“Ripeshkimi” i Partizanit, Xhani: Nuk më intereson ç’bën federata
Plogështi totale. Nuk do të dëgjojë më emrin e federatës dhe ca më pak kur i kujtojnë “ripeshkimin” në Kategorinë Superiore të Partizanit të tij. Albert Xhani, presidenti i “Demave të kuq” nuk pranon të prononcohet mbi këtë çështje edhe pse jo më larg se mbrëmjen e së shtunës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka i hodhi “benzinë zjarrit” duke pohuar se mund të ketë ndryshim formule të Superligës. Pra, nga 12 skuadra që është sot, në 14. Ndonëse një gjë e tillë duket praktikisht e pamundur për t’u realizuar, pasi ndryshimet e formulës së kampionateve duhet të bëhen minimalisht një sezon më parë përsëri askush nuk vë dorën në zjarr se Komiteti Ekzekutiv i FSHF, i drejtuar nga Duka nuk mund të bëjë një gjë të tillë që në sezonin e ardhshëm 2009-2010. “Nuk më intereson fare se çfarë bën federata. As që dua t’ia di për atë institucion dhe për ata që drejtojnë atë federatë. Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë çështje së cilës i kam vënë kapak tashmë”, ka pohuar në linjë telefonike për gazetën “Panorama”, presidenti i Partizanit, Albert Xhani. “Demat e kuq” ranë për herë të dytë në historinë e tyre nga kategoria pas ndeshjes së të premtes në stadiumin “Niko Dovana”, ndaj Kastriotit të Krujës. Takimi përfundoi në një përleshje me arbitrat, të cilët anuluan një gol të vlefshëm të skuadrës së Partizanit. L. Karaj