Edi Rama, i vetmi në Shqipëri i painteresuar për standardet e zgjedhjeve të 2009-s

LSI-ja paralajmëron kreun e socialistëve se do të jetë ai përgjegjësi në rast të prishjes së standardeve të zgjedhjeve
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje mjaft ashpër ndaj përgjigjes përfundimtare negative nga ana e kreut te PS-së Edi Rama dhënë gjatë një emisioni televiziv sipas së cilës, ai është i gatshëm që të takohet me Metën për çfarëdolloj çështje përveç asaj që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor që cilësohet si një çështje e mbyllur.
“Është e qartë për ne, që në këto situata dhe në rast se ky refuzim mediatik tashmë i kryetarit të PS është përfundimtar, përgjegjësia e vetme për zgjedhjet dhe standardet e prishura të zgjedhjeve në vitin 2009 mbetet mbi lidershipin e PS dhe ajo e gjithë opinioni publik duhet ta dinë mirë këtë gjë. Ne po e bëjmë publike për të ditur në çdo rast e në çdo rrethanë se cilët janë fajtorët dhe ata që morën përgjegjësinë shumë të rëndë për të prishur zgjedhjet në Shqipëri. Dhe, në këtë rast janë qartësisht të identifikuar që është Edi Rama dhe lidershipi i Partisë Socialiste”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, duke theksuar se LSI do të vazhdojë që të jetë garantuesja e votës së lirë dhe të ndershme të çdo shqiptari për këdo parti që ai e hedh.
I pyetur mbi deklaratat e deputetit demokrat, Preç Zogaj sipas të cilit Kodi duhet të ndryshojë edhe për grupet e numërimit të votave, duke i lënë hapësirë pjesëmarrjes së LSI, si forca e tretë politike aktualisht në vend, Vasili, tha se është mjaft paradoksale që një propozim i tillë nuk vjen vetëm nga Zogaj, por edhe nga mjaft zëra të tjerë brenda shumicës aktuale, të cilët nuk kanë ngurruar të shprehen qartë për rishikimin e Kodit për pjesën e administrimit, sepse ka të bëjë gjithmonë me këtë pjesë, ndërsa vetë lidershipi socialist mban një qëndrim refuzues.
Për sa i përket, deklarimit më të fundit të kryesocialistit Rama, sipas së cilit, LSI ka gati një vit që hedh baltë mbi PS, Vasili u përgjigj duke thënë se prej një viti nuk është LSI, e cila po flet dhe po akuzon PS-në, por sipas tij është vetë lidershipi i kësaj partie, ai që ka prishur në mënyrë të njëanshme dhe flagrante marrëveshjen e partive opozitare.
“Prej një viti Edi Rama është vënë në dispozicion të plotë të Sali Berishës për të prishur dhe dhunuar Kushtetutën demokratike të këtij vendi. Është Edi Rama që prej një viti ka qenë tërësisht i gatshëm të vihej në funksion të mbylljes dhe mos shkuarjes deri në fund të sqarimit të aferës së Gërdecit, duke refuzuar dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor të kërkuar nga LSI, ndërkohë që një Komision hetimor është ngritur në SHBA, ku nuk ka asnjë viktimë të popullit amerikan për këtë çështje. Njëkohësisht, është po Edi Rama që u vu në dispozicion të Sali Berishës, duke marrë dhe përgjegjësi shumë të mëdha për veten e tij, për të prishur edhe Kodin Zgjedhor, që do të thotë prishja e zgjedhjeve në Shqipëri. Në këtë rast, për këdo shqiptar është shumë e qartë se çfarë ka bërë Edi Rama dhe çfarë kemi bërë ne”, kujtoi e deklaroi Vasili.
Petrit Vasili ndërkaq bëri të qarët se nëse seanca plenare do të fusë dhe do të shqyrtojë vetëm çështjen e ndryshimit të dispozitave që kanë të bëjnë me datën e zgjedhjeve apo afatet zgjedhore dhe nuk merr në shqyrtim çështjet e administrimit të Kodit, LSI nuk do të marrë pjesë në këtë seancë dhe gjatë gjithë kohës nuk do ta njohë atë pjesë të Kodit që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve. Mundësinë e një bashkëpunimi parazgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm i LSI e sheh të pamundur.
Dy ditë më patë gjatë një interviste televizive, kreu i PS e cilësoi të mbyllur çështjen e Kodit Zgjedhor ndërsa akuzoi LSI-së për sulme të pabaza ndaj selisë rozë.