E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutim mafioz për biznesmenin

 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Ekzekutohet biznesmeni 45-vjeçar Esat Valbona. Një plumb i vetëm, i dyshuar se ka dalë nga një snajper ose armë me silenciator, ka qenë fatal për jetën e pronarit të një pike tregtimi materialesh ndërtimi dhe një lokali në qytetin verior. Policia deri në mbrëmje nuk ka mundur të identifikojë autorin, duke dyshuar te një konflikt i hershëm me viktimën.
Valbona ndodhej në një bar pranë shtëpisë, duke luajtur letra me një grup shokësh, kur këta të fundit kanë dalluar gjurmën e gjakut pranë zemrës. Brenda pak sekondash është dhënë alarmi për atentatin me vdekje të Valbonës, i cili nuk ka mundur dot të mbijetojë nga plaga. Vrasja e 45-vjeçarit është kryer rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme, në lagjen "Xhabije" të Shkodrës. Sipas dëshmisë së shokëve të viktimës, ata ishin ulur në një tavolinë pranë dritares së lokalit, pranë të cilit kalonte rruga kryesore e lagjes. Ata kanë treguar se nuk kanë dëgjuar asnjë krismë dhe vetëm kur shoku i tyre është mbuluar nga gjaku, kanë mësuar fatin e tij. Policia ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, duke konfirmuar më tej me ekspertizën e saj pistën gjuajtjes me armë me silenciator ose me snajper. Goditja e përpiktë në zemër, pa u lënduar asnjë prej personave të tjerë në tavolinën ku ndodhej viktima ka hedhur dyshimet për një armë tipike të ekzekutimeve mafioze. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është arritur të gjendet gëzhoja e plumbit vdekjeprurës. Forca të shumta policie kanë kontrolluar të gjithë zonën, duke verifikuar mundësitë se nga mund të ishte qëlluar biznesmeni. Dyshohet se atentatori ka ndaluar jashtë lokalit, ndoshta në një makinë, prej nga ka marrë në shënjestër 45-vjeçarin, por për shkak të errësirës askush nuk ka dalluar ndonjë gjë të dyshimtë jashtë lokalit. Këtë e konfirmon një vrimë në xhamin e lokalit dhe fakti se askush nga personat në lokal, kalimtarët e rastit apo banorët nuk kanë dëgjuar zhurmë arme. Ekspertë të policisë janë shpërndarë dhe në pallatet përballë lokalit, duke kontrolluar ambientet e tyre me qëllim gjetjen e ndonjë gjurmë. Sipas policisë, goditja pa asnjë gabim mund të kryhet dhe në distancë nëse përdoret një snajper. Përfundimi pritet të jepet pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore e më pas asaj balistike mbi plumbin e mbetur në trupin e 45-vjeçarit.
Menjëherë pas krimit janë marrë në pyetje shokët dhe familjarët e viktimës, në lidhje me konfliktet që Esat Valbona mund të ketë pasur, të cilët kanë shtyrë atentatorët në planifikimin e ekzekutimit të tipit mafioz. Por prej tyre nuk është mundur të mësohet asnjë pistë e mundshme, duke bërë që policia të nisë hetimet dhe kërkimet pa të akuzuar konkretë. Konflikte të viktimës në Shkodër apo në qytetin e Tropojës përbëjnë pistën kryesore të policisë, ndonëse nuk përjashtohet dhe pista e ndonjë grindje të ndodhur së fundi mes biznesmenit dhe atentatorit. Postblloqe të shumta janë ngritur në të gjitha akset kryesore të rrugëve, për të shmangur një largim të mundshëm të autorit. Esat Valbona njihet në Shkodër si pronar i një lokali në hyrje të qytetit si dhe të një pike tregtimi me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ai është një ndër biznesmenët e parë në Shkodër që ka nisur të merret me aktivitet privat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›