Fiksimi i Admir Telit: Një tjetër shuplakë K.Ronaldos
Jetmir Halilaj
Kristiano Ronaldo nuk është nga ata tipa që kur i jep një shuplakë në njërën faqe, ai të kthen tjetrën. Megjithatë, Admir Teli, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, po fërkon duart dhe me hir a me pa hir, dëshiron që t’ia japë një tjetër shpullë portugezit, që e nxorri me të kuq në takimin e parë, të luajtur më 15 tetor. “Jam gati t’ia jap një tjetër shuplakë, por këtë herë do të përpiqem që të mos më shohë arbitri”, thotë me humor për “Panorama ”, mbrojtësi shkodran.
Ndeshjen e kaluar kundër Portugalisë, u bëtë protagonist, por jo për mirë, pasi u ndëshkuat me karton të kuq. A mendoni se ka ardhur momenti që të rikuperoni diçka nga ajo që ndodhi?
U kritikova shumë dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë. Megjithatë, duhet të keni parasysh se nuk kisha asnjë dëshirë që ta lija skuadrën me një futbollist më pak. Kristiano Ronaldo simuloi dhe unë mora kartonin e dytë të verdhë.
Pse ju nuk e gjuajtët fare atë?
(mendohet)...Ndoshta pakëz fare. Jo aq sa për të lëshuar klithma të tilla dhe për të bërë figurën që ai bëri.
Tani besoj keni nxjerrë një mësim dhe nuk do të tentoni më që ta gjuani?
Nuk e di nëse do të luaj, por unë nuk hyj në fushë për të gjuajtur lojtarët kundërshtarë me shpulla. Megjithatë, Ronaldo e meriton një shuplakë prej vërteti...(qesh). Këtë herë do të përpiqem që ta gjuaj kur arbitri të mos e ketë mendjen...
A mendoni se ai është lojtari më i vështirë që keni markuar ndonjëherë?
Një ndër më të vështirët. Është lojëtar i shkëlqyer dhe jo rastësisht luan te Mançesteri dhe jo rastësisht është fituesi i “topit të artë”. Megjithatë, nuk ishte aspak e lehtë edhe të markoje Guizën e Fenerbahçes. Spanjolli ishte vërtet një sulmues shumë i fuqishëm dhe shumë i vështirë për t’u ndalur, ndonëse përmendet më pak, pasi nuk gëzon famën e Ronaldos.
Si mund të ndalet Portugalia?
Duke u treguar shumë të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, por edhe me shumë fat. T’iu marrësh pikë atyre, duhet edhe shumë fat.
Çfarë ju shqetëson më shumë në këtë ndeshje?
Fakti që Portugalia nuk ka shans tjetër veçse të fitojë. Kjo është padyshim shqetësuese.
Megjithatë luajmë në fushën tonë dhe kemi tifozët në krah...
Eh, kjo është thikë me dy presa. Në këtë rast edhe presioni është më i madh. Gjithsesi, me fansat në krah, mund të bëjmë diçka të mirë.
Nesër mbushni 28 vjeç, a keni planifikuar ndonjë festë speciale për ditëlindje?
Çfarë thoni? Jemi në grumbullim, nuk lejohen festat... Shpresoj që dhuratën më të bukur ta marr të shtunën, pra të luaj titullar dhe të ndalim sërish Portugalinë. Kjo po që nuk do të kishte të paguar.