E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia shokon Kamzën në shtëpi, goleadë e Dervishit dhe Shkumbinit

Startoi të shtunën java e katërt e superligës dhe e kategorisë së parë në disa prej stadiumeve të vendit. Nëse kategoria e parë ishte planifikuar të zhvillohej e plotë këtë ditë, superliga ka zhvilluar tri ndeshjet e para. Më konkretisht, në orën 14:00, Pogradeci dhe Dinamo kanë nisur sfidën mes tyre në qytetin liqenor, aty ku vendësit kanë vuajtur shumë për të gjetur fitoren. Kjo, sepse blutë e drejtuar nga Faruk Sejdini janë mbrojtur me fanatizëm deri në minutën e parafundit të lojës, kur janë dorëzuar dhe e kanë parë veten në ferr. Ka qenë korçari Cipi, ai që ka konkluduar in extremis në portën e Osmanit të Dinamos, duke u dhënë të tijve 3 pikë tepër të çmuara. Kësisoji, Pogradeci gjen fitoren e dytë në këtë kampionat, sërish në fushën e vet, duke e parë veten në kuotën e 6 pikëve, ndërsa blutë kryeqytetas mbyllin klasifikimin, me vetëm një pikë, të marrë ndaj kampionëve në fuqi, në Qemal Stafa, falë atij barazimi 0-0.

Goleadë e Shkumbinit në shtëpi, teksa ka mundur thellë 6-2 Tomorin debutues në superligë. Kristaq Mile, trajneri beratas në krye të peqinasve, nuk ka pasur asnjë mëshirë për Tomorin. Që në minutën e dytë, vendësit kanë shënuar në portën beratase, pas një penalltie të fituar nga sulmuesi Roland Dervishi. Ky i fundit është penguar në mënyrë të parregullt nga mbrojtësi i Tomorit, Krasniqi, që është nxjerrë me të kuqe nga gjyqtyari Pashaj, për shkak se ishte lojtari i fundit në mbrojtjen mike. Ka ekzekutuar vetë Dervishi, që realizon golin e parë, për të vijuar me breshëri më tej, sepse ka rrumbullakosur plot pesë gola në këtë ndeshje, duke u ngjitur kësisoji në krye të shënuesve më të mirë të superligës deri më tani. Për peqinasit ka realizuar një gol edhe gjirokastriti Shenaj, ndërkohë që Dervishi ka fituar edhe një penallti të dytë, si në të parën, duke nxjerrë me të kuqe tashmë portierin e Tomorit, Llani. Në këtë mënyrë, miqtë e kanë mbyllur këtë ndeshje me 10 lojtarë në fushë, të mundur thellë 6-2, çka tregon situatën problematike te Tomori.

Në Kamëz kanë triumfuar miqtë nga Fieri. Në një përplasje debutuesish në superligë këtë sezon, Kamza dhe Apolonia kanë zhvilluar një lojë të fortë dhe kërkuese. Vendësit kanë qenë më dominues në fushën e blertë, por kanë shpërdoruar raste të pafundme për konkludim. Miqtë, përmes kundërsulmit, kanë arritur të shënojnë një gol, me anë të Ramës, i cili i ka dhënë fitoren e çmuar Apolonisë në një transfertë delikate.

Ndeshjet e tjera të kësaj jave do të luhen të dielën dhe të hënën, sipas kalendarit të mëposhtëm.

Sa i takon kategorisë së parë, vlen të theksohet fakti se kryesuesit e Luftëtarit kanë pësuar humbjen e parë në këtë kampionat në Lezhë, aty ku i ka mundur Besëlidhja me rezultatin 1-0. Besa e Kavajës, me traditë në futbollin shqiptar, fituese trofesh, kupë dhe superkupë, këtë sezon luan në kategorinë e parë. Ajo ka dështuar të marrë qoftë edhe një pikë në fushën e Mamurrasit, sepse vendësit kanë triumfuar 2-1. Kësisoji, verdhezinjtë e drejtuar nga trajneri Gugash Magani dëshmojnë luhatje të shumta dhe mungesë potenciali në kampionat, çka e bën krejt të paparashikueshme ecurinë e mëtejshme të saj dhe rikthimin në superligë.

Elbasani ka mundur në Ruzhdi Bizhuta me rezultatin 2-0 Gramozin, duke marrë 3 pikë të tjera në kampionat, kësaj here pa shumë mund, sepse kolonjarët janë paraqitur të mefshtë dhe fare kërkues. Fitore në shtëpi ka shënuar edhe Himara, ndaj sarandiotëve të Butrintit, dhe Kukësi ndaj Ilirisë. Barazim 1-1 në Velipojë, mes Adës dhe Gramshit. Bardhësi shifrash edhe në Corovodë, mes Skraparit dhe Lushnjës.

 

 

Superliga, java e katërt

02.10.2011

Pogradeci-Dinamo  1-0

Shënues: Cipi 89

Shkumbini-Tomori  5-2

Shënues: R.Dervishi 2 (pen), 6, 37, 64 (pen), 95, Shenaj 57   / Bakiu 27, Cela 50

Kamza-Apolonia  0-1

Shënues: Rama 65

03.10.2011

Kastrioti-Vllaznia

Tirana-Flamurtari

Laci-Skenderbeu

04.10.2011

Teuta-Bylis

 

Kategoria e parë, java e katërt

02.10.2011

Skrapari Lushnja  0-0

Besëlidhja Luftëtari  1-0

Ada -  Gramshi  1-1

Kukësi Iliria  1-0

Mamurrasi Besa  2-1

Vlora Burreli  2-1

Himara Butrinti  2-0

Elbasani Gramozi  2-0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›