Shkodranët: Tu ruhemi kualiteteve që ka Kastrioti
Ndryshe nga vitet e tjera, krutanët kanë në radhët e tyre jo pak lojtarë me eksperiencë, prandaj Vllaznia do ta ketë të vështirë
Nesër në Krujë përballen me njëra-tjetrën dy skuadra: Kastrioti dhe Vllaznia. Nëse do tu referoheshim statistikave dhe historisë, pavarësisht se luajnë në qytetin e Skënderbeut, sigurisht që do thonim se shkodranët ishin favoritët kryesorë për fitimin e kësaj ndeshjeje. Por në kushtet e tjera, ato të futbollit të sotëm, ku shpesh nuk ka diferencë mes skuadrave me emër të madh dhe atyre me emër të vogël, sepse vendos paraja.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kastriotin, i cili këtë verë ka bërë ndoshta merkaton më të mirë ndër skuadrat e superligës shqiptare, duke afruar në radhët e saj lojtarë cilësorë, madje ndoshta edhe më të shtrenjtë nga ato që ka aktualisht Vllaznia. Në pozita të tilla, natyrisht që nuk mund të thuash assesi se shkodranët janë favoritë për ta fituar ndeshjen. Madje vetë trajneri Josa e ka të qartë se skuadrën e tij e pret një ndeshje mjaft e vështirë.
Për këtë arsye, ai publikisht u bën thirrje lojtarëve të tij për të bërë shumë kujdes në këtë ndeshje, prandaj thotë: Kastrioti ka qenë ndër ekipet më aktive në merkaton e verës dhe prandaj ka grumbulluar në skuadrën e tij lojtarë cilësorë, sepse skuadra ka pretendimet e veta këtë sezon, ashtu siç kemi edhe ne tonat.
Kurrsesi nuk do jetë e lehtë, sepse krutanët kanë në radhët e tyre lojtarë të mirë dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes ndaj tyre. Duhet të ruhemi sa më shumë, që të mos gabojmë, sepse një gabim i vogël na kushton ndeshjen. Vllaznia ka objektivat e veta për të marrë pikë edhe në këtë takim, të cilën e konsiderojmë ndeshje të radhës në fakt dhe asgjë më shumë.
Kalendari Ndeshje e radhës është, por të paktën një pikë në këtë takim do thoshte shumë për kuqeblutë, sepse në dy ndeshjet e ardhshme do të luajnë me Tiranën dhe Flamurtarin, çka do thotë se entuziazmi do rritet dhe njëkohësisht edhe mundësia për të rivalizuar për vendet e para të tabelës së klasifikimit. Trajneri Josa nuk kërkon të shkojë aq larg.
Si gjithnjë, kërkon të jetë i matur në çdo fjalë që nxjerr nga goja dhe në fund të fundit ka të drejtë. Asnjë gjë nuk do kishte vlerë nëse Vllaznia do fitonte nesër në Krujë, por do të mundej javën tjetër në Shkodër nga Tirana. Pikët do ishin të njëjta, por problemi do ishte më i madh në këtë rast, sepse të humbësh në Loro Boriçi asnjëherë nuk pritet mirë.
Prandaj dhe ndeshja e nesërme ndaj ekipit të Ramadan Ndreut konsiderohet shumë e vështirë, por njëkohësisht edhe e rëndësishme për të ardhmen. Kuqeblutë janë duke e vlerësuar në mënyrën më të drejtë këtë përballje dhe ajo duhet kaluar me sukses, në mënyrë që entuziazmi në Shkodër të rritet edhe më tepër. Fondet për skuadrën po shtohen çdo ditë e më tepër. Nëse rriten edhe rezultatet, do ishte një mrekulli, sepse e ardhmja e Vllaznisë do ishte e sigurt.
Sfidë brenda sfidës, përballen Inkango-Sukaj
Të dy ata kanë shënuar në tri ndeshjet e para të kampionatit nga 4 gola secili, duke qenë së bashku në krye të listës së golashënuesve më të mirë të kampionatit, të vetëm. Brus Inkango, afrikani me pasaportë franceze dhe shkodrani Xhevahir Sukaj nesër do të ndeshen edhe në fushë. Jo për të luftuar për Këpucën e artë, por për të ndihmuar skuadrat e tyre në arritjen e fitoreve.
Nuk është një duel i mirëfilltë mes këtyre dy sulmuesve, por edhe mund të jetë, sepse për momentin janë lojtarët më në formë për skuadrat e tyre, janë ata te të cilët janë drejtuar sytë për ti nxjerrë nga situata. Sukaj e ka bërë të qartë se do luftojë deri në fund për fronin e golashënuesit më të mirë dhe ndoshta në këtë valle mund të jetë edhe Inkango. Nesër megjithatë duhet të fitojnë skuadrat e tyre dhe mbetet të shohim se cili prej këtyre lojtarëve do kontribuojë më shumë për ekipin e vet.
