarjet e Superkupës, pasi Refik Halili, presidenti i Tiranës, si dhe Riza Hicka, anëtar i kryesisë së skuadrës bardheblu, janë dënuar gjithashtu me nga 500 mijë lekë gjobë dhe me moslejimin e futjes në stadium për 8 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›