Rinovon Kristiano Ronaldo, 17 milionë euro për sezon
Tashmë është zyrtare, Kristiano Ronaldo dhe Reali i Madridit zgjasin bashkëpunimin deri në vitin 2018. Pak kohë pasi palët gjetën gjuhën e përbashkët, erdhi edhe e zeza mbi të bardhë, që formalizon marrëveshjen, nga e cila portugezi do të përfitojë plot 17 milionë euro në sezon. Lajmin e japin mediat spanjolle, sipas të cilave, sulmuesi do të bëhet kështu lojtari më i paguar në Primera Division, duke kaluar madje edhe Lionel Messin. Një duel i fituar në distancë me argjentinasin, por më shumë se Ronaldo, është Reali ai që fërkon duart nga kjo marrëveshje, pasi shoqëria Merengues rrezikonte ta humbiste luzitanin me parametra zero, pasi kontrata e tij skadonte në vitin 2015 dhe shumë klube të mëdha europiane kishin nisur sulmet për ta joshur. "Paratë nuk janë gjithçka për mua, pasi në jetë ka gjëra më të rëndësishme. Prioriteti im ka qenë të jem pjesë e klubit më të mirë në botë. Kjo skuadër duhet të fitojë në Champions League dhe kampionat. Oferta e PSG-së? S'e kam menduar asnjëherë", - tha Ronaldo.
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)