E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, bie mbi kamion kontejneri, plagoset rëndë shoferi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në portin e Durrësit, ku një kontejner është shkëputur dhe ka rënë nga një lartësi e madhe duke plagosur shoferin e kamionit ku pritej të ngarkohej ky kontejner. Shoferi i kamionit është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në sheshin pas kalatës nr 4 të portit të Durrësit, në stivën e kontejnerëve bosh. Gjatë kohës që vinçi i cili punon në ngarkim-shkarkimin e kontejnerëve po merrte njërin prej tyre në katin e katërt të stivës, ai është shkëputur dhe ka rënë sipër kabinës së kamionit me targa DR 2101 D që drejtohet nga 59 vjeçari Spiro Goga, nga Durrësi. Kontejneri ka rënë sipër kabinës së kamionit duke e shtypur atë dhe për pasojë ka dëmtuar rëndë edhe shoferin Goga që ishte brenda kabinës së kamionit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në kohën që mjetet e ngarkim shkarkimit po punonin për ngarkimin bosh të dy kamionëve, njëri me targa Durrësi dhe tjetri me targa maqedonase. 59 vjeçari Goga ka pësuar shumë fraktura në trup dhe është dërguar menjëherë drejt spitalit të Durrësit. Sipas burimeve nga spitali, gjendja e 59 vjeçarit është e rëndë, ndërkohë që në sheshin e kontejnerëve bosh në port, kanë mbërritur efektiva të Forcës së Sigurisë Portuale dhe asaj të rendit. Nga hetimet e para bëhet e ditur se për shkak të lartësisë kontejneri bosh nuk është futur si duhet në ganxhat e sigurisë që kanë secili prej tyre kur vihen në stivë dhe për një moment gjatë transportit, ai ka rënë nga një lartësi prej 10 metrash duke e shtypur kamionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›